E mërkurë, prill 16, 2014 Kosova 21:10

Rajoni

Pritjet e qytetarëve të Maqedonisë

Shkup...
Shkup...
Madhësia e shkronjave - +
Qytetarët e Maqedonisë shprehen skeptikë se viti 2013  do t’u sjellë mirëqenie në planin ekonomik, ndërkohë që shumë pak prej tyre  besojnë edhe në mundësin e zhbllokimit të procesit integrues, me atë që Maqedonia të anëtarësohet  në strukturat euroatlantike.

Ata thonë se politikanët kanë humbur sensin e realitetit, që për një kohë të gjatë mbretëron në Maqedoni, realitet ky që është shumë larg standardeve të familjes evropiane, pjesë e së cilës synon të bëhet Maqedonia.

Nuk besoj  Maqedonia do anëtarësohet në BE, vet situata e tregon atë se tash për tash nuk ka shanse. Kemi shumë papunësi në Maqedoni, kemi shumë padrejtësi, realiteti është krejt ndryshe nga ajo që po tregohet nga politikanët”,  thotë Rahime Fejzullahu, e cila punon si shitëse.

Ajo thot edhe kundrejt shkollimit të kryer, ka humbur shpresat për të ushtruar profesionin e saj, si pasojë e nepotizmit në institucionet shtetërore.

Ajo për politikanët ka vetëm një kërkesë, krijimin e kushteve për vende të reja pune.

Do kisha dëshiruar që politikanët t’i ndihmojnë më shumë popullit, të angazhohen që të rinjtë të mund të punojnë”, thotë Fajzullahu.

Edhe Pajazit Kakruki, shprehet pesimist se 2013 do të jetë vit i kthesave, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.

Me këtë qeveri ashtu si janë duke e udhëhequr, krejt është e kotë. Punësime se do ketë për të rinjtë, nuk ma merr mendja, do presim, ta shohim. Sa ta ketë këtë emër Maqedonia, kurrë nuk mundet të arrijë të anëtarësohet në BE ose NATO”, shprehet ai.

Dime Ancevski, konsideron se duhet të krijohet më shumë hapësirë që të rinjtë të dëshmohen në planin profesional.

Po, duhet krijohet mundësi për të rinjtë. Ata ikin nga shteti, nuk shohin këtu të ardhme, kjo nuk është mirë as për shtetin, as për të ardhmen e gjeneratave të reja”, thotë Ancevski.

Nga ana tjetër, Sami Muca, thotë se shqetësim për politikanët duhet të paraqet rritja e e çmimeve dhe papunësisë njëkohësisht.

Pa marrë parasysh se a rriten ose jo çmimet, është njëjtë sepse nuk ka punë”.

Marika Dunjatoviq, shprehet se mbi të gjitha, udhëheqësit e shtetit duhet të angazhohen për stabilitetin e gjendjes politike dhe uljen e tensioneve.

Para së gjithash dëshiroj që 2013 të sjell paqe, sepse nëse kemi paqe do vijnë edhe paratë në shtet, do mund të krijohen kushte për një të ardhme me perspektivë, në të kundërtën do të mbetemi të robëruar në një rreth magjik vetshkatërrues”, thekson Dunjatoviq.
 
Përderisa gjatë vitit 2013 në Maqedoni pritet të mbahen zgjedhjet vendore, shumica e qytetarëve janë të mendimit se premtimet elektorale nuk janë realizuar, megjithëse kjo, sipas tyre, lë të shpresohet se të paktën gjatë këtij viti politikanët do të jenë më të përgjegjshëm me veprimet e tyre.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum