Ndërlidhjet

Shqipëri: Mediat e "ngarkuara" me probleme


Ilustrim
Ilustrim
Drejtori i institutit shqiptar të medias Remzi Lani foli për një skenë mediatike shqiptare dhe jo treg mediatik, duke dhënë një arsye të fortë për këtë qëndrim.

Preferoj termin skena e medias kjo pasi fjala treg nënkupton disa rregulla që tek ne mungojnë. Nuk ka asnjë logjike tregu që shpjegon numrin e madh të gazetave që për disa mund të quhet pluralizim por për mua është kakofoni. Fjala skenë nënkupton aktorë dhe ky më duket se është rasti ynë”, tha Lani.

Ai shkoi më tej me vlerësimin e tij kur tha se në Shqipëri nuk ka media të pavarura.

Ne kemi një skenë mediatike të gjallë, vibrante, të fragmentuar, vibrante, pluraliste por ende jo të pavarur. Media jonë është një “ëatchdog” i qeverisë dhe i politikës nga njëra anë dhe jo rrallë një klient i tyre”.

Kjo deklaratë u bë gjatë seminarit mbi “lirinë e medias dhe të shprehjes” në kuadër të integrimit evropian.

Pjesëmarrja ishte e gjerë duke përfshirë të gjitha grupet e interesit por kryesisht gazetarë dhe drejtues mediash.

Ministrja e integrimit Majlinda Bregu tha se qeveria nuk ka ndikim te media. Ajo nënvizoi se përgjegjësinë për të vendosur profesionalizëm në ushtrimin e detyrës, e kanë gazetarët dhe drejtuesit e mediave.

Media në Shqipëri si kudo tjetër ndërton hapur opinione, pro ose kundër pa pasur asnjë ndikim nga qeveria dhe shpresojmë asnjë ndikim dhe nga politikanët në tërësi”, tha Bregu.

Ministrja Bregu përmendi disa nga hapat e ndërmarrë nga qeveria që kontribuojnë në konsolidimin e fjalës së lirë në Shqipëri.

Në emër së medias së lirë janë ndërmarrë reforma gjatë gjithë këtyre viteve. Ju e dini që është përmirësuar kuadri ligjor në drejtim të mbrojtjes së lirisë së medias dhe shprehjes, dhe është inkurajuar rritja e profesionalizmit dhe etikës në media. Që nga viti 2005 me urdhër të kryeministrit Berisha, qeveria i dha fund procedimeve civile apo penale ndaj gazetarëve. Asnjë gazetar nuk ngarkohet me faj përpara ligjit për atë që shkruan apo thotë rreth zyrtarëve të lartë”.

Kjo mazhorancë propozoi ndryshimet në kodin penal për shpifjen të cilat siç jeni në dijeni fshinë plotësisht katër nene që siguronin mbrojtje të posaçme për zyrtarët vendas dhe të huaj, nene këto që në të shkuarën janë përdorur kundër gazetarëve. Dua të theksoj se të tilla vendime inkurajojnë lirinë e medias. Por të tilla vendime të rëndësishme ndonjëherë mungojnë edhe në vende më të përpara dhe në demokraci të konsoliduara sot në Evropë”, u shpreh ajo.

Kryetarja e komisionit parlamentar të medias Valentina Leskaj, përfaqësuese e Partisë Socialiste thotë se ligji nuk është mjaft për të garantuar lirinë e medias.

Leskaj sjell si shembull keqpërdorimin e ligjit sipas saj, në rastin ngritjes dhe funksionimit të Këshillit Kombëtar të Radio dhe Televizoneve.

Ligji ekzistues e përcakton qartë pavarësinë e autoritetit rregullator në rastin e KKRT-së. Por unë nuk mund të them se KKRT-ja ka plotësuar standardet, përkundrazi është një ent që funksionon larg standardeve të një enti të pavarur. Sot KKRT-ja është me militantë”, theksoi Leskaj.

E njëjta gjë sipas saj mund të thuhet edhe për Televizionit Publik Shqiptar që siç nënvizoi – nuk funksionon si i tillë.

Një institucion pa identitet të qartë as publik as privat por një instrument në duart e pushtetit, më një politikë editoriale tërësisht nën kontrollin e pushtetit. I zhveshur nga pronat dhe pa mbështetje financiare RTSH nuk mund të jetë dhe s’mund të quhet një transmetues publik”.

Shefi i zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri Marco Leidekker rendi disa nga shqetësimet kryesore për tregun shqiptar qe kërkojnë zgjidhje.

Në Shqipëri liria e medias është e influencuar negativisht nga ekzistenca e një trupi rregulltar të politizuar, nga pamjaftueshmëria e transparencës për sa i takon pronësisë mbi median dhe mungesa e pavarësisë editoriale tek transmetuesit publik”.

Që prej vitit 2006, Komisioni Evropian kërkoi një ligj të ri për mediat audiovizuale por ai edhe sot është vetëm një draft. Shpresoj që të miratohet pasi shoh që nuk mungon vullneti dhe dëshira për të pasur një ligj të ri”, tha Leidekker.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi tha se në një shoqëri demokratike është e domosdoshme jo vetëm liria e fjalës por dhe ajo e medias.

Dhe kjo, sipas tij, vlen kryesisht për vendet që aspirojnë integrimin.

Liria e medias është qendrore për kriterin politik në kuadër të anëtarësimit, dhe mbi të gjitha për standardet evropiane. Në mënyrë që të përmbushni detyrimet tuaja, ka nevojë për akte konkrete, që tregojnë se ju e keni seriozisht, që media të jetë e lirë dhe seriozisht me integrimin evropian”.

Është në duart tuaja të mos vononi ligjin për mediat audiovizuale, që nuk është vetëm një ligj, është test për angazhimin tuaj për një treg të hapur dhe transparent të medias. Është test për angazhimin tuaj për një transmetues të pavarur publik, test për transparencën e pronësisë mbi media dhe financimin e reklamave publike” theksoi Sequi.

Në Shqipëri është bërë një hap i mirë por ende i pamjaftueshëm në drejtim të dekriminalizimit të shpifjes.

Nga kodi penal u hoq ndëshkimi me burg për shpifjen.

Por në këtë takim u kërkuan hapa të tjerë të domosdoshëm për ta trajtuar shpifjen si një çështje ekskluzivisht civile.

Si një nga shqetësimet e ngritura ishte dhe fakti i mungesës në pjesën dërrmuese të medias të kontratave të punës për gazetarët, gjë që rrit në mënyrë potenciale autocensurën në ushtrimin e punës.

Në këtë takim u kërkua një reformë plotë dhe serioze në tregun e medias, pasi siç dhe theksoi ambasadori i BE-së në Tiranë, pas një media që flet lirë, fshihet një komb që flet lirë
XS
SM
MD
LG