E shtunë, korrik 26, 2014 Kosova 21:14

Intervista

Nojkiq: Zgjidhja buron nga Plani i Ahtisarit

Rangjell Nojkiq
Rangjell Nojkiq

Zgjidhjet që arrihen në bisedimet ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb, Ivica Daçiq, mund të interpretohen nga të dyja palët në forma të ndryshme, por zgjidhja e çështjes së strukturave paralele në veri, del nga Plani i Ahtisarit, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, politikani serb nga Kosova qendrore, Rangjel Nojkiq.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nojkiq, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po shkon në drejtim të adresimit të çështjeve, të cilat kanë të bëjnë me veriun e Kosovës.  Sa i vështirë mund të jetë trajtimi i këtyre çështjeve dhe a besoni se mund të ketë rezultate të qëndrueshme?

RANGJELL NOJKIQ
Bisedimet ndërmjet dy kryeministrave, zotit Thaçi dhe zotit Daçiq, na bëjnë me dije se në të vërtetë zgjidhjet mund të gjenden dhe në këtë kuptim, dalëngadalë, të dyja palët po përpiqen që ta shohin realitetin. Është çështje më vete se si njëra dhe pala tjetër do t’i interpretojnë këto zgjidhje dhe kjo është specifikë dhe nevojë për kënaqjen e elektoratit apo atyre që i përcjellin me vëmendje këto bisedime.

Por, mendoj se kjo është më pak e rëndësishme dhe më me rëndësi është që dalë ngadalë të gjenden zgjidhjet dhe që ato gradualisht të zbatohen. Shumë njerëz kanë qenë skeptik kur flitej për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, se këto vendkalime nuk do të mund të funksionojnë.

Unë edhe sot, sikurse edhe disa herë të tjera, kam kaluar vendkalimin kufitar në Jarinë. Ai funksionon në vazhdimësi, pa ndonjë problem, pavarësisht faktit se në ato momente ishte ngritur pluhur në veri rreth doganës ose taksave. Unë, në atë pjesë nuk kam  vërejtur asgjë. Njerëzit kanë kaluar në vendkalim të qetë dhe të lirë, pa ndonjë problem apo incident.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët takimin e fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq. Ata kanë biseduar lidhur me, siç është thënë, mënjanimin e strukturave paralele në veri. A mendoni se mund të arrihet një zgjidhje për këtë?

RANGJELL NOJKIQ
Si jo, mund të gjendet zgjidhje. Ajo, për të cilën ka folur zoti Daçiq, mendoj se është zgjidhje, e cila do ta kënaqte edhe Beogradin edhe Prishtinën. Nëse dëshirojmë që të flasim sinqerisht dhe hapur, atëherë kjo zgjidhje del nga Plani i Ahtisarit. Tash është çështje e veçantë se si do ta quajnë atë zoti Thaçi dhe si zoti Daçiq.

Por, kjo nënkupton bashkësinë apo trupin që do të mblidhte të gjithë serbët brenda institucioneve të Prishtinës. Serbët, në atë mënyrë do të mund të fuqizonin në mënyrë të dukshme pozicionin e vet.

Në një rast të tillë, serbët do të mund t’i shprehin shumë qartë qëndrimet e tyre. Kështu që, unë në këtë situatë nuk shoh asnjë problem që kjo të jetësohet. Jo vetëm kjo, por unë, në të vërtetë, jetoj për atë ditë kur diçka e tillë do të ndodhë. Kjo nënkupton që serbët në mënyrë të qartë do të duhej të merrnin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Ky është parakusht që e gjithë kjo të ndodhë.

Unë pres që Beogradi apo një pjesë e Beogradit, t’iu bëjë thirrje serbëve që të marrin pjesë në ato zgjedhje dhe kjo do të ishte baza për themelimin e atyre institucioneve.

RADIO EVROPA E LIRË
Daçiqi ka theksuar se fillimi zgjidhjes së çështjes mund të jetë te formimi i institucioneve të reja në veri, ashtu siç e përmendët edhe ju tash. Serbët kanë paralajmëruar kundërshtimin për diçka të tillë. Çfarë reagimesh, realisht, mund të priten nga serbët e veriut?

RANGJELL NOJKIQ
Mendoj se reagimet do të jenë shumë më të buta se reagimet të cilat kanë qenë para disa muajve apo para një viti. Kur e them këtë, e kam parasysh faktin se partia e zotit Daçiq në Kosovë ka marrë më së shumti vota, në zgjedhjet e fundit. Do të thotë, në ato institucione, të gjithë ata që janë nga komunat, në ballë të së cilave dhe në përbërjen e të cilave janë serbët e Partisë Socialiste të Serbisë, nuk do të bëjnë rezistencë të atillë siç e paralajmërojnë disa liderë të veriut.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se politika e tashme e Beogradit ndaj Kosovës, në shtigje të gjata, çon drejt pranimit të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë?

RANGJELL NOJKIQ
Jo, nuk mendoj se kjo politikë çon drejt njohjes së pavarësisë, për arsyen e thjeshtë se asnjë vend anëtar i Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, të Bashkimit Evropian, të OSBE-së, nuk po kërkojnë nga Serbia të ta pranojnë. Prandaj, mendoj se nuk do të guxonim që në këtë kuptim të insistojmë në çështjen e statusit, për arsyen e thjeshtë, sepse nëse në këtë moment, kur bisedimet kanë nisur në një rrugë të drejtë dhe pozitive, nuk do të duhej  të guxonim që të vendosnim pyka në rrugë dhe të pengojmë ata që po i gjejnë zgjidhjet, me kërkesën që në këtë moment të bisedohet për çështjen e statusit.

Mendoj se askush nuk e kërkon tash këtë nga Serbia. Në fund të fundit, Serbia, këtë nuk do ta bëjë. Të gjithë bashkëbiseduesit nga bashkësia ndërkombëtare, kur flasin me zyrtarët e Beogradit, e kanë të njohur faktin se është krejtësisht logjike që Serbia nuk e pranon Kosovën si shtet të pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund, zoti Nojkiq, serbët që jetojnë në Kosovën qendrore edhe më parë kanë theksuar se ndihen të anashkaluar nga Beogradi, pasi e gjithë vëmendja është përqendruar kah serbët e veriut. A mendoni se Beogradi po bën politikë dyfytyrëshe  ndaj serbëve të anës jugore të lumit Ibër dhe atyre në veri?

RANGJELL NOJKIQ
Kjo ka qenë kështu deri para një muaj ose më shumë. Kjo kështu ka ngjarë. Por, deklaratat tona dhe qëndrimet shumë të qarta, se thirrjet për zgjidhjen e statusit të veriut të Kosovës, serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër i vë në një situatë, e cila është e pa sigurt dhe se në një mënyrë, serbët në jug ndihen të lënë anash, kanë kontribuar që të mos flitet më për bashkësinë e katër komunave të veriut, por për të gjithë serbët në këto hapësira.

Serbia, në fakt, në mënyrë shumë të turpshme po e thërret Planin e Ahtisarit për lidhjen e serbëve në hapësirën e Kosovës. Ky fakt flet qartë se Beogradi e ka kuptuar se dy e treta e serbëve jeton në anën jugore dhe se ata nuk guxohet të anashkalohen. Vetë fakti se kur Beogradi flet për autonominë e serbëve  -  kjo nuk e nënkupton vetëm autonominë e serbëve të veriut, por për të gjithë serbët -  kjo mjaft qartë flet se faktor mjaft i rëndësishëm në këtë proces do të jenë edhe serbët që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër.  Vetëm atëherë do të gjenden zgjidhjet optimale , sepse në atë bashkësi ose sido që do ta quajmë, përfaqësuesit e serbëve nga e gjithë Kosova do të mund të bisedojnë në mënyrë të barabartë, si për veriun ashtu edhe për pjesën qendrore të Kosovës.

Kur në një situatë të tillë serbët do të ballafaqohen me problemet, atëherë është krejtësisht logjike se do të gjenden zgjidhjet optimale, të cilat do t’i kënaqin të gjithë serbët në të gjithë hapësirën dhe jo vetëm një grup ose një pjesë të Kosovës dhe një numër të vogël të serbëve, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës në këtë moment.

Bekim Bislimi

beka.bislimi+gmail.com

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum