E mërkurë, tetor 22, 2014 Kosova 05:07

Kronika

Merren vesh për doganat

Pamje nga takimi, 17 janar 2013
Pamje nga takimi, 17 janar 2013
RFE /RL
Takimi i katërt mes kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, i zhvilluar nën lehtësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ka rezultuar me një marrëveshje të përkohshme për doganat.

Doganat

Pas këtij takimi të gjatë, që përfundoi një orë pas mesnatës, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është më optimist se herëve të tjera që do të ketë përparim në ndërtimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Biseduam për çështjet për të cilat ishim dakorduar edhe më herët për përmbylljen e implementimit të plotë të marrëveshjes së IBM-së. Natyrisht, tash doganat do të paguhen sipas standardeve që ka caktuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Homologu i ti serb ndërkaq, Ivica Daçiq, tha se paratë e mbledhura nga doganat në veri do të mblidhen në një fond që do të themelohet nga Bashkimi Evropian dhe ato do të shfrytëzohen vetëm për veriun e Kosovës.

Strukturat paralele

Në kuadër të bisedimeve për zhbërjen e strukturave paralele të sigurisë, që Serbia ka në veri të vendit, kryeministri i Kosovës ka thënë se "qeveria e Serbisë merr obligime dhe përgjegjësi edhe për shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë dhe largimin e tyre nga Kosova".

Daçiq ndërkaq ka nënvizuar se zgjidhja në këtë drejtim qëndron te krijimi i institucioneve të pranueshme si për Prishtinën, ashtu edhe për serbët e Kosovës.

Për normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës, zoti Thaçi ka nënvizuar se Qeveria e Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe propozimin e Ahtisaarit, ka prezantuar të baronesha Ashton mundësinë dhe përgjegjësinë për normalizimin e gjendjes në veri.

“Ne do të respektojmë vullnetin e qytetarëve në veri që të zgjedhin liderët e tyre, të kenë rend demokratik dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Platforma

Kryeministri i Kosovës edhe një herë ka hedhur poshtë idenë që të diskutohet për platformën e Serbisë për Kosovën.

I pyetur se a është diskutuar në këtë raund të dialogut kjo platformë, Thaçi ka thënë se ajo ka qenë dhe do të mbetet e pavlerë dhe nuk mund do vihet në tavolinë ku gjenden përfaqësuesit e shtetit të Kosovës.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, nga ana e tij, ka thënë se para Serbisë tash është një detyrë e rëndësishme, në të cilën sipas tij, duhet të realizohen interesat nacionale në Kosovë. 

“Kemi folur për herë të parë në mënyrë shumë të hapur për dy tema shumë serioze, në të cilat do të duhet të punohet seriozisht në të ardhmen, siç janë paralelizmi i institucioneve dhe një qasje speciale e serbëve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Ivica Daçiq, duke shtuar se secila palë i ka shprehur pikëpamjet e veta dhe natyrisht që kjo nuk është temë e cila mund të zgjidhet për një natë.

Kryeministri i Serbisë më tej ka thënë se do të vazhdohet diskutimi në këto tema.

Ai ka thënë se Serbia vazhdon të argumentojë gjetjen e zgjidhjes në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe rezolutën që e kishte miratuar Serbia. 

Komunikata e BE-së

Në një komunikatë për media të lëshuar nga baronesha Ashton, thuhet se palët janë pajtuar për mbledhjen e taksave, duke u bazuar në marrëveshjen e dhjetorit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, apo IBM-së.

“Duke u nisur nga marrëveshja e arritur për IBM-në në takimin tonë të fundit më 4 dhjetor dhe zbatimin e tij në katër pikëkalimet, dy kryeministrat sot arritën mirëkuptim të përkohshëm për mbledhjen e taksave doganore, taksave tjera dhe TVSH-së”, u shpreh Ashton.

Ajo ka paralajmëruar një dialog intensiv për në muajin shkurt.

“U pajtuam për t’u takuar për një dialog intensiv në muajin shkurt gjatë të cilit shpresojmë për përparim të rëndësishëm mbi çështjet që i kemi identifikuar sipas konkluzioneve të dhjetorit të Këshillit të BE-së”, thuhet në deklaratën e zonjës Ashton. (a.i.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum