E premte, nëntor 28, 2014 Kosova 15:30

Kronika

Mesazhet e qytetarëve për politikanët

Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Urimet e qytetarëve për këtë fundvit, përçuar politikanëve të Kosovës, janë të ndryshme.

Ata mendojnë në vitin 2013 duhet punuar më shumë për një mirëqenie më të mirë, derisa të tjerët mendojnë se duhet t’u rritet auto-përgjegjësia, pasi që këtë vit si dhe ata paraprakë, kanë karakterizuar Kosovën me shumë dështime, shumë korrupsion, e nepotizëm.

Madje, disa nga ta thonë se premtimet e shumta të marra pikërisht nga politikanët e Kosovës, nuk janë përmbushur as përafërsisht, andaj ata shprehen optimistë se viti 2013 do të jetë vit i sukseseve.

Qeveria e Kosovës kishte vënë si prioritete gjatë vitit 2012 zhvillimin ekonomik, investimet në infrastrukturë dhe bujqësi, ndërkaq nga aspektet tjera, plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave dhe përgatitjet për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si hapi i parë drejt procesit të gjatë të integrimit evropian.

Për gjitha këto, do t’i dëgjojmë mendimet e qytetarëve në një anketë të zhvilluar për Radion Evropa e Lirë.



“Unë mendoj se duhet punësuar njerëz më shumë, për shkak se është papunësi e madhe. Populli është varfëruar shumë prej tyre. Në vitin 2013, politikanët e Kosovës të mos mendojnë vetëm për vete, por edhe për popullin”, thotë Remzi Berisha, shitës.

Por, Qazim Mala thotë se edhe ky vit nuk ka qenë i pasuksesshëm:

“Mirë janë veç ashtu vazhdoni, kanë dhënë shumë premtime dhe nuk i mbaj mend të gjitha ato që i kanë dhënë, por shpresojmë se viti 2013 do të na sjellë më të mira”.

“Të shumta janë, uroj të punojnë më shumë për popull, shpresoj ta zgjedhin çështjen e papunësisë”, shprehet Arieta Lila.

Ndërkaq, pensionistët adresojnë ankesa të shumta ndaj udhëqesisë kosovare.

“Hallet e pensionistëve po i qajmë. Na kënaqën. Na e kanë rrit pensionin për 20 euro edhe u krye. Unë kam punuar 40 vjet, edhe tash i marr 100 euro pension. E, për ato 40 vjet nuk kam mundur të bëhem milioner, tash udhëheqësit tanë po bëhen milionerë për 10 vjet”, thotë Shemsi Gashi.

Urime dhe mesazhe për politikanët e Kosovës ka edhe Ibrahim Shmega:

“Urimet e mia për politikanët e Kosovës, janë që të punojnë më shumë për Kosovën. Unë mendoj se ky vit ka qenë vit i suksesshëm, por shpresojmë se viti 2013 do të jetë edhe më i mirë”.

Derisa doktoresha Dashurie Kryeziu, ka mendim ndryshe nga shumë të anketuar:

“Për politikanët e Kosovës e kam një urim, të pajtohen mes vete, të hapen më shumë vende pune, dhe më shumë perspektivë për të rinjtë, në mënyrë që mos të na ikë rinia jashtë vendit”.

“Së pari ju uroj shëndet, dhe pastaj pres që në vitin 2013 t’i përmbushin premtimet, të cilat as përafërsisht nuk i kanë përmbushur”,
shprehet Albulena.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : luani Prej : gjermani
30.12.2012 14:28
per mendimin tim kjo qeveri ishte qeveri e dexhenerume ,e ndytur,e kurruptuar qeveri e cila ne rend te par vjen interesi persunal se per populli qe per qdo dit e me shum po varfrohet nuk don me ndi,se per kombin nuk do me ndi ,eurot jan ne pytje sa ma shum euro pe veti aq ma shum po vuan poplli ,korrupcioni me i larti ne bot ne qeverin thaqi marre.

Nga : Nikqi Prej : Gjermani
29.12.2012 19:10
Për politikanët e Kosovës e kam një urim, të pajtohen mes vete, të hapen më shumë vende pune,dhe te mos vjedhin,por ta luftojn korrupcionin.Po qka me bo kur qeveria ban qka te done,e populli vetem shiqon.