E premte, tetor 31, 2014 Kosova 05:49

Aktuale

Më shumë qartësi për IBM-në nga 10 janari

Merdar
Merdar
Pavarësisht protestave të herë pas hershme të serbëve lokalë në veri të vendit, autoritetet kosovare dhe ato serbe e vlerësojnë pozitiv zbatimin e deritashëm të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) në mes të Kosovës e Serbisë.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se ende është duke u punuar në kompletimin e infrastrukturës, por se marrëveshja është jetësuar tashmë në katër “pika kufitare”.

Fisnik Rexhepi, udhëheqës i ekipeve teknike për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, i tha Radios Evropa e Lirë se ka shënuar rritje deklarimi i mallrave që hyjnë përmes pikave kufitare.

“IBM-ja, përveç lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve, intensifikimit të bashkëpunimit në mes të autoriteteve të  të dyja vendeve, ka dhënë rezultate konkrete në drejtim të reduktimit të kontrabandës me mallra dhe ne besojmë që kjo dukuri do të eliminohet në tërësi”, tha Rexhepi.

Marrëveshja për IBM-në pati nisur të zbatohet më 10 dhjetor në Jarinjë dhe në Merdar, ndërsa më 31 dhjetor ajo nisi të gjejë zbatim edhe në vendkalimet kufitare te Dheu i Bardhë dhe në Bërnjak.

E paqartë mbetet, megjithatë, çështja e pagesave doganore.

Pala serbe insiston se me marrëveshjen e arritur dhe asaj për taksa, doganë e akcizë, mallrat që hyjnë përmes pikave doganore në veri, të destinuara për komunat veriore e që nuk e kalojnë peshën prej 3.5 tonëve, lirohen nga pagesat doganore.

Drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për aktivitetet profesionale dhe operative në bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinë, Dejan Paviçeviq, shfaqi shpresën që dilemat dhe paqartësitë ekzistuese për këtë çështje të hiqen brenda takimeve në nivel teknik ndërmjet palëve.

Ai bëri të ditur se këto takime do të nisin më 10 janar-një javë para takimit të organizuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Ivica Daçiq.

Dejan PaviçeviqDejan Paviçeviq
x
Dejan Paviçeviq
Dejan Paviçeviq
“Jam gjithmonë optimist se mund të gjejmë një zgjidhje që mund të jetë e pranueshme për të dyja palët. Rishikimit i zbatimit do të nisë  më 10 dhe do të përfundojë më 17 janar, në mënyrë që zoti Thaçi e zoti Daçiq ta kenë fjalën përfundimtare mbi këtë”, u shpreh Paviçeviq.

Përveç rishikimit të zbatimit të IBM-së, në takimin e radhës Thaçi-Ashton-Daçiq, gjithashtu do të hapet për diskutim çështja e veriut të Kosovës.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum