Ndërlidhjet

Doganat në veri të Kosovës, “me të vjetrën”


Një numër i afaristëve serbë të veriut të Kosovës, kanë protestuar sot në këtë pjesë të vendit duke bllokuar rrugën në fshatin Rudare të komunës së Zveçanit, për shkak të, siç u tha, paralajmërimeve të zyrtarëve të doganave të Kosovës për fillimin e doganimit dhe pagesës së tatimeve doganore për mallrat që barten nga Serbia për në Kosovë, në vendkalimet kufitare në veri të vendit.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, citohet t’u ketë thënë një ditë më parë medieve vendore, se që nga 10 janari do të paguhen të gjitha tatimet e parapara me ligj për mallrat që hyjnë në Kosovë.

Që nga 10 janari, ne edhe në vendkalimet kufitare në veri do të punojmë 100 për qind njësoj sikurse edhe në vendkalimet tjera kufitare. Kur flitet për doganat, duhet ta kemi parasysh se për mallrat që kanë prejardhje nga Serbia, nuk do të paguhet dogana, në përputhje me marrëveshjen e CEFTA-s. Por, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe akciza do të paguhen edhe në këto vendkalime kufitare, ashtu sikurse edhe në të tjerat”, citohet të ketë thënë Huruglica në mediet vendore.

Paralajmërime të ngjashme ishin bërë edhe më herët nga zyrtarët e institucioneve të Kosovës, të cilët megjithatë, kishin thënë se do të kenë mirëkuptimin për popullatën serbe në prag të festave të fillim-vitit, duke mos zbatuar doganimin e mallrave që hynin nga Serbia në Kosovë.

Por, pohimet e drejtorit të Doganave të Kosovës, i kanë hutuar afaristët serbë të veriut të Kosovës, të cilët e kishin nisur protestën, por edhe e kishin ndërprerë pas rreth dy orësh, për shkak se, sipas tyre, ato që kishte thënë drejtori i Doganave të Kosovës nuk dolën të jenë të vërteta.

Të paktën, kështu thotë Radosh Petroviq, përfaqësues i afaristëve serbë të veriut të Kosovës.

Tash po kalojnë kamionët dhe nuk po zbatohet doganimi. Kjo na ka hutuar pak, sepse nuk e dinim se çfarë po ndodhë saktësisht. Mbrëmë, drejtori i Doganës së Kosovës, paralajmëroi përmes medieve se që nga sot do të fillojë tërësisht zbatimi i doganimit dhe i taksave për mallrat. Ne për këtë arsye e kishim bllokuar rrugën. Megjithatë, në doganë po kalojnë kamionët me mallra pa akcizë”, tha Petroviq.

Ai ka shtuar se protesta nuk do të ketë deri më 17 janar, kur edhe do të mbahet takimi i paralajmëruar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb Ivica Daçiq.

Nuk do të ketë më protesta deri më 17 janar, deri sa nuk arrihet marrëveshja në Bruksel, në mënyrë që ta shohim se çfarë është ajo dhe si do t’ia bëjmë më tutje”, tha Petroviq.

Me gjithë përpjekjet për të kontaktuar zyrtarët e Doganave të Kosovës, për të marrë shpjegime lidhur me zhvillimet në vendkalimet kufitare në veri, kjo nuk u arrit.

Në anën tjetër, kryeministri serb Ivica Daçiq, javë më parë pati, në bisedimet me shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton në Bruksel, ka kërkuar që deri në raundin e ri të dialogut në mes të Serbisë dhe Kosovës, e që është paralajmëruar për 17 janar, të mos paguhen doganat dhe të mos pengohet qarkullimi i mallrave që shkojnë në veri të Kosovës.

Ai gjithashtu, pati thënë se duhet të respektohen edhe obligimet e Beogradit, që të mos keqpërdoret malli që shkon në veri.

Ndryshe, të enjten në Bruksel janë takuar grupet e ekspertëve nga Prishtina dhe Beogradi, për ta përgatitur terrenin për takimin e paralajmëruar për 17 janar ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit.

Por, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, pati theksuar se grupet punuese, nuk mund të marrin asnjë vendim, përveç trasimit të rrugës për vendimet që do t’i marrin kryeministrat e të dyja vendeve.

Duhet të presim që të shohim çfarë do të ndodhë më 17 janar. Grupet punuese duhet ‘ua përgatisin kryeministrit të Serbisë dhe bashkëbiseduesit të tij, atë që në një të ardhme do të jetë e mundur të realizohet në vendkalimet kufitare”, ka thënë Vulin.

Sido që të jetë, pavarësisht marrëveshjeve të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për pagesat e tatimeve në vendkalimet kufitare, serbët e veriut kanë paralajmëruar se nuk dëshirojnë t’ua paguajnë tatimet institucioneve të Kosovës, përveç se atyre të Beogradit.
XS
SM
MD
LG