E shtunë, gusht 30, 2014 Kosova 12:10

Rajoni

Maqedoni: Skepticizëm për nismën e BE-së

Ilustrim
Ilustrim
Bashkimi Evropian do të ishte më mirë që të ndërhynte në zgjidhjen e krizës politike, sesa të kërkojë rol aktiv në zgjidhjen e kontestit të emrit ndërmjet Shkupit dhe Athinës, vlerëson ish- diplomati Arsim Zekolli, duke komentuar interesimin e shtuar të Brukselit për mbylljen e problemit shumëvjeçar të emrit.

Në fakt, zyra e komisionarit për Zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, ditë më parë, ka paraqitur iniciativën për një takim trepalësh ndërmjet tij dhe ministrave të Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë.

Analisti dhe ish-diplomati Zekolli thotë se çdo nismë për të ndihmuar zgjidhjen e kontestit, do të ishte e mirëseardhur, por, sipas tij, në rastin konkret, kjo nuk do të jepte rezultate, pasi kriza politike në vend çdo ditë e më tepër po thellohet dhe pa një stabilizim të saj dhe pa konsensus ndërmjet pozitës dhe opozitës, vështirë se do të mund të verifikohej ndonjë zgjidhje mes dy vendeve.

“Zoti Fyle në vend që të ndërmjetësojë mes Shkupit dhe Athinës tani sipas të gjitha gjasave, do të duhet të ndërmjetësojë mes Shkupit dhe Shkupit, mendoj mes Qeverisë dhe partive opozitare që bojkotojnë Kuvendin”.

“Çdo variant tjetër ndoshta do të mund të shqyrtohej në fazën tjetër të bisedimeve për çështjen e emrit, por në aspektin e vendimmarrjes, duke qenë se opozita është jashtë institucioneve, është pikëpyetje e madhe nëse rezultati i këtyre negociatave do të verifikohej. Kështu që, ka pasur një lëvizje të dukshme në raportet mes pozitës dhe opozitës dhe i tërë procesi rreth çështjes së emrit është në pikëpyetje të madhe”, thotë Zekolli.

Ai, gjithashtu, thotë se nuk sheh rezultate të mundshme nga takimi i tillë trepalësh edhe për faktin e, siç shprehet, pozicionit të favorshëm të Greqisë, e cila në një takim të tillë do të futej si vend anëtar i BE-së, që lë edhe dyshime për ndërmjetësimin neutral të komisionarit Fyle.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Denko Maleski, thotë se BE-ja është e vetëdijshme se Kombet e Bashkuara dhe ndërmjetësi Nimic duhet të hartojnë zgjidhjen përfundimtare për kontestin, por për shkak se fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, varet nga zgjidhja e kontestit, i jep të drejtën Brukselit të ndihmojë në afrimin e qëndrimeve ndërmjet palëve.

“Muajve të fundit vërehet një interesim i shtuar nga ana e Bashkimit Evropian për të ndihmuar në këtë proces. Por, unë jam skeptik lidhur me mundësinë që BE-ja të veprojë si faktor neutral, i paanshëm në këtë çështje - kjo në radhë të parë për shkak të Greqisë dhe mundësisë që ajo të bllokojë çdo propozim që nuk do t’i konvenonte. Por, sidoqoftë është për t’u përshëndetur interesimi i komisionarit Fyle për të ndihmuar dhe këtë duhet ta kenë parasysh institucionet tona”, konsideron Maleski.

Por, sikur ish-diplomati Arsim Zekolli, edhe Denko Maleski, si problem serioz në gjithë këtë proces sheh krizën politike në vend dhe mungesën e konsensusit për të pranuar ndonjë propozim të mundshëm për zgjidhjen e kontestit.

“Ne kemi krizë politike dhe në këtë moment nuk mund të të flasim me një zë për çështjet e politikës së jashtme. Kemi probleme në institucionin ligjvënës. Pozita është jashtë tij, kemi protesta në rrugë, e kështu me radhë. E gjithë kjo flet se shteti nuk është i aftë për marrjen e vendimeve të mëdha”, pohon Maleski.

Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Poposki, e ka vlerësuar si pozitiv propozimin e komisionarit Fyle.

Sipas tij, një takim i tillë, mund të kontribuojë për forcimin e mëtejmë të raporteve ndërmjet dy vendeve, por edhe për ruajtjen e kredibilitetit të euro-integrimeve, që ka rëndësi të veçantë për Komisionin Evropian.

Nga ana tjetër, autoritetet greke, siç transmetojnë mediat në Maqedoni, nuk janë kundër takimeve të tilla, nëse do të ishin mirë të përgatitura, por rikujtojnë gjithashtu se procesi negociues nuk ka lidhshmëri me BE-në, pasi udhëhiqet nga Kombet e Bashkuara.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum