E enjte, shtator 18, 2014 Kosova 17:41

Aktuale

Vritet një pilot francez në luftimet në Mali

Mali...
Mali...
RFE /RL
Qeveria e Malit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në nivel vendi, derisa po lufton me kryengritësit islamikë në veri të vendit.

Franca ka njoftuar se iu ka bashkuar ofensivës dhe se avionët francezë kanë bombarduar luftëtarët rebelë.

Ministri i Mbrojtjes i Francës, Jean-Yves Le Drian tha se një pilot i një helikopteri francez është vrarë në luftimet kundër kryengritësve islamikë në shtetin perëndimor të Afrikës.

Ai nuk sqaroi nëse helikopteri i pilotit ishte qëlluar.

Le Drian tha se avionët luftarakë francezë kanë vazhduar sulmet ajrore kundër forcave islamiste.

Ai tha se qindra trupa franceze po marrin pjesë në operacion dhe po e mbrojnë kryeqytetin e Malit, Bamakon.

Ndërkohë, kryeministri francez, Jean-Marc Ayrau ka arsyetuar përfshirjen e Francës.

Presidenti i republikës i është përgjigjur kërkesës së predientit të Malit sipas ligjit ndërkombëtar. Franca ka nisur një ndërhyrje ushtarake krahas forcave të Malit dhe atyre afrikane për të ndaluar përparimin e forcave terroriste, të cilat po kërcënonin integritetin e Malit, por, edhe sigurinë dhe stabilitetin e tërë rajonit. Franca dëshiron që të kontribuojë në këtë mënyrë për të ndaluar kërcënimin terrorist, që nuk po e kërcënon vetëm Malin, por edhe Francën dhe Evropën”, u shpreh Ayrault.

Raportet thonë se forcat qeveritare dhe franceze ia kanë dalë që të zmbrapsin kryengritësit nga qyteti qendror i Konnas.

Në Uashington, zyrtarët amerikanë thanë se Pentagoni po shqyrton sigurimin e mbështetjes logjistike, të inteligjencës dhe mbështetjes tjetër për forcat franceze të përfshira në luftime.

Presidenti i Malit, Dioncounda Traore të premten shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe konfirmoi se ka kërkuar mbështetje ajrore nga Franca, që dikur ishte kolonizatore e Malit.

Presidenti francez Francois Hollande tha se Franca nuk mund ta lejojë të pasfiduar atë që ai e quajti “agresion” nga “grupet terroriste, trafikantët e drogës dhe ekstremistët”.

Në adresimin e tij në televizion shtetëror, presidenti i Malit, Traore akuzoi kryengritësit se po përpiqen të imponojnë “diktaturë të Mesjetës që ta kujton obskurantizmin” dhe iu kërkoi të gjithë qytetarëve që të mobilizohen për ta luftuar këtë kërcënim.

Qeveria e Malit ka marrë vendim që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për tërë territorin kombëtar. Çdo qytetar i Malit, grua apo burrë, duhet ta konsiderojë veten një ushtar të kombit dhe ashtu edhe të veprojë”, është shprehur ai.

Kriza është shkaktuar që nga grusht-shteti o marsit të vitit 2012. Pas destabilitetit, rebelët sekularë tuaregë pushtuan veriun e Malit. Islamikët shfrytëzuan përparësinë e vakuumit të sigurisë për të grabitur pushtet në veri.

Pushtimi i Konas në këtë javë, ka rritur frikën se kryengritësit mund të përparojnë në jug dhe se së shpejti do të mund të kërcënojnë qytetet tjera.

Të enjten, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dënoi pushtimin e Konnas, dhe iu kërkoi vendeve anëtare të OKB-së që të ndihmojnë Malin në reduktimin e kërcënimit të shkaktuar nga ato që i quajti “organizata terroriste dhe grupe të ndërlidhura”.

Këshilli i Sigurimit në muajin dhjetor autorizoi një forcë afrikane, të mbështetur nga shtetet evropiane, që të ndihmojë forcat e Malit për të rimarrë pjesë të rajonit verior.

Zyrtarët thanë se trupat nga Nigeria dhe Senegali tashmë kanë arritur në Mali.

Ministri i jashtëm francez Laurent Fabius konfirmoi të premten se aeroplanët franceze kanë kryer sulme në mbështetje të qeverisë.

Fabius akuzoi kryengritësit se po kërkojnë që të shtrijnë kontrollin në tërë Malin dhe të ngulisin atë që e quajti një “shtet terrorist” në vendim me më shumë se 14 milionë banorë.

Në komentet e tij, presidenti francez, Francois Hollande nuk dha indikacione për shkallën e përfshirjes së ushtrisë franceze, por tha se ndërhyrja e Francës do të zgjasë për aq sa të ketë nevojë.

Ai tha se gjendja aktuale po e vë në dyshim ekzistencën e Malit.

Mali po konfrontohet me një agresor, nga elemente terroriste që vijnë nga veriu, nga brutaliteti dhe fanatizmi, që e njeh tërë bota. Andaj, sot, vetë ekzistenca e shtetit, një miku, Malit, siguria e popullatës së tij dhe të shtetasve tanë, po minohet”, tha Hollande.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Victoria Nuland tha se Uashingtoni është në kontakt me Francën, por nuk dha detaje se çfarë ndihme mund të ofrojë SHBA-ja.
       
Ne e kuptojmë se Franca ka ofruar mbështetje ushtarake për forcat e amrtosura të Malit me kërkesë të qeverisë së Malit. Ne po konsultohemi ngushtë me qeverinë e Francës”, u shpreh Nuland.(a.i.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum