E dielë, nëntor 23, 2014 Kosova 06:48

Rajoni

Maqedoni: Përplasje për zgjedhjet

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Pas përgjigjes negative të kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ndaj kërkesave të opozitës maqedonase, kryesuar nga lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, që bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen dhe ato parlamentare , opozita mbetet në qëndrimin se nuk do të kthehet në Parlament dhe se do t`i bojkotojë zgjedhjet.

Opozita thotë se nuk ka as kushte minimale që zgjedhjet e marsit të jenë fer dhe demokratike pas zhvillimeve të 24 dhjetorit, edhe përkundër asaj se vetë kryeministri Gruevski është zotuar se është i gatshëm të shumëfishojnë monitorimin e procesit zgjedhor.

Njëjtë si kryeministri Gruevski, u shpreh dhe partneri shqiptar i koalicionit qeverisës lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, duke theksuar se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“BDI-ja në aktivitetin e saj 10-vjeçar ka dëshmuar se gjithmonë kur ajo organizon zgjedhje të cilitdo nivel, ato janë të qeta, fer dhe demokratike. Edhe këtë radhë, BDI-ja merr përgjegjësi të lartë morale dhe politike për të garantuar zgjedhje, në të cilat do të implementohen standardet më të larta të rekomanduara nga OSBE/ODIHR”, tha Ahmeti, pas mbajtjes së takimit të kryesisë qendrore të kësaj partie, me ç’rast është definuar lista e kandidatëve, të cilët do të garojnë për kryetar komune.

Ndërkaq, dy partitë shqiptare në opozitë, PDSH-ja dhe RDK-ja vlerësojnë se nuk është në favor të zhvillimeve demokratike bojkoti i procesit zgjedhor.

Analistët politikë konsiderojnë se bojkoti i frontit të opozitës maqedonase do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.

“Nëse zgjedhjet e ardhshme vendore mbahen pa opozitën maqedonase, atëherë humb demokracia në vend, me këtë humbet dhe besimi i qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore , andaj duke pasur parasysh se vendin e presin shumë sfida, si në planin e brendshëm, ashtu dhe atë ndërkombëtar, partitë politike duhet të heqin dorë nga interesat e ngushta partiake dhe të arrijnë ujdi për të qenë pjesë e procesit zgjedhor, sepse mbajnë përgjegjësi politike si VMRO DPMNE-ja, ashtu edhe LSDM-ja”, vlerëson politologu maqedonas, Zdravko Saveski.

Ai thotë se dorashka i është hedhur opozitës me vetë faktin se pushteti ka pranuar prezencën e shtuar të faktorit ndërkombëtar për të monitoruar zgjedhjet vendore.

Saveski, madje, konstaton se opozita maqedonase duhet të jetë më e kujdesshme me kërkesat, ngase ato mund të kthehen në disfavor të saj.

Zdravko SaveskiZdravko Saveski
x
Zdravko Saveski
Zdravko Saveski
“Duke parashtruar kërkesa të mëdha, të cilat nuk ka mundësi t’i realizojë pushteti për shkak të rrethanave të caktuara, opozita maqedonase e ngushton hapësirën për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme dhe kjo mund t’i kthehet si bumerang duke bllokuar pjesëmarrjen në zgjedhje, me këtë do të humbë dhe mundësinë që të drejtojë komunat që për vite janë bastion i LSDM-së”, thotë Saveski.

Nga ana tjetër, Jonuz Abdullahu, nga Fakulteti i Administratës Publike në Universitetin e Evropës Juglindore, në Tetovë, konsideron se bojkoti i opozitës vë në pikëpyetje funksionimin e decentralizimit të pushtetit vendor që edhe ashtu funksionon me shumë probleme.

Abdullahu përkujton se bojkoti i zgjedhjeve nga një bllok politik nuk është diçka e re për Maqedoninë, pasojat e të cilit bojkot u ndjenë për kohë të gjatë.

“Opozita maqedonase atë kohë, VMRO DPMNE, gjatë vitit 1994 i bojkotoi zgjedhjet parlamentare , dhe po VMRO DPMNE-së i kushtoi shumë ajo që nuk mori pjesë në procesin e politikë-bërjes në shtet. Çmim, po ashtu, të lartë ka paguar edhe LSDM-ja, e cila kishte monopol absolut në vendimmarrje dhe njëherësh në procesin e politikë-bërjes. Në realitet, kjo ndikoi në ngecjen e proceseve demokratike të vendit që solli dhe një gjendje kaosi në atë periudhë. Pasojat e kësaj u ndjenë dhe kohën e konfliktit të armatosur gjatë 2001-shit në Maqedoni”, thekson Abdullahu .

Analisti Abdullahu shton se megjithatë shpreson që opozita maqedonase nuk do t’i rreket sërish kësaj rruge që nuk është në favor të proceseve demokratike të vendit:

“Bindja ime është se opozita maqedonase ende do të kalkulojë me atë që zgjedhjet e ardhshme lokale mos t’i bojkotojë . Në këtë drejtim, ndaj bindjen se faktori ndërkombëtar do të ndikojë që në zgjedhjet lokale të përfshihet edhe opozita maqedonase”.

Ndryshe, të dielën partia e Branko Cërvenkovskit, përmes nj komunikate me shkrim, ka përsëritur qëndrimin se “vetëm zgjedhjet parlamentare janë shansi për zgjidhjen e situatës. Sipas kësaj partie, me ngjarjet para dhe gjatë 24 dhjetorit, qeveria e varrosi debatin institucional politik, shkeli Kushtetutën, ligjet, rregulloren, procedurat dhe praktikisht e pezulloi demokracinë parlamentare.

LSDM-ja konsideron se do të ishte naive që të shtiremi se pushteti, i cili keqpërdor në këtë mënyrë institucionet, mundet apo dëshiron të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Ndërkaq, kryeministri Nikolla Gruevski është shprehur i vendosur se zgjedhjet do të mbahen më 24 mars, kur edhe janë caktuar, duke garantuar monitorim të theksuar të faktorit ndërkombëtar.

“VMRO DPMNE angazhohet për zbatimin e zgjedhjeve të rregullta lokale. Ato janë obligim yni, ato janë obligim ligjor dhe ajo që qytetarët presin. Ne do të jemi të përkushtuar në tërësi siç kemi qenë edhe në të kaluarën që të kemi zgjedhje të ndershme dhe demokratike, ku qytetarët me vullnet të lirë, do të përcaktohen për kryetar komune, të cilit i besojnë më shumë”, është shprehur Gruevski.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum