E enjte, prill 17, 2014 Kosova 15:06

Shtypi botëror

Foreign Policy: 2012, viti i mungesës së lirisë

Madhësia e shkronjave - +
Viti 2012 ishte vit i jashtëzakonshëm për zgjedhje, por nuk ishte vit i jashtëzakonshëm për demokraci, shkruan në fillim të artikullit revista Foreign Policy, në numrin e saj të fundit.

Ne shpeshherë bëjmë gabim në barazimin e demokracisë me lirinë, për t’i zgjedhur liderët tanë, shkruan më tutje revista dhe thekson se kjo situatë konfuze është e kuptueshme, meqë është e pamundshme të imagjinohet demokracia, në të cilën qeveritë punojnë pa miratimin e të qeverisurve.

Zgjedhjet e lira dhe korrekte janë kusht qendror për shoqërinë e lirë. Por ato, poashtu, nuk mjaftojnë për të garantuar liri të vërtetë.

Nëse ndokujt i duhet çfarëdo shembulli, viti 2012 ka ofertë me bollëk.

Supozohej se do të ishte vit ku votuesit do të udhëhiqnin ndryshim. Por, siç kanë shkruar më parë autorët në revistën Foreign Policy, “nëse viti 2011 ishte vit ku qeveritë ishin përmbysur në rrugë, viti 2012 mund të jetë vit ku politikat vlerësohen në vendvotime”.

Një e trata e vendeve të botës kanë mbajtur zgjedhje lokale shtetërore dhe të përgjithshme në vitin 2012, ndërsa katër prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit ntë Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina dhe Franca) në agjendë kanë pasur garën për lidership.

E gjithë kjo duket se ofron potencial të konsiderueshëm për ndryshim, veçanërisht sa i përketë Pranverës Arabe.

Por, pritjet e tilla realisht ende nuk kanë ndodhur, shkruan Foreign Policy, duke theksuar se doli se viti 2012 ishte vit i mirë për ata që janë në poste. Prej atyre katër shteteve udhëheqëse të Kombeve të Bashkuara, vetëm Franca e theu shabllonin, në saje të fitores solide të presidentit të ri, François Hollande.

Kina, natyrisht, preferon të jetë në përgjithësi pa zgjedhje, megjithqë Partia Komuniste pretendon se gëzon mbështetje gjithëpërfshirëse të shtetasve të vendit. Por, mbetet mister se si Pekini këtë e dinë me aq siguri.

Pavarësisht nga kjo, nuk ishte befasi që njeriu, i cili përfundoi në krye në Pekin, Xi Jinping, ishte saktësisht personi, që pjesa më e madhe e popullit priste ta shihte në atë pozitë.

Në Shtetet e Bashkuara, fushata e gjatë dhe e zhurmshme përfundoi me triumfin e presidentit Barack Obama, por, së paku, rezultati ishte larg nga ai i parashikuar, shkruan revista Foreign Policy.

Rusia kishte zgjedhje presidenciale, poashtu. Por, sikur që dikush kishte mundur të priste, doli sikur një shaka. Presidenti i ri-i vjetër, Vlladimir Putin, ende gëzon popullaritet të konsiderueshëm në mesin e rusëve, dhe ai ndoshta do të kishte fituar, megjithqë mendohet se me diferencë më të vogël, edhe sikur votimet të ishin me të vërtetë të lira dhe korrekte.

Por, ai ende e siguron shfrytëzimin e prerogativave të “demokracisë së menaxhuar” të tij, siç është kontrolli i mediave elektronike, goditja ndaj protestuesve dhe burime shumë të larta financiare dhe administrative, për të qenë i sigurt se ai do ta ketë rezultatin që e dëshiron.

Kuptohet se ishin parashikuar akuza të gjëra të kurdisjes së votave në ditën e zgjedhjeve. Por, kjo nuk e ndali Putinin nga pretendimi i mandatit, shkruan Foreign Policy.

Ai kishte pak arsye për tu frikësuar duke e bërë këtë. Opozita ruse është një forcë e pafuqishme, pa liderë të besueshëm. Në vitin 2012, ka treguar se ishte e mirë me masivitetin e demonstruesve të klasës së mesme në qytetet e mëdha, por e varfër në artikulimin e programit politik të kalkuluar për t’i bërë thirrje pjesës më të madhe të votuesve.

Qeveria ende e udhëheq një aparat masiv të sigurisë dhe një gjyqësor të butë. Vetëm shikoni në koreografinë e kujdesshme të procesit gjyqësor të grupit muzikor politik Pussy Riot. Shoqëria civile është e dobët dhe duket se do të qëndroj në këtë pozitë, duke pasur parasysh kufizimet e elaboruara të imponuara në organizatat joqeveritare nga administrata e Putinit vitin e kaluar, shkruan Foreign Policy.

Pjesa më e madhe e atyre që u theksuan për Rusinë, mund të përsëriten për Venezuelën, ku presidenti Hugo Chavez, arriti fitore bindëse në zgjedhjet presidenciale në tetor. Venezuela dallon nga Rusia në atë që e ka krijuar një lëvizje opozitare të besueshme dhe të organizuar mirë, që në zgjedhje ishte udhëhequr nga guvernatori energjik, Henrique Capriles.

Megjithëqë tipi i demokracisë së Venezuelës mund të duket i lirë, ai ende është larg për të qenë korrekt.

Zgjedhjet domosdoshmërish nuk e demokratizojnë shoqërinë, edhe nëse ato janë zhvilluar në harmoni me rregullat demokratike.

Votimet parlamentare në Gjeorgji, vjeshtën e kaluar, janë lavdëruar si kthesë e madhe në progresin e këtij vendi, kur presidenti Mikheil Saakashvili, në mënyrë elegante e pranoi disfatën e partisë së tij nga lideri opozitar Bidzina Ivanishvili. Por, të arriturat e këtij tranzicioni të parë paqësor të autoritetit në historinë e këtij vendi, janë njollosur kur Ivanishvili lëvizi shpejt për të urdhëruar arrestimin e një vargu të aleatëve politikë të Saakashvilit, lëvizje kjo që u pa nga disa vëzhgues si akt i rrezikshëm i hakmarrjes politike.

Ekziston shpresa se Gjeorgjia do ta kapërcejë këtë fërkim dhe do të lëvizë përpara në një rregullim stabil liberal.

Në Egjipt, Vëllazëria Myslimane, e ka shfrytëzuar fitoren e pas Pranverës Arabe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, për ta imponuar vizionin e vet politik në shoqëri, duke e centralizuar autoritetin në presidencë dhe duke e hartuar kushtetutën që e mbronë një qeveri Islamike.

Ky është keqpërdorim i mazhoritetit për demokracinë: duke e fituar pjesën më të madhe të votave, nuk e keni fituar të drejtën për të udhëhequr sikur kalërimi me hosten, mbi të drejat e atyre që nuk kanë votuar për juve.

Çka të bëhet me 10% të egjiptianëve që janë Koptë të Krishterë, ose edhe me grupet më të mëdha të cilat thjesht preferojnë shtet sekular?, pyetet Foreign Policy.

Dikush mund të shpresoj se vetëm në vitin 2013 do të shohim grupe të ndryshme në shoqërinë egjiptiane, që punojnë për kthim në karakterin e përbashkët politik. Nëse kjo nuk bëhet, me gjasë shkatërrimi është para, pavarësisht a ka pasur zgjedhje apo jo.

Në Siri, presidenti Bashar al-Assad, vazhdon ta mbajë me kokëfortësi postin e tij, derisa rivalët e tij nga shumica sunite shpresojnë skajshëm për fitore.

Një fitore e sunitëve është gjithnjë e me më tepër gjasë, derisa luftimet janë dërrmuese, por me gjasë nuk mund të mendohet se po i vjen fundi gjakderdhjes, për shkak të përhapjes së ideologjisë së xhihadit në mesin e revolucionarëve dhe rritja e prirjes për hakmarrje kundër pushtetit të minoritetit Alavit të Assadit.

Perspektiva për demokraci nën kushtet e këtilla është së paku e zymtë.

Me gjasë, ky është përfundimi më pikëllues që doli nga përvoja e vitit 2012.

Përgatiti Fatmir Bujupi