Ndërlidhjet

Presionet ndaj mediave në Maqedoni


Ilustrim
Ilustrim
Mediat në Maqedoni ndodhen në gjendje shumë të rëndë në kryerjen e veprimtarisë së tyre të informimit objektiv dhe fajtor kryesor për këtë janë partitë politike, qofshin në pushtet apo opozitë.

Kështu, thotë kryetari i shoqatës së gazetarëve, Naser Selmani duke komentuar zhvillimet e fundit në raport me mediat; protestat e një dite më parë të opozitës para dy televizioneve kombëtare në Shkup si dhe dëbimin me dhunë të gazetarëve nga salla e Kuvendit, ditën kur u dëbuan edhe deputetët e opozitës.

Indikatori më i qartë se çfarë ndodhë me mediat në Maqedoni ishte incidenti që ndodhi në Kuvend. Ky incident dëshmoi se këtu nuk respektohet liria e medias, se media shikohet si armik, veçanërisht kur ato duhet të ndjekin ngjarje, të përcjellin informacione që nuk i pëlqejnë pushtetit e kështu me radhë”, thotë Selmani.

Ai nuk pajtohet as me veprimin opozitës për të protestuar para mediave për shkak të informimit të tyre të një anshëm, pasi sipas tij, partitë luajnë në role të dyfishta varësisht pozicionit të tyre.

Partitë kur janë në pushtet nuk kanë problem me median sepse e kontrollojnë dhe e keqpërdorin për interesat e tyre. Mua më vjen keq që tani opozita rebelohet kundër disa mediave kurse kur vjen në pushtet atëherë raportet e tyre janë shumë të mira”, thekson Selmani.

Roberto Beliçanec, nga qendra për zhvillimin e mediave thotë se të gjithë faktorët në vend duhet të japin kontributin e tyre për ngritjen e nivelit të informimit dhe ruajtjen e pavarësisë së mediave pasi gjendja në të cilin ndodhen ato është shqetësuese.

Qeveria ndërmori gjithçka që dëshironte të bëjë, vendosi kontroll total mbi mediumet. Ajo duhet t'i liroj nga reklamat shtetërore, duhet të ndaloj që t'i blej, duhet t'i lejoj të punojnë pasi vetëm kështu do të zgjidhej problemi. Ajo në veçanti ka përgjegjësi për punën e servisit publik, i cili, në vend që të punojë ashtu siç duhet, është shndërruar në instrument të saj”, thotë Beliçanec

Ai gjithashtu nuk pajtohet me formën që një ditë më parë zgjodhi opozita për të protestuar kundër para mediave të caktuara me arsyetimin e shtrembërimit të së vërtetës nga ana e tyre për zhvillimet në vend.

Vetëm qytetarët, thotë Beliçanec, mund të protestojnë para mediave, ndërsa partitë duhet të krijojnë kushte për funksionimin e tyre normal.

Nuk mendoj se mediumet duhet të jenë cak i protestave politike. Ato mund të jenë vetëm në shënjestër të protestave qytetare, nëse nuk janë të kënaqur me punën e tyre. Mendoj se opozita nuk ka gjet mënyrën më të mirë pasi nuk është veprim i mirë që protestohet para mediumeve”, shprehet Roberto Beliçanec.

Nga ana tjetër, kryetari i shoqatës së gazetarëve, Naser Selmani thotë shoqata nuk do të vazhdojë bisedimet me qeverinë për zgjidhjen e problemeve në fushën e medias derisa nuk zbardhet rasti me dëbimin e gazetarëve me dhunë nga Kuvendi.

Selmani thotë se nëse nuk zbardhet rasti, kjo do të ketë pasoja edhe për procesin e integrimit euroatlantik të vendit pasi Maqedonia për marrjen e datës për bisedime me BE-në, është e kushtëzuar edhe me garantimin e lirisë së mediave në vend.
XS
SM
MD
LG