E dielë, prill 20, 2014 Kosova 10:47

Bota

Zhvillime fascinuese në shkencë e teknologji

Curiosity
Curiosity
Madhësia e shkronjave - +
Gjatë vitit 2012, në fushën e shkencës dhe teknologjisë, ka pasur zhvillimet fascinuese.

Nga sipërfaqja e Marsit e deri te pikat më të thella në Tokë, dhe shkëlqimi nga të reshurat e jashtëzakonshme në malet e Guinesë së Re, pra tri zhvillimet kryesore të këtij viti në shkencë dhe teknologji, kanë lindur në vende të ndryshme.

Por, ajo që është e përbashkët te të gjitha këto zhvillime, është mënyra se si ato i inspiruan dhe i befasuan si shkencëtarët kërkues, ashtu edhe pjesën më të madhe të publikut.


"Curiosity"

Pas më tepër se 8 muaj udhëtim, sonda “Curiosity” e Administratës së Gjithësisë e Aeronautikës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, e njohur me shkurtesën NASA, në gusht të vitit 2012, e bëri njërin nga aterrimet më të komplikuara, jo vetëm në sipërfaqen e Marsit.

E mbushur me pajisje dhe instrumente më të avancuara teknike për kërkime lidhur me mundësinë e ekzistimit të jetës, roboti shkencor me gjashtë rrota nuk dështoi.

“Curiosity” ishte lajm kryesor në muajin shtator kur analizat e rërës i çuan shkencëtarët të konkludojnë se uji, përbërësi kryesor për jetë, njëherë kishte rrjedhur në këtë planet.

Anëtarja e ekipit shkencor të sondës “Curiosity”, Rebecca Williams, ishte ajo që e bëri shpalljen historike.

“Këta gurë që ne po i shohim këtu, me formë të rrumbullakët, ato copëza janë shumë të mëdha që të barten nga era. Konsensusi i ekipit shkencor është se këta janë gurë, që janë transportuar me ujë, me një rrjedhje të fuqishme”, tha Rebecca Williams.


“Grimca e Zotit”

Por, konkurruese e tregimit për sondën "Curiosity" për titullin e ngjarjes kryesore shkencore e teknologjike  në vitin 2012, ishte informacioni dramatik për fizikanët, që me gjasë e kishin zbuluar ekzistencën e të ashtuquajturit “Higgs Boson”, që është një grimcë misterioze, e cila mund ta shpjegoj teorinë se si materia e arrin masën e saj.

Joe Incandela ka bërë hulumtime për këtë grimcë, e cila ndër shkencëtarë është e njohur edhe si “Grimca e Zotit”, në Organizatën Evropiane për Kërkime Bërthamore (CERN) në Zvicër. Ky ishte një program i jashtëzakonshëm me vlerë 10 miliardë dollarë.

Shkencëtari Incandela u tha gazetarëve në muajin korrik se ai dhe kolegët e tij kishin “arritur në brendi të strukturës së universit”.

“Kemi të bëjmë me atë se në këto lloj eksperimentesh, ne i kërkojmë grimcat më të rralla, që janë bërë ndonjëherë. Prandaj, duhet ta keni parasysh se ky është një rezultat shumë preliminar, por ne mendojmë se është shumë i fuqishëm. Është tejet solid, përndryshe, nuk do ta kishim paraqitur”, tha Joe Incandela.

Shqyrtimet e mëpastajme të të dhënave i kanë konfirmuar gjetjet dhe kanë çuar kah prova për grimcën në Modelin Standard të fizikës.

Nëse ndodh që e ashtuquajtura “Higg Boson” nuk është grimca që mund të ndihmojë në zbulimin e ekzistencës së materies së fshehtë, megjithatë ky zhvillim është përshkruar si njëri nga më të mëdhenjtë në fushën e fizikës, në shekullin e fundit.
 

"Big Bang"

Një tjetër zhvillim i nxehtë ndodhi kur shkencëtarët në Laboratorin Kombëtar “Brookhaven” në Shtetet e Bashkuara, e prodhuan temperaturën më të lartë që ndonjëherë e ka krijuar njeriu – duke arritur temperaturën e jashtëzakonshme prej 4 mijë miliardë shkallësh Celsius.

Kjo temperaturë, që është 250 mijë herë më e lartë se ajo në sipërfaqen e Diellit, zgjati vetëm një pjesë të sekondës, pasi shkencëtarët së bashku i shkatërruan jonet e arta gjatë kërkimeve në kuadër të të ashtuquajturit Big Bang (eksplodimi, për të cilin disa shkencëtarë sugjerojnë se e ka krijuar universin).

Bretkosa Paedophryne Amauensis 

Por, shumë larg nga laboratori, shkencëtarët në vitin 2012, po ashtu e kanë konfirmuar zbulimin e kurrizorit më të vogël të njohur, që është një lloj i bretkosës që jeton në malet e Guinesë së Re.

Bretkosa me emrin latin Paedophryne Amauensis është e gjatë vetëm 7.7 milimetra. (f. b.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum