E enjte, tetor 23, 2014 Kosova 13:41

Bota

Vizita e mistershme e Google në Korenë e Veriut

Google
Google
RFE /RL
Departamenti amerikan i Shtetit ka kritikuar planet e kreut ekzekutiv të kompanisë Google, për të vizituar Korenë e Veriut.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Victoria Nuland, ka thënë se koha e vizitës që ka paralajmëruar Eric Schmidt “nuk është e përshtatshme”.

Koreja e Veriut është nën sanksione ndërkombëtare për shkak të provave të saj bërthamore dhe raketore.

Nuland ka thënë se Schmidt dhe ish-guvernatori i Nju Meksikos, Bill Richradson, nëse shkojnë në Phenjan, do të shkojnë si qytetarë privatë dhe nuk do t’i dërgojnë Koresë së Veriut asnjë mesazh të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Ata janë qytetarë privatë dhe mund të udhëtojnë në kapacitet jozyrtar. Ata nuk do të shoqërohen nga ndonjë zyrtar amerikan dhe nuk do të dërgojnë asnjë mesazh nga ne. Megjithatë, ne sinqerisht nuk mendojmë se kjo është një kohë e përshtatshme”, ka thënë Nuland.

Gjiganti i internetit Google nuk ka shpallur zyrtarisht udhëtimin. Por, mediat amerikane kanë cituar burimet e tyre, duke thënë se ai do të realizohet në pjesën e parë të këtij muaji.

Qëllimi i udhëtimit nuk është ende i qartë. Po ashtu nuk është e qartë së kë planifikon të takojë Schmidt, i cili konsiderohet si një figurë udhëheqëse në industrinë e teknologjisë së Shteteve të Bashkuara.

Kompania Google thotë se një pjesë e misionit të saj është të bëjë informatat e botës të disponueshme në të gjitha vendet.

Koreja Veriore është njëri nga shtetet më represive të botës, ku qasja në internet është e bllokuar për shumicën e qytetarëve të saj dhe mediat janë të kontrolluara ashpër nga autoritetet.

Disa raporte thonë se Schmidt mund të shkojë në shtetin e izoluar komunist për një mision humanitar, përkatësisht për të kërkuar lirimin e një qytetari amerikan, i cili është arrestuar nga Phenjani muajin e kaluar.

Nuk ka pasur indikacione se udhëtimi mund të jetë pjesë e një iniciative që ka ndërmarrë lideri verikorean, Kim Jong-un, për të sjellë sa më shumë teknologji në vend dhe për të rritur ekonominë e tij të dobët.

Ish-guvernatori i Nju Meksikos, Richardson, në 20 vjetët e fundit, ka udhëtuar disa herë në Korenë e Veriut, për misione të ndryshme, diplomatike dhe humanitare.

Muajin e kaluar, Phenjani ka kryer një provë të raketës me rreze të gjatë veprimi, e cila është dënuar fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në rajon, Koreja e Jugut dhe Japonia. Koreja e Veriut ka kryer po ashtu teste bërthamore më 2006 dhe 2009.

Kritikët akuzojnë regjimin verikorean se përdor provat si mbulesë për zhvillimin e raketave me rreze të gjatë, të cilat mund të bartin koka bërthamore.

Phenjani është tërhequr vazhdimisht nga bisedimet gjashtëpalëshe për çarmatimin bërthamor në këmbim të ndihmës. Këto bisedime përfshijnë: Korenë e Jugut, Japoninë, Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Në një tjetër zhvillim, është bërë e ditur se rregullatorët e Shteteve të Bashkuara kanë mbyllur hetimet e tyre ndaj kompanisë Google, të cilat janë bazuar në dyshimet për praktika të padrejta të biznesit.

Google, i cili zotëron motorin më të madh në botë të kërkimeve në internet, është akuzuar për mbytjen e konkurrencës në tregjet e telefonave “të mençur”, të tabletave kompjuterike, lojërave dhe reklamave.

Kompania ka rënë dakord që të bëjë disa ndryshime në praktikat e biznesit.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum