E premte, prill 25, 2014 Kosova 00:29

Shtypi botëror

WP: Debati i Senatit mbi politikën e Jashtme të Obamës

Barack Obama
Barack Obama
Madhësia e shkronjave - +
Përzgjedhja e presidentit Obama për ekipin e tij të sigurisë kombëtare mund ta ndihmojë atë për të konsoliduar disa nga politikat që i zhvilloi në mandatin e tij të parë, që nga strategjia e tij për dhënien fund të luftës në Afganistan e deri te varësia e tij në sulmet me avionë pa pilotë në luftën kundër al-Kaedës, shkruan në numrin e sotëm, Washington Post.

Ata do të ngrenë çështje të rëndësishme në lidhje me të tjerët, përfshirë edhe vendosmërinë e tij për të parandaluar shndërrimin e Iranit në shtet bërthamor, po që se është nevoja edhe me mjete ushtarake.

Rrjedhimisht, shkruan WP, seancat e konfirmimit të Chuck Hagel për Departamentin e Mbrojtjes, John Brennan për drejtorin e CIA-s dhe John F. Kerry për Departamentin e Shtetit, mund të ofrojnë një debat të nevojshëm për kahjen e politikës së sigurisë kombëtarë të SHBA-së.

Debati mund të mos ketë këtë kahje, për shkak të akuzave ndaj zoti Hagel, ish senatorit republikan nga Nebraska, se është armiqësor ndaj Izraelit, e madje edhe antisemit.

Nuk ka të dhëna bindëse për të mbështetur këto akuza.

WP shkruan se nuk ka arsye të besohet se Hagel, si shef i Pentagonit nuk do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë ushtarak me Izraelin, siç kanë bërë paraardhësit e tij Leon Panetta e Robert Gates — që gjithashtu kanë qenë kritikë të hapur ndaj politikave të Izraelit herë pas here.

Një çështje tjetër që ka të bëjë me nominimin e Hagelit është mbështetja e tij në të kaluarën për tërheqje të shpejtë nga Afganistani dhe rezistenca e tij ndaj ndërhyrjeve të jashtme.

Pak a shumë, pikëpamje të njëjta ka edhe zoti Kerry, kolegu i tij veteran i Vietnamit, dhe këto koincidojnë me planet e Obamës për mandatin e tij të dytë.

Andaj Senati duhet të gjurmojë dhe debatojë për përfitimet dhe rreziqet potenciale.

Gazeta shtron pyetjet për qëndrueshmërinë e mbrojtjes pas shkurtimeve të mëdha, pastaj nëse Afganistani mund të shmangë një luftë tjetër civile, po që se trupat e SHBA-së tërhiqen shpejt.

Dhe nëse është mençuri nga ana e SHBA-së që të mbetet pasive derisa lufta civile në Siri intensifikohet dhe kërcënon të përhapet te fqinjët.

Pastaj, vë në pah, gazeta, është sfida e Iranit”. Për dallim nga zoti Obama, zoti Hagel ka sugjeruar përmbajtje në lidhje me programin bërthamor të Iranit dhe ka qenë kundër aksionit ushtarak dhe sanksioneve të njëanshme të SHBA-së ndaj këtij vendi.

Në Teheran, emërimi i tij mund të merret si dëshmi se administrata e Obamës nuk do të veprojë, po që se Irani refuzon të frenojë hapat drejt një bombe.

Gazeta pyet nëse Hagel do të mbështesë zgjedhjen e presidentit për masa ushtarake po që se negociatat dështojnë. Kjo pyetje, shkruan WP është më tepër se akademike: qeveria izraelite beson se kah mesi i këtij viti Irani do të arrijë në një pikë pa kthim në programin e tij bërthamor dhe se Izraeli mund të sulmojë vetë, nëse vjen në përfundim se nuk mund të llogari në ndërhyrjen e SHBA-së.

Vetë gazeta, thekson se zoti Hagel nuk ka qenë zgjidhja më e mirë për sekretar të Mbrojtjes për shkak të –pikëpamjeve të tij për buxhetin dhe Iranin, dhe se ka pasur kandidatë më superiorë.

Gazeta thekson se edhe strategjia për luftimin e Al Kaedës në Pakistan, Jemen dhe Somali me avionët pa pilotë nuk është e qëndrueshme.

Arkitekti i kësaj politike, është z Brennan, që si kreu kundër terrorizmit në Shtëpinë e Bardhë, ka mbikëqyrur dhe vetë i ka bërë listat vrasëse ne sulmet me aeroplanët pa pilotë(dronët).

Perspektiva e zhvendosjes së Brenanit në CIA i ofron Kongresit mundësinë që ta rishqyrtojë programin e dronëve.

Por, çështje kryesore, thuhet në artikull, është nëse sulmet me këta avionë duhet të vazhdojnë të jenë përgjegjësi e CIA-s.

Një tjetër pyetje e madhe është nëse kombinimi i tërheqjes së trupave, mosndërhyrjes dhe përdorimi i madh i dronëve do të mbrojë interesat amerikane në Lindjen e Mesme.

Vetë zoti Brennan ka thënë se vetëm sulmet me avion nuk do të shmangin tërë kërcënimin e Al Kaidës, por duhen politika që fuqizojnë qeveritë e brishta si atë të Jemenit dhe të pengojnë shpërbërjen e tjerave si në Irak e Pakistan.

Presidentët kanë të drejtë që të përzgjedhurit për kabinetin e tyre të marrin konfirmimin, po që se ata janë të kualifikuar, dhe asgjë skualifikuese nuk ka dalë për këta tre.

Por, seancat e tyre të konfirmimit ofrojnë një mundësi për Senatit që të peshojë strategjinë e zotit Obama, shkruan WP.

Është me siguri joshëse që të mendohet se Shtetet e Bashkuara mund të tërheqë jo të gjithë, por disa mijëra trupa nga Afganistani, se do të qëndrojë mënjanë në Siri, se do të jenë të përmbajtura në lidhje me Iranin, të kthejnë burimet e SHBA-së në Azi dhe të shmangin çdo kërcënim të vazhdueshëm terroriste me aeroplanët pa pilotë, thuhet ndër të tjera në artikull.

Përgatiti: Albana Isufi