E premte, prill 18, 2014 Kosova 23:11

Rajoni

Integrimet euro-atlantike, sfidë për Maqedoninë

Ilustrim
Ilustrim
Madhësia e shkronjave - +
Maqedonia e meriton që të jetë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Asaj duhej që këtë vit t’i jepej data për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, si dhe të bëhej anëtare e plotfuqishme e Aleancës Veri-atlantike.

Kështu kanë vlerësuar drejtuesit e politikës së jashtme, gjatë prezantimit të aktiviteteve të realizuara këtë vit dhe pritjeve të tyre për vitin 2013.

“Në këtë kuadër, gjatë vitit 2012 kemi arritur shumë rezultate, bëhet fjalë për një vit intensiv, kemi realizuar shumë reforma në sfera të rëndësishme që edhe janë vlerësuar në Raportin e fundit të Progresit. Qëllimi ynë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim nuk është vetëm deklarativ, bëhet fjalë për një dosje, për të cilën kemi konsensus të gjerë politik dhe shtetëror'.

"Sa i përket çështjes së emrit, ne mbetemi në qëndrimin tonë për pjesëmarrje aktive dhe konstruktive në dialogun që zhvillohet në kuadër të OKB-së, si dhe për respektimin e të gjithë rezolutave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”,
ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki.

Në paraqitjen e saj të fundit edhe zëvendëskryeministrja për Çështje Evropiane, Teuta Arifi, duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian, ka thënë se 2012-ta ka qenë një vit shumë i suksesshëm në politikën e jashtme dhe, sipas saj, “qytetarët e Maqedonisë janë më afër Bashkimit Evropian si asnjëherë deri më tani”.

Por, ndryshe nga drejtuesit e institucioneve, janë shprehur njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare. Sipas tyre, ky vit ka qenë i dështuar për diplomacinë vendase, pasi nuk është arritur qëllimi kryesor, caktimi i datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

“Nuk arritëm t’i afrohemi NATO-s, e as të marrim datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Duke marrë parasysh këtë, nuk mund të thuhet se ky vit ka qenë i suksesshëm pasi nuk arritëm të realizojmë qëllimet tona strategjike, integrimin euroatlantik”.

“Megjithatë, duke parë atë që po ndodhë ditëve të fundit në skenën politike dhe me demokracinë në përgjithësi, mund të jemi pesimistë edhe më të mëdhenj nëse do të ketë zhvillime pozitive edhe vitin që vjen në sferën e politikës së jashtme. Mendoj se do të jemi të detyruar të lëmë anash temat e mëdha, siç është edhe integrimi për të shëruar plagët që vetë i shkaktuam”.

“Përdorimi i dhunës mes partive për qëllime politike, aspak nuk i ngjan një shteti kandidat për anëtarësim në BE. Ajo që ndodhi në Kuvend është e paimagjinueshme për një shtet që pretendon të jetë demokratik ”,
ka vlerësuar Denko Malevski, ish-diplomat dhe profesor i së drejtës ndërkombëtare.

Ndërkohë, Bekim Kadriu, ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare thotë se pa zgjidhjen e çështjes së emrit, Maqedonia edhe gjatë kohë do të mbetet jashtë dyerve të NATO-s dhe BE-së, ndërsa kësaj mund t’i shtohen edhe kushte tjera në rast se vazhdon edhe më tej konfrontimi politik.

“Mendoj se edhe në të ardhmen moszgjidhja e kontestit do të ndikojë që Maqedonia të mbetet aty ku është domethënë në vend, të ngecë në procesin e euro-integrimeve dhe të mos ketë ndonjë përparim cilësor. Këtu mund të analizohen edhe aspektet tjera siç janë zhvillimet e ndryshme politike në vend, edhe ato ndikojnë në procesin e integrimit, sepse euro-integrimet nuk varen shumë nga shtetet tjera, siç dëshirojmë ne t’i tregojmë se gjithmonë dikush tjetër e ka fajin, se Greqia nga bllokon, kurse ne jemi në rrugë të mbarë”, ka theksuar Kadriu.

Zhvillimet në politikën e jashtme në kontekst të çështjes së emrit do të jenë aktuale edhe në ditët e para të vitit 2013. Nga 8 deri më 10 janar në Shkup e Athinë do të arrijë për vizitë ndërmjetësi i OKB-së, Mejtu Nimic, ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Poposki, ka njoftuar për nisjen e ftesave autoriteteve të larta greke për të vizituar Maqedonisë edhe pse janë të vetëdijshëm se një gjë e tillë vështirë se do të realizohet.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum