E mërkurë, tetor 01, 2014 Kosova 14:13

VOX

Pritjet e të rinjve për 2013

Ilustrim
Ilustrim
Viti 2012 vlerësohet të ketë qenë një vit jo i mirë për të rinjtë e Kosovë. Në rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë, përgjatë një viti janë trajtuar probleme nga më të ndryshmet, më të cilat janë ballafaquar të rinjtë.

Problemet në arsim, punësimi, dukuritë negative si droga, duhani, perspektiva nga fakultetet që ata zgjedhin, mungesa e vendeve ku ata mund të argëtoheshin, si dhe shumë çështja tjera, ishin disa nga hallet që ata i tregonin në rubrikën tonë të dedikuara për të rinj.

Ata kishin adresuar një varg kritikash ndaj autoriteteve të Kosovës, e në veçanti në institucionet kompetente që mund të bënin zgjidhjen e këtyre problemeve.



Por, se cilat janë pritjet e tyre për vitin 2013 dhe çfarë presin ata nga Qeveria e Kosovës?

Krijimi i vendeve të reja të punës, liberalizimi i vizave, shkollim më cilësor, janë vetëm disa nga dëshirat e tyre për vitin që po vjen. Disa prej tyre shprehen optimistë për ndryshime të qenësishme në rrafshin ekonomik dhe social, por ka edhe të tjerë, të cilët janë tejet të rezervuar për ndryshimet që mund të ndodhin.

Aulona Vitia, 16 vjeçe nga Prishtina, është nxënëse e shkollës së mesme. Ajo thotë se do të dëshironte të ketë më shumë përkujdesje shtetërore për të rinj.

“Si individ jam shumë pesimiste, nuk besoj që do të ketë ndonjë arritje në këtë vit. Do të dëshiroja të ketë më shumë mundësi për ne. Të avancohemi, qoftë në studime apo diçka tjetër, të ndihmohemi financiarisht me bursa. Liberalizmi i vizave po ashtu do të ishte qenësor për ne, si të rinj”, thotë Vitia.

Me mbi 35 për qind të moshës 15 deri 24-vjeçare dhe mbi 65 për qind nën moshën 30-vjeçare, rinia paraqet grupmoshën më të madhe të popullsisë në Kosovë. Por, e madhe nuk duket të jetë dhe përkujdesja institucionale ndaj shqetësimeve dhe problemeve, me të cilat ballafaqohet kjo pjesë e popullsisë.

I zhgënjyer nga autoritetet e Kosovës, e në veçanti me institucionet arsimore shprehet Muhamet Krasniqi. Ajo thotë se nuk pret që viti 2013 do të ofrojë më shumë se sa viti që po lëmë pas.

“Në vitin 2013 pres të përfundoj vitin akademik. Nga institucionet e Kosovës nuk pres se do të bëjnë diçka më shumë se atë që e kanë bërë. Jam i zhgënjyer nga ta shumë. Nuk pres ndonjë ndryshim të madh”, shprehet Muhameti.

Edhe korrupsioni ishte theksuar si një problem kyç nga të rinjtë. Ata kishin thënë se jeta në Kosovë është bërë shumë e vështirë për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit.

Haxhi Hoti, student, do të dëshironte që në vitin 2013 të zbutet kjo dukuri:

“Ditë më të mira për qytetarët e Kosovë, më pak korrupsion në institucionet e Kosovës në vitin 2013”.

Studentët, të cilët ndjekin studimet në Universitetin e Prishtinës, kërkojnë nga autoritetet kompetente që gjatë vitit 2013 të krijojnë kushte më të mira në fakultetet ku ata studiojnë.

Përveç cilësisë në arsim, ata kërkojnë që sallat ku ata i mbajnë ligjëratat, të jenë më të mëdha, pasi që numri i studentëve në disa fakultete është shumë i madh.

Luan Selimi, student, shprehet:

“Pres ndryshime të mëdha në fakultet. Cilësi. Profesorët të jenë më të rregullt në ligjërata dhe më të vëmendshëm për studentët. Të na japin njohuri më të mëdha”.

Ngjashëm mendon edhe Leonita Fazliu nga komuna e Podujevës, e cila studion në Universitetin n e Prishtinës në Fakultetin Ekonomik.

“Presim të krijohen kushte më të mira për studentët. Sallat ku ne mësojmë të jenë më të mëdha”, pohon Leonita.

Papunësia e lartë në Kosovë ka bërë që të rinjtë të ballafaqohen më së shumti me këtë problem, derisa varfëria është bërë e pashmangshme për shumicën e të rinjve të vendit dhe kjo është pengesë qenësore për përparimin e tyre në cilëndo fushë, thonë ata.

Kastriot Zuka, 25 vjeç, i cili ka përfunduar studimet, tregon se kurrë nuk ka arritur të gjejë punë në profesionin e tij.

“Do të dëshiroja të gjej një vend pune, të ulet papunësia dhe varfëria në Kosovë. Për këtë duhet të punojnë më shumë institucionet e Kosovës”, thotë Kastrioti.

Institucionet e Kosovës, thonë disa të rinj, duhet ta rregullojnë fushën legjislative për të rinjtë dhe duhet të fokusohen në nevojat konkrete që ka rinia.

Ata thonë se ekzekutivi kosovar kujdesin më të vogël po e dëshmon ndaj të rinjve.

Mimoza Mujku thotë që institucionet e Kosovës vetëm premtimet e dhëna gjatë fushatave zgjedhore t’i realizojnë gjatë vitit 2013.

“Premtimet që i kanë dhënë, t’i mbajnë. Më pak premtime më shumë punë. Kanë dhënë shumë premtime e nuk i kanë mbajtur. Do të doja që në këtë vit të punojnë për zvogëlimin e numrit të papunëve, rritjen e mirëqenies sociale”, thotë Mimoza.

Ndryshe, institucionet e Kosovës vazhdimisht kishin deklaruar se do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për krijimin e kushteve sa më të mira të jetesës konform standardeve ndërkombëtare për të gjithë të rinjtë, si në familje, shoqëri, institucione publike dhe ato private.

Buxheti i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Kosovë, në këtë vit ka qenë 18 milionë e 31 mijë euro.

Luljeta Krasniqi - Veseli

krasniqiveseli+gmail.com

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum