E hënë, dhjetor 22, 2014 Kosova 05:12

Ekonomi

Menaxhim i dobët i financave publike

Ilustrim
Ilustrim
Menaxhimi i financave publike kritikohet ashpër nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë. Ata thonë se paraja publike po keqpërdoret dhe po menaxhohet në mënyrën më të dobët të mundshme, duke krijuar kështu probleme të mëdha ekonomike.
 
Shfrytëzimi i mjeteve buxhetore apo parave të tatim paguesve, sipas profesorit të ekonomisë Bedri Selmanaj, në të gjithë vendet e tranzicionit, përfshirë këtu edhe Kosovën, është bërë në mënyrë të pakoordinuar dhe jo profesionale.

Një pjesë shumë e madhe e mjeteve publike, thotë Selmanaj, shpenzohen përmes prokurimit publik që fatkeqësisht në Kosovë mbetet njëra nga fushat më të korruptuara.

Mjetet publike shpenzohen përmes tenderëve. Tenderët janë problemi kryesorë në të cilat janë ballafaquar të gjitha vendet në tranzicion, kështu që edhe Kosova është duke u ballafaquar me problemin e një fenomeni që ka marrë përmasa të tenderomanisë. Në këtë rast kemi probleme shumë të mëdha. Te fusha e prokurimit publik po zhvillohet mitoja dhe korrupsioni”, thotë Selmanaj për Radion Evropa e Lirë.

Prokurimi publik edhe në raportet vendore dhe ndërkombëtare ishte konsideruar si burim i korrupsionit. Kjo fushë ishte thënë se ka krijuar probleme të mëdha në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në anën tjetër, sipas monitorimeve bërë nga shoqëria civile thuhet se në shumicën e institucioneve publike ka keqpërdorim të parasë publike.

Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në Institutin  Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se menaxhimi i financave publike nga institucionet e Kosovës nuk është transparent dhe i keq menaxhuar.

Nga monitorimi i KDI që e bënë në vazhdimësi në institucionet e Kosovës për menaxhim të parasë publike e në veçanti në sektorin e prokurimit publik, ne kemi vërejtur se ka terren shumë të përshtatshëm për keq menaxhim të parasë publike, sidomos për zhvillim të korrupsionit  për shkak se ende mungojnë njerëz që kanë vullnet për ta luftuar korrupsionin dhe për të mirë menaxhuar paranë publike”, shprehet Mustafa.

Ajo shton se kanë informacione se edhe paratë e donacioneve të ndryshme që vinë për Kosovën po keqpërdoren

“Kemi disa indikacione që edhe në sektorin e bujqësisë vinë shumë donacione nga Banka Botërore  dhe  Komisioni Evropa nuk menaxhohen në mënyrën e duhur, ato para nuk shkojnë te njerëzit relevantë apo te bujqit, pra në përgjithësi kemi mungesë të kontrollit të parasë publike”, bën të ditur Mustafa.

Keqmenaxhimi i parasë publike ka bllokuar absorbimin

Sipas ekspertit të çështjeve të ekonomisë Bedri Selmanaj, nga keqmenaxhimi i parasë publike Kosova nuk ka arritur që të absorbojë as edhe fonde apo donacione nga mekanizmat financiare ndërkombëtarë.

Ai rikujton konferencën e donatorëve ku ishin premtuar mbi 1 miliard euro për Kosovën, e që sipas tij, Kosova nuk ka arrit të merrte nga këto donacione as 40 për qind.

Mjete që janë përcaktuar nga organizatat financiare dhe ndërkombëtare për Kosovën ne nuk jemi në gjendje t’i shfrytëzojmë. Ka shumë arsye për këtë njëra është se nuk mungojnë ide, mungojnë projekte,  mungon ekipi i njerëzve që do të bënin zbatimin  e projekteve dhe që do të dëshmonin para donatorëve që ky projekt do të kryhet në mënyrë të mirë”, thekson ai.

Pavarësisht kritikave të shumta për menaxhim të buxhetit, autoritet kosovare vazhdimisht janë deklaruar se bëjnë menaxhim të duhur të buxhetit dhe se ka transparenca dhe llogaridhënie.

Ata kanë thënë se të gjitha raportet e hartimit dhe ndarjes së buxhetit, pas finalizimit publikohen edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave.

Ndryshe, ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë është miratuar në vitin 2008. Në këtë ligj, “paratë publike” do të thotë paratë ose pasurinë financiare të cilat pranohen dhe janë nën përkujdesjen e një autoriteti publik.

Luljeta Krasniqi - Veseli

krasniqiveseli+gmail.com

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum