Ndërlidhjet

Futboll: Liga e përbashkët, ndërmjet dëshirës dhe realitetit


Kombëtarja e Shqipërisë gjatë një ndeshje në Bjellorusi. (Foto nga arkivi)
Kombëtarja e Shqipërisë gjatë një ndeshje në Bjellorusi. (Foto nga arkivi)
Propozimi dhe kërkesa e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, kohë më parë, për një ligë të përbashkët të futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës, është mirëpritur në Kosovë, qoftë nga institucionet qeveritare përgjegjëse për sportin, qoftë nga Federata e Futbollit të Kosovës, por edhe nga profesionistë të këtij sporti.

Ky propozim i kryeministrit shqiptar, Berisha, ka ekzistuar si ide tash e disa vjet edhe në Kosovë, por, megjithatë ky propozim, ka nxitur debat dhe polemika pozitive, për faktin nëse ky propozim do të mund të jetësohet.

Malsor Gjonbalaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo ministri e ka mirëpritur propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Berisha, dhe se tashmë me padurim po presin të shohin modalitetet e realizimit të një lige të përbashkët të futbollit.

“Vetë ky propozim nga autoriteti më i lartë qeverisës shqiptar e bën këtë ide shumë më serioze dhe ne e kemi i mirëpritur. Natyrisht se do ta mirëpresim edhe formën e bashkëpunimit, cilado qoftë ajo, nga ana e Qeverisë së Shqipërisë dhe po ashtu edhe nga ana e Federata e Futbollit të Shqipërisë, e cila do të duhej të koordinohej me Federatën e Futbollit të Kosovës. Prandaj, ne si institucion, jo vetëm se e mbështesim këtë ide, por jemi të interesuar që një gjë e tillë të ndodhë”, thotë Gjonbalaj.

Megjithatë, Gjonbalaj shton se është paksa skeptik se ideja e ligës së përbashkët të futbollit e Shqipërisë dhe Kosovës, do të mund të realizohet tash për tash, për shkak të mos anëtarësimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në organizatat evropiane dhe botërore të futbollit, UEFA dhe FIFA.

Skeptik shprehet edhe Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, pavarësisht faktit se propozimi për ligën e përbashkët të futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës, sipas tij, është tejet joshës dhe i dëshirueshëm që të realizohet.

“Në aspektin juridik, në bazë të rregulloreve, statuteve që janë në fuqi të UEFA-s dhe FIFA-s, një gjë e tillë nuk lejohet. Edhe sikurse Federata e Futbollit (e Kosovës) të ishte anëtare me të drejta të plota, kjo nuk do të mund të bëhej pa autorizimin paraprak të UEFA-s dhe FIFA-s. Dihet se UEFA dhe FIFA janë duke u larguar dhe duke i braktisur idetë e ligave, për shembull Ballkanike ose Inter-toto kup, që ishte ligë. Në anën tjetër, duhet të kuptojmë se statuti i FIFA-s nuk i lejon federatat e anëtarësuara të kenë kontakte me klubet apo federatat, të cilat nuk janë anëtare të FIFA-s dhe UEFA-s”, thekson Salihu për Radion Evropa e Lirë.


Hapat e drejt realizimit të ligës

Bilbil Sokoli, trajner i futbollit dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se propozimi për ligën e përbashkët të futbollit është plotësisht i realizueshëm.

Sipas shpjegimit që jep Sokoli për Radion Evropa e Lirë, aktet normative të asociacioneve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare të futbollit janë të harmonizueshme dhe harmonizimi i tyre duhet të jetë hapi i parë. Më pas, thotë Sokoli, duhet bërë hapin e dytë, e ky është formimi i ligës.

“Garat do të zhvilloheshin në sistem lige. Duhet të kërkohet që të ndahet liga cilësore dhe ato amatore dhe prej tyre do të kërkohej cilësia dhe kualiteti për prezantim ndërkombëtar. Ekziston neni, i cili thotë se kush mund të anëtarësohet dhe kush mund të luajë ligë të përbashkët, por ekziston edhe neni, i cili flet për kushtet e jashtëzakonshme. Prandaj, ne jemi në kushte të jashtëzakonshme”, sqaron Sokoli.

Ndërkaq, Gjonbalaj vlerëson se mundësinë e realizimit të ligës së përbashkët duhet shikuar parimisht si çështje ligjore.

“Duke pasur parasysh legjislacionin ndërkombëtar, por edhe atë vendor, ne duhet t’i qasemi në kuptimin ligjor dhe jo në pikëpamje euforike. Megjithatë, unë theksova edhe më herët se propozimin nga një kryeministër shteti, siç është zoti Sali Berisha, ne e kemi marrë me seriozitet”, shprehet Gjonbalaj.

Tifoz futbolli mban një top ku shkruan "Pranojeni Kosovën në UEFA"
Tifoz futbolli mban një top ku shkruan "Pranojeni Kosovën në UEFA"
Salihu shpreh mendimin se realizimi i ligës së përbashkët do të ishte shumë më i mundshëm, në qoftë se Kosova do të ishte anëtare e plotë në organizatat ndërkombëtare të futbollit. Por, në situatën e tashme, tentimi për formimin e ligës së përbashkët pa pëlqimin e organizatave ndërkombëtare të futbollit, do ta rrezikonin edhe futbollin e Shqipërisë.

Atëherë, do të kishim një subjektivitet politik , institucional që ta kërkonim ketë, nëse është në interesin e përbashkët. Por, kështu siç qëndrojnë çështjet, është vështirë që në rrugë ligjore të vendoset pozitivisht. Në anën tjetër, duhet të themi se ‘topi’ kalon tash te Federata Shqiptare e futbollit dhe te kryeministri (Berisha) se si do të mund të realizohet, çfarë opsioni do të sillnin dhe a do të ishin të gatshëm që sakrifikonin dhe ta shtynin çështjen deri në fund”, shton Salihu.

Por, Sokoli insiston se Kosova dhe Shqipëria duhet të këmbëngulin në formimin e ligës së përbashkët të futbollit, pavarësisht kundërshtimeve eventuale nga mekanizmat ndërkombëtarë të futbollit. Sipas tij, kundërshtimet e tilla do të ishin vetëm në fillim dhe ato mund t‘i amortizojë cilësia që liga e përbashkët të prodhojë:

“Në qoftë se bashkohet sporti (futbolli) shqiptar, ka parametra të jetë më cilësori në rajon, më cilësor se bullgarët, kroatët, serbët, grekët. Do të kemi ligë më cilësore dhe do ta kemi sportin shumë më cilësor se sa që është në këtë moment. Prandaj, nëse dëshirojmë ta ngremë cilësinë, atëherë kush do të jetë kundër kësaj cilësie? Mendoni se Evropa është kundër cilësisë?”.

Sidoqoftë, liga e përbashkët e futbollit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është diskutuar tash e disa vjet në rrethet e futbolldashësve në vend.

Klubi i futbollit Prishtina, një vit më parë kishte bërë kërkesën zyrtare për inkuadrimin e saj në ligën e Shqipërisë, por kjo kërkesë ishte mohuar për arsye juridike dhe teknike.

Zyrtarët e Federatë së Futbollit të Kosovës kanë deklaruar edhe më parë se në qoftë se politika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës arrijnë ta çojnë përpara këtë çështje dhe ta mbyllin me sukses, atëherë federatat e futbollit të të dyja vendeve, mund ta jetësojnë këtë ligë, siç është thënë në formë simbolike, për disa sekonda.
XS
SM
MD
LG