Ndërlidhjet

Lojtarët e politikës së jashtme në Kongres


Uashington...
Uashington...
Kur Kongresi të nisë sesionin e ri në këtë muaj, dy komisione kryesore, që merren me punët e jashtme, do të udhëhiqen nga dy ligjvënës, që mund të sfidojnë Shtëpinë e Bardhë mbi disa fronte të politikës së Jashtme, përfshirë sanksionet e Iranit dhe strategjinë amerikane në Kaukaz.

Senatori demokrat, Robert Menendez (New Jersey), pritet ta udhëheqë Komisionin e Senatit për relacione me jashtë, duke zëvendësuar të nominuarin e presidentit Barack Obama për sekretar të Shtetit, John Kerry.

Përfaqësuesi republikan, Ed Royce (California), është udhëheqës i ri i Komisionit të Kongresit për Punë të Jashtme, tash kur ka skaduar mandati i Ileana Ros-Lehtinen.

Edhe Menendez edhe Royce kanë shërbyer në dy komitetet respektive për disa vjet, por pozitat e reja, do t’ua mundësojnë atyre që të vendosin se në cilat çështje të fokusohen, duke ndikuar kështu debatin e politikës së jashtme në Uashington.

Që të dy mund të vendosin për të vështruar së afërmi politikën e Shtëpisë së Bardhë mbi Iranin, duke gjykuar nga deklaratat e tyre të së kaluarës.

Senatori Menendez, që është më i hapur në shqyrtimin e ndërhyrjes ushtarake sesa shumë nga kolegët e tij demokratë, e ka akuzuar administratën e Obamës se po zvarritet me sanksione kundër Teheranit në lidhje me programin e tij kundërthënës bërthamor.

Këtu është ajo që Menendez tha në një takim të komisionit në vitin 2010.

“Mezi po pres që të votoj për sanksione më të fuqishme kundër Iranit, sepse e shoh që (presidenti iranian Mahmud) Ahemdinexhad, po shmang në masë të madhe rezolutën 1929 të OKB-së. Dhe, pjesërisht, për shkak se ne po gjëmojmë si luan, e po kafshojmë si këlysh, dhe sipas meje, duhet ta ndryshojmë këtë dinamikë”, u shpreh Menendez.

Në dhjetor të 2011-s, Menendez dhe senatori republikan Mark Kirk (Illinois), ishin bashkautorë të një legjislacioni me sanksione të ashpra kundër Bankës Qendrore të Iranit. Ai u shndërrua në ligj në fillim të 2012-s, me gjithë shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë se mos lëvizja do të tendoste aleancat e huaja.

Qëndrimi i Menendezit mbi Iranin e ndesh atë me Chuck Hagelin, të nominuarin e Obamës për sekretar të Mbrojtjes. Hagel ka votuar kundër sanksioneve ndaj Iranit, në kohën sa ka shërbyer në Senat.

Rrënjët kubane të Menendezit - ai është i biri i emigrantëve kubanë - dhe puna mbi çështjet e Hemisferës Veriore, lënë të kuptojnë se Amerika Latine do të marrë një fokus më të madh të komitetit të tij.

Ai i ka kundërshtuar përpjekjet e administratës së Obamas për të zbutur kufizimet ndaj regjimit të Fidel Castros.

Në të kaluarën, Menendez ka sugjeruar se ndihma amerikane në Pakistan duhet të varet nga angazhimi i Islambadit kundër terrorizmit dhe ka mbështetur planin e Obamas për të tërheqjen nga Afganistani në vitin 2014. Ai, gjithashtu, ka votuar për traktatin e ri me Rusinë, START.

James Lindsay, zëvendëspresident në Këshillin për Relacione me Jashtë, tha se Menendez do të “vazhdojë të ndjekë një vijë relativisht të ashpër” mbi çështje të caktuara, por edhe do të shqyrtojë të gjitha përgjegjësitë e postit të ri.

“Një nga gjërat, me të cilat do merret senatori Menendez, ndërsa kryeson komisionin, është se, për dallim nga koha kur ishte anëtar i komisionit, tash do të ketë përgjegjësi për një pikëpamje më të gjerë për Politikën e Jashtme, dhe ky është një kalkulim që ai duhet ta mendojë”, u shpreh Lindsay.

Si drejtues, Menendez do të shtyjë shqyrtimet e komisionit mbi traktatet ndërkombëtare dhe nominimet e ambasadorëve.

Në shtator të vitit 2010, ai e bllokoi nominimin e Matthew Bryza, zgjedhjen e Obamas për ambasador në Azerbejxhan, në lidhje me dyshimet për qëndrime të njëanshme kundër armenëve.

Shteti i Menendezit, New Jersey ka popullatën e dytë më të madhe të përkatësisë armeno-amerikane në vend dhe në vitin 2009, ai ka paraqitur legjislacionin, që i kërkonte administratës së Obamas që ta njohë si gjenocid vrasjen masive të armenëve gjatë epokës së Luftës së Parë Botërore.

Ai, gjithashtu, vuri në pikëpyetje shitjet e pajisjeve ushtarake Azerbejxhanit, duke tërhequr vërejtjen nga përdorimi potencial i tyre në konfliktin e Nagorno-Karabakhit.

Komiteti Kombëtar Armen i Amerikës ka mirëpritur postin e ri të Menendezit në senat, por tingëllonte edhe më entuziast për pozitën e re të Ed Roycet në krye të Komitetit të Kongresit për Politikat e Jashtme. Grupi e ka quajtur atë si “kampion” të kauzës së tij.

Royce, shteti i të cilit, California, ka komunitetin më të madh armeno-amerikan në SHBA, aktualisht e bashkëkryeson Grupin e Kongresit për Çështjet Armene.

Këtu, ai është duke folur në prill të 2011, në një ngjarje në Senat, që shënonte përvjetorin e vrasjes masive të armenëve nga turqit osmanë.

“Fuqia e botës për të kundërshtuar vrasjet sot është bërë më e madhe për shkak të llogaridhënies për veprimet e sotme, por gjithashtu edhe për ato të së kaluarës. Ajo qe dobësuar nga mohimi i llogaridhënies për aktet e së kaluarës. Një nga to është duke mos e njohur gjenocidin armen, dhe kjo është arsyeja se përse nuk dorëzohemi”, qe shprehur ai.

Në një intervistë të fundit për “The Washington Post", Royce akuzoi Shtëpinë e Bardhë se po heziton mbi sanksionet ndaj Iranit.

Ai u zotua se do të shqyrtojë mënyrat për të shtrënguar sanksionet kundër Teheranit dhe “do të fuqizojë opozitën demokratike”.

Për më shumë klikoni këtu.

Royce, gjithashtu, kritikoi administratën Obama për kundërshtimin e saj fillestar mbi Aktin Magnitsky, që sanksionon zyrtarët rusë të përfshirë në shkeljen e të drejtave të njeriut.

Si udhëheqës, ai është zotuar se “do të ketë një fokus më të madh në Azi” dhe të shqyrtojë zhvillimet në Lindjen e Mesme, pas pranverës arabe, ku siç thotë ai, administratës Obama i ka munguar një qasje koherente.

Royce pritet, gjithashtu, që të ngre edhe çështjen e sigurisë diplomatike, përfshirë sulmin e shtatorit të vitit 2012 në misionin amerikan në Bengazi të Libisë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG