Ndërlidhjet

Presheva e indinjuar - të hënën në protestë


Heqja e lapidarit në Preshevë
Heqja e lapidarit në Preshevë
Subjektet politike të Luginës së Preshevës kanë dënuar ashpër heqjen e lapidarit të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës dhe në shenjë indinjate, kanë thirrur një protestë gjithë popullore për të hënën.

Vendimi është marrë gjatë një takimi të liderëve politikë të Luginës së Preshevës, pas aksionit të xhandarmërisë serbe, e cila largoi lapidarin në orët e hershme të mëngjesit.

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, në një konferencë për gazetarë, ka dënuar veprimin e autoriteteve të shtetit serb, ndërkaq ka kërkuar që liderët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të përfshihen në bisedimet Kosovë - Serbi, që po zhvillohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ai ka kërkuar që faktori ndërkombëtar të përfshihet në qetësimin e gjendjes në këtë pjesë dhe njëherësh ka ftuar qytetarët që të hënën të dalin në protesta gjithë popullore.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës, pa asnjë dyshim, edhe më tutje do të jenë gjakftohtë dhe me forma paqedashëse dhe me forma absolutisht demokratike do të veprojnë dhe në këtë drejtim, parimisht e kemi fituar edhe mbështetjen e parezervë të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Mustafa.

Kurse, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, është shprehur se “Qëndrim i përbashkët i të gjithë liderëve politikë është që të qëndrojmë në realizimin e të drejtave legjitime individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Edhe liderët tjerë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë heqjen e lapidarit duke vlerësuar se qeveria serbe po vazhdon dhunën sistematike ndaj shqiptarëve ngjashëm si në kohën e Sllobodan Millosheviqit.


Reagimet e institucioneve të Kosovës

Heqjen e lapidarit e kanë dënuar edhe institucionet qendrore të Kosovës.

Zyra e presidentes, Atifete Jahjaga, përmes një deklarate me shkrim, vlerëson se heqja e përmendores është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Kosovës shprehet e indinjuar me veprimin e autoriteteve të Serbisë për heqjen me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës.

“Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit”, thuhet në deklaratën me shkrim të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës iu ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi, siç thuhet, qyqar të Serbisë.

Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nëpërmjet një deklarate, e ka dënuar ashpër heqjen e lapidarit duke e vlerësuar atë si një akt qyqar që dëshmon se pushteti aktual i Serbisë nuk ka ndryshuar asgjë nga logjika, mentaliteti dhe veprimet e pushtetit të Sllobodan Milosheviqit.

Heqja e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës është dënuar edhe nga partitë opozitare në Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme sjelljen e shtetit serb. Kjo parti politike e vlerëson këtë akt si një mjet presioni ndaj shqiptarëve të mbetur në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kështu që i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta shtojë kujdesin për qytetarët e atjeshëm shqiptarë, duke konsideruar se ata janë qytetarët më të shtypur dhe më të diskriminuarit në Evropë.

Situatën në Luginë të Preshevës ndryshe e ka vlerësuar lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti. Ai e ka bërë përgjegjëse edhe Qeverinë e Kosovës për gjendjen e krijuar në Preshevë, ndërkaq ka vlerësuar se çështja e trojeve të banuara me shqiptarë bë kuadër të Serbisë nuk përkufizohet vetëm me Luginën e Preshevës.

“Nuk bën të kufizohet çështja e Preshevës veç me një lapidar. Çështja e Kosovës Lindore është më e madhe se Presheva. Presheva mbrohet në Bujanoc. Njësoj siç është tendenca për t’u përqendruar në Tetovë për ta harruar Shkupin, njësoj është tendenca për t’u përqendruar në Preshevë dhe për ta harruar Bujanocin”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, pjesëtarët e xhandarmërisë së Serbisë, herët në mëngjes e kanë larguar lapidarin e luftëtarëve të rënë të UÇPBM-së, para Kuvendit të Komunës në Preshevë.
Sipas Qeverisë së Serbisë “përmendorja ishte ngritur në mënyrë ilegale dhe si e tillë është larguar”.

Vendosja e këtij lapidari në Preshevë është bërë në nëntorin e kaluar në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Në vendin e lapidarit, qytetarët më pas kanë vendosur lule, në kujtim të dëshmorëve të rënë në luftën e UÇPMB-së.


XS
SM
MD
LG