E mërkurë, tetor 01, 2014 Kosova 14:13

Rajoni

Kontesti për emrin hyn në fazë serioze

Maqedonia hyn në një fazë serioze të bisedimeve për zgjidhjen e kontestit për çështjen e emrit me Greqinë, i cili ka një historik dy dekadash, por zgjidhja megjithatë nuk do të ndodh brenda këtij viti, theksojnë analistët për marrëdhënie ndërkombëtare Denko Malevski dhe Mersel Billalli.

Realisht mendoj se të gjitha parametrat shkojnë në drejtim të asaj se ky  proces hyn në fazën e zgjidhjes. Unë nuk do të kisha thënë se do të zgjidhet, por hyn në fazën serioze të zgjidhjes, sepse një marrëveshje që pres të pasojë tani, do të jetë e përcaktuar në faza të ndryshme”.

Kështu që unë pres që gjatë dy muajve të ardhshëm të kemi një dokument konkret, i cili do të jetë bazë se cilat janë pikënisjet e palëve për zgjidhjen e çështjes së emrit”, thkeson Mersel Billalli ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare.

Ai me këtë rast nënvizon se zgjidhja e kontestit 20 vjeçar me Greqinë do të realizohet përmes disa fazave që mundëson dhe zhbllokimin e procesit integrues të Maqedonisë.

Në fazën e dytë do të konkretizohen shumë probleme dhe pastaj pason faza e fundit kur dhe do të hyj në fuqi përdorimi i emrit. Mendoj se shumë më shumë ka shanse që çështja e emrit të hyjë në procedurën serioze të zgjidhjes, se sa edhe më tej të pasojë periudha e stagnimit sepse ky stangnim më nuk mund të arsyetohet në asnjë forum, as të BE-së e as të NATO-s”, thotë Billalli.

Nga ana tjetër, me doza më të ulëta të optimizmit, flet ish diplomati Denko Malevski .

Sipas tij,  Maqedonia hyn në një fazë të rëndësishme sa i përket mbylljes së kontestit me Greqinë.

Ai thekson se për momentin është me rëndësi të flitet hapur, ashtu siç bën dhe Greqia për idetë me të cilat hyhet në negociata njëherësh të përcaktohen vijat e kuqe.

Nuk besoj se pason një debat serioz lidhur me propozimet që janë hedhur si ide në tavolinën e ndërmjetësuesit të OKB-së Matheë Nimetz, edhe pse më duhet të theksoj se kyçja e opinionit më të gjerë në zgjidhjen e kontestit përforcon më shumë pozicionet e palës maqedonase”, shprehet ish diplomati Denko Malevski.

Ai shton se faza e dytë e bisedimeve do të jetë faza më e vështirë, ngase në atë fazë pavarqsisht insistimit të Maqedonisë që të mos preket çështja e identitetit, kjo nuk mund të anashkalohet për shkak të pozicionit të fuqishëm që ka Greqia tanimë si anëtare e BE-se dhe NATOS-s , struktura ku synon të anëtarësohet Maqedonia.

Unë personalisht nuk besoj se Greqia do të heq dorë nga tema e identitetit që në esencë paraqet dhe shtyllën bazë të kontestit mes Greqisë dhe Maqedonisë lidhur me emrin".

"E gjithë mençuria nga pala maqedonase qëndron në sa do të dëshmojë zotësi për të shëruar plagët nga tronditjet e brendshme politike, për t’u fokusuar me seriozitet të gjitha forcat relevante politike në zgjidhjen e kontestit me Greqinë”. shprehet Malevski.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum