E hënë, shtator 22, 2014 Kosova 06:12

Aktuale

Dokumentet e Beogradit, të papranueshme për Prishtinën zyrtare

Ndërtesa e qeverisë së Kosovës, foto nga arkivi
Ndërtesa e qeverisë së Kosovës, foto nga arkivi
Dokumentet që dalin nga Qeveria dhe Kuvendi i Serbisë dhe që kanë të bëjnë me Kosovën dhe rregullimin e saj të brendshëm, janë të papranueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Këshilltari i lartë i kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, se këto dokumente do të jenë jo-relevante.

“Qasja jonë ndaj këtyre dokumenteve do të jetë e tillë që nënkupton se në takimin e Brukselit, nëse vihen në tavolinë, do të jenë plotësisht të papranueshme dhe jo relevante. Ne jemi të bindur se edhe baronesha Ashton ka të njëjtin qëndrim siç e kemi edhe ne”.

“Ato dokumente që i ka prodhuar Serbia janë për konsum të brendshëm dhe në asnjë moment nuk do të bëhen pjesë e bisedimeve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”
, tha Çollaku.

Ai është i mendimit se rezoluta për Kosovën, të cilën Kuvendi i Serbisë e ka miratuar më 12 janar, nuk mund të pengojë në asnjë formë dialogun politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Theksi i dialogut që zhvillohet në Bruksel nuk ka asgjë të përbashkët me dokumentet që miratohen në Serbi. Agjenda dhe temat janë përcaktuar më herët të diskutohen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, janë të parapërcaktuara dhe nuk do të ketë devijim nga ajo agjendë që është miratuar qysh në fillim të këtij procesi”, theksoi Çollaku.

Edhe kryesia e Kuvendit të Kosovës i ka kundërshtuar dokumentet, të cilat i ka miratuar Qeveria dhe Kuvendi i Serbisë.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, deklaroi se askush nga pala shqiptare në dialogun politik me Serbinë, nuk duhet të jetë në presionin e vazhdueshëm të detajeve apo çështjeve teknike, të cilat mund të dalin. Haliti tha se konsideron që nxjerrje e atyre dokumenteve nga Serbia, nuk ka kurrfarë ndikimi për Kosovën  

“Shumë herë, këtë rast edhe Serbia ka bërë rezoluta të njëpasnjëshme, deklarime të njëpasnjëshme, lëvizje të mëdha, të fuqishme popullore dhe populiste ndonjëherë, për të ushtruar presion ndaj bashkësisë ndërkombëtare, nganjëherë për t’i arsyetuar veprimet e veta para opinionit të vet publik. Unë jam i bindur që Serbia do të përpiqet me çdo kusht që të kërkojë dhe të arrijë qëllimet e veta, në këtë rast edhe ne do të luftojmë bashkërisht të gjithë që t’i realizojmë qëllimet tona”, tha Haliti.

Kurse, Ismet Beqiri, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se pala kosovare në asnjë moment nuk duhet të pranojë që të flasë apo lejojë paraqitjen e rezolutës serbe në dialogun politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

“Platforma dhe rezoluta serbe për ne nuk janë obligative. Nëse pala serbe e vë rezolutën në tavolinë, ne duhet t’i themi fute në xhep e merre me vete dhe ktheje në Serbi, te qytetarët dhe Kuvendi, se ai është dokument i pavlefshëm dhe këtë duhet t’ua thotë zoti Thaçi”, u shpreh Beqiri, pas mbledhjes e Kryesisë së Kuvendit.

Nga ana tjetër, gjatë mbledhjes së Kryesisë të hënën, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje,  kërkuan nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme, ku do të debatohej lidhur me platformën serbe.

Vetëvendosje tha se para takimit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, më 17 janar në Bruksel, do të duhet të debatohet për ketë çështje në Kuvendin e Kosovës. Kërkesë e Vetëvendosjes nuk është miratuar në kryesi për faktin, që, siç u tha, kërkesa nuk është protokolluar me kohë dhe se për të nevojitet 40 nënshkrimet e deputetëve.

Analistët në Kosovë vlerësojnë se dokumentet e miratuara në Beograd për Kosovën, nuk mund të ndikojnë shumë në dialogun e paralajmëruar politik Prishtinë - Beograd.

Ata thonë se me gjithë kundërshtimet nga Prishtina zyrtare, rezoluta e ka domethënien e vet, për vetë faktin se është një pozicion nismëtar, të cilin nuk e ka pala kosovare.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum