E hënë, nëntor 24, 2014 Kosova 10:16

Shtypi botëror

WSJ: NATO-ja e ngujuar në Kosovë

NATO në Kosovë - foto nga arkivi
NATO në Kosovë - foto nga arkivi
Katërmbëdhjetë vjet që prej hyrjes së ushtarëve të Aleancës Veriatlantike në Kosovë, për t’i dhënë fund luftimeve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, fundi i misionit nuk duket gjëkundi, shkruan në numrin e sotëm Wall Street Journal.

Situata e brishtë në veriun e dominuar nga serbët, dështimi i forcës policore të Bashkimit Evropian për të përfituar mbështetjen e popullatës dhe kufizimet në institucionet e Kosovës, të cilat edhe ashtu kanë mjete të pakta, kanë bërë që misioni i NATO-s në Kosovë të numërojë ende mbi 5, 500 trupa, përfshirë këtu edhe 700 rezervë, shkruan gazeta. 

Duke rikujtuar përplasjet në veri në verën e vitit 2011 dhe shqetësimet pas zgjedhjes së Tomisllav Nikolliqit në krye të Serbisë vitin që shkoi, WSJ shkruan se këto ngjarje kanë bërë që NATO-ja të mos e zvogëlojë praninë e saj në Kosovë dhe që madje as bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk kanë arritur të qetësojnë shqetësimet për sigurinë e këtij vendi.

NATO-ja ka folur edhe për ribalansimin e misionit, duke dashur të përqendrohet më shumë në veriun e trazuar, aty ku, siç shkruan gazeta, pakica serbe bllokon rrugët në përpjekje për të penguar çdo lëvizje të autoriteteve në Prishtinë, por edhe të NATO-s. 


Ndonëse një vendim më i prerë mbi këtë çështje mund të pritet në takimin e ministrave të NATO-s në muajin shkurt, WSJ citon një zyrtar të ketë thënë se çështja e numrit të forcave në terren nuk pritet të jetë në agjendë.

Gazeta citon zëdhënësen e aleancës, Oana Lungescu, të ketë thënë se “çdo vendim duhet të miratohet në bazë të udhëzimeve që vijnë nga autoritetet ushtarake të NATO-s, e të cilat natyrisht se do të jenë të bazuara në informacionet që arrijnë nga terreni”.

Zëdhënësja e NATO-s ka thënë për gazetën gjithashtu se situata është më stabile, por është qartazi e brishtë, posaçërisht në veri.

Privatisht, disa zyrtarë të NATO-s janë ankuar se një pjesë e problemit është vetë misioni EULEX – ose thënë më mirë vendet anëtare që financojnë misionin prej 2,097 vetash.

Ka pasur pakënaqësi me shkurtimet prej 25 për qind që janë bërë vitin e kaluar në këtë mision, ndonëse gazeta shkruan se ka edhe të tillë që thonë se  qeveritë që qëndrojnë prapa këtij misioni kanë mungesë të vullnetit politik për ta adresuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikimin me njerëz, fenomene këto nga të cilat lëngon Kosova, posaçërisht veriu i saj.

WSJ në fund rikujton se Kosova, e cila pavarësinë e shpalli në shkurt të vitit 2008, është shteti që fiton më së shumti asistencë në botë nga Bashkimi Evropian për kokë banori.

Përgatiti: Arbana Vidishiqi