E shtunë, prill 19, 2014 Kosova 21:35

Ekonomi

Papunësia në eurozonë, alarm edhe për Kosovën

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Madhësia e shkronjave - +
Vendet e Bashkimit Evropian të cilat janë duke u ballafaquar më rritje të papunësisë, alarmon edhe Kosovën. Kriza ekonomike që ka goditur vendet e BE-së duke krijuar papunësi të lartë, Kosovën  do të prek në rënie të remtiencave, rënie të investimeve direkte ndërkombëtare si dhe donacionet, bëjnë të ditur ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Rënia e dërgesave nga emigrantët që jetojnë në shtetet e BE-së, sipas ekspertëve do të ndikon në stabilitetin social të qytetarëve të Kosovës, ndërkaq, rënia e investimeve të huaja do të pamundëson hapjen e vendeve të reja të punës.

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku thotë se Kosova nuk mund të jetë imune ndaj lëvizjeve ekonomike evropiane.

Papunësia në eurozonë është treguar si prezencë e një krize ekonomik që vazhdon të qëndron në Evropë dhe kjo krizë ekonomik domosdoshmërish prek edhe Kosovën. Kosova nuk është imune ndaj lëvizjeve ekonomike evropiane. Në rend të parë do të preken investimet e huaja direkte, që në çdo kohë krize kanë shënuar rënie edhe në Kosovë. Remitencat të cilat kanë qenë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës do të shënojnë rënie”, thotë Abdixhiku.
 
Papunësia në bllokun e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian regjistroi rekordin e saj prej 11,8 për qind të forcës së përgjithshme aktive në muajin nëntor 2012.

Ndërkohë, papunësia në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 44.9 për qind.

Papunësia në Kosovë, thotë Abdixhiku do të mbetet në këtë nivel të cilën është aktualisht. Në një vit të vështirë ekonomik në Evropë që do të reflektohet edhe në Kosovë, shprehet ai, nuk do të ketë mundësi të hapjes së vendeve të reja të punës.

Mund kemi më tepër mungesë të investimeve të huaja dhe stagnim të hapjes së vendeve të reja të punës. Nuk pres ndonjë ndikim drejtpërdrejt në rritjen e papunësisë,  por domosdoshmërish në stagnimin e saj dhe kjo është kosto enorme e Kosovës, meqenëse ne kemi një fluks të madh të të rinjve”, shprehet Abdixhiku, duke shtuar se papunësia tek të rinjtë është shumë e larta.

E pamundur të punësohen

Në anën tjetër, qytetarë të Kosovës thonë se ulja e papunësisë është njëra nga çështjet kryesore me të cilat duhet të merren institucionet e Kosovës. Ata tregojnë se e kanë shumë  të vështirë të gjejnë një vend pune, kur ata përfundojnë studimet dhe kur janë të përgatitur për të punuar në profesionin që ata kanë zgjedhur.

Adelina Sopjani 23 vjeç ka përfunduar studimet dhe është e papunë. Sopjani tregon se ka kërkuar vende pune gati në të gjitha institucionet, por ka qenë e pamundur të punësohet.

Është shumë e vështirë të gjesh punë. E përfundon fakulteti dhe nuk arrin të gjesh punë. Për tu punësuar diku duhet të kesh ndonjë familjarë që është në pozitë dhe që të ndihmon. Ka shumë konkurse ku aplikon, por që nuk arrin të punësohesh”, thotë ajo.

Ngjashëm mendon edhe Shkëlqim Gashi.

Nuk ka punë në Kosovë. Është e vështirë. Do të dëshiroja të ndryshohet kjo gjendje ekonomike, të ketë me shumë vende pune”, shprehet ai.

Ndërsa për Lendita Zajmi nuk ka qenë e vështirë të gjendet një punë, për arsye se siç thotë ajo, profesioni i saj është më i kërkueshme dhe ka mungesë të kuadrove në Kosovë.

Varet çfarë fakulteti kë përfunduar, ne kemi të kryer fakultetin elektroteknikës dhe për këtë ka mungesë të kuadrove në Kosovë dhe nuk ka qenë e vështirë të gjejmë punë. Teknologjia e cila është avancuar ka bërë që edhe në Kosovë të ketë nevojë për këtë profesion që unë e kam”, thotë ajo.

Ndryshe, në vitet e fundit në Kosovë, sipas njohëseve të çështjeve ekonomike, nuk ka pasur ulje të shkallës së papunësisë.

Ndërkaq, në tregun e punës në Kosovë hyjnë deri në 35 mijë të rinj, ndërkaq ky treg absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

Luljeta Krasniqi - Veseli

krasniqiveseli+gmail.com

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum