E hënë, korrik 28, 2014 Kosova 18:25

Ekonomi

Anëtarësimi në OBT, në status-quo

Ende nuk ka asnjë risi se deri ku kanë arritur përgatitjet për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Edhe pse përgatitjet për këtë proces kanë filluar vite më parë, zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë,  thonë se procesi ka mbetur aty ka qenë vitin e kaluar.

Vitin e kaluar autoritetet kompetente ende nuk kishin vendosur se në çfarë modaliteti do të aplikojnë për anëtarësim në këtë organizatë. Dilemat ishin në mes të anëtarësimit të rregullt dhe shtetit vëzhgues për një periudhë fillimisht pesë vjeçare.

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) është një organizatë ndërkombëtare me qendër në Gjenevë të Zvicrës, e cila merret me nxitjen dhe vënien në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.

OBT ka autoritetin të administrojë dhe mbikëqyrë marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe praktikat tregtare botërore, si dhe të shqyrtojë dhe rregullojë mosmarrëveshjet tregtare midis vendeve anëtare.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, konsiderojnë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të neglizhojë këtë çështje, pasi është me interes të veçantë për vendin anëtarësimi në këtë mekanizëm, posaçërisht tashmë kur Kosova është bërë anëtare në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, shprehet se pas anëtarësimit në këtë mekanizëm, përfitimet e komunitetit të biznesit në të ardhmen do të jenë të mëdha.

Fuqia e bizneseve kosovare dhe ekonomisë se saj në përgjithësi në krahasim me konkurrencën e ashpër dhe të fuqishme që është nga vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë është e vogël”.

Por, ne kur flasim për integrime, ne nuk flasim për gjeneratat e sotme, por flasim për gjeneratat e ardhshme, të cilat pretendojmë  që t’i lëmë një ekonomi më të qëndrueshme dhe një ekonomi të integruar në mekanizmat ndërkombëtarë”, thekson Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, thekson se edhe pas anëtarësimit nuk duhet pritur ndonjë  mrekulli, por sipas tij, përfitimet do të jenë më të mëdha në aspektin politik, se sa në atë ekonomik.

Anëtarësimi në OBT, tregon se një vend është serioz dhe ndikon pozitivisht në inkurajimin e investimeve të huaja, çka Kosova ka jashtëzakonisht nevojë. Sa i përket përfitimeve të vendeve të vogla, nga ky anëtarësim nuk mendoj se duhet pritur mrekulli, pasi që dihet se kjo organizatë kryesisht mbron interesat e shteteve dhe fuqive të mëdha ndërkombëtare siç janë , SHBA, Bashkimi Evropian, Rusia, Kina, dhe vendet e tjera”, shprehet Gashi.

Megjithatë, Gashi, konsideron se pas pranimit të Kosovës në OBT, në aspektin ekonomik do të forcohet partneriteti ndërkombëtar më partnerët tregtarë të vendeve të ndryshme të botës.

Unë mendoj se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë duhet të marrë më seriozisht përgatitjen e Kosovës për anëtarësimin në Organizatën Botërore të Tregtisë, apo siç e njohim ne, si OBT, për arsye se anëtarësimi nuk nënkupton vetëm aplikimin, por kupton edhe përgatitjen e një legjislacioni të mirëfilltë i cili është në harmoni më rregullat ndërkombëtare të tregtisë se lirë”, thotë Gashi . 

Organizata Botërore e Tregtisë ka filluar punën në vitin 1995. Aktualisht në këtë organizatë bëjnë pjesë 158 vende të botës, kurse rreth 30 të tjera janë në proces të anëtarësimit.

Vitin e kaluar Taxhikistani i është bashkuar kësaj organizate, pas 11 vjetësh negociatash për anëtarësim.

Nadie Ahmeti

nadie.ahmeti+gmail.com

Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum