Ndërlidhjet

Sintagma e Rugovës është bërë realitet


Ibrahim Rugova
Ibrahim Rugova
Jeta dhe veprimtaria e presidentit të parë dhe historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës e bën popullin e Kosovës të ndjehet krenar për rrugën që e ka kaluar, ka deklaruar presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në akademinë përkujtimore, me rastin e shtatë vjetorit të vdekjes së Ibrahim Rugovës, i cili në Kosovë njihet si president historik i vendit dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës.

Presidentja Jahjaga, nën përkujdesjen e së cilës është mbajtur akademia përkujtimore, e ka vlerësuar lartë figurën dhe veprimtarinë presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, si dhe angazhimin dhe vizionin e tij, siç tha presidentja Jahjaga, për të mirën e popullit për të qenë i lirë dhe zot në trojet e veta.

Ky vizion na bën që ta nderojmë dhe përkujtojmë me respekt të thellë liderin, arkitektin e pavarësisë, udhëheqësin tonë largpamës, i cili përfundimisht e orientoi vendin dhe popullin tonë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përqafim të vlerave perëndimore. Ne sot, e përkujtojmë presidentin e parë të shtetit, i cili në kohë të vështira diti të marrë vendime të rëndësishme, që i dhanë kahe historisë, duke e përcaktuar përfundimisht fatin tonë si popull dhe të ardhmen e atdheut”, u shpreh Jahjaga.

Presidentja Jahjaga ka shtuar se filozofia politike e presidentit të ndjerë Rugova, e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës, duke fituar përkrahje dhe duke demaskuar politikën agresive dhe hegjemoniste.

Presidentja Jahjaga theksoi se sintagma e presidentit Rugova, tashmë është bërë realitet.

Presidenti Dr. Ibrahim Rugova njihet për sintagmën “Liri, Pavarësi, Demokraci” që ishte platforma e tij politike; të punojmë, të fitojmë lirinë të shpallim pavarësinë të ndërtojmë demokracinë. Kjo tashmë është bërë realitet, ashtu si edhe vizioni për miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha ajo.

Në përvjetorin e shtatë të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, akademi përkujtimore ka organizuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, themelues dhe drejtues i së cilës ishte presidenti i ndjerë.

Kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa e ka përkujtuar presidentin e ndjerë si një njeri që kishte vulosur fundin e shekullit të kaluar dhe fillimin e këtij shekulli.

Rugova krijoi një model të veçantë të udhëheqjes dhe të rezistencës, duke ngritur dhe duke formësuar një shtet të pavarur, të bazuar në besën dhe solidaritetin shqiptar. Rugova, më mirë se çdo kush tjetër, provoi se Kosova i përket Evropës, jo vetëm gjeografikisht dhe historikisht, por edhe politikisht dhe kulturalisht”.

Mbi këtë koncept politik, ai krijoi Kosovën me shumë miq, të cilët pastaj patën ndikim të veçantë në sendërtimin e aspiratës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Prandaj, nuk është aspak e rastit që presidenti Rugova është cilësuar si engjëlli mbrojtës i Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ndryshe, në përvjetorin e shtatë të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, krerë të lartë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë kanë bërë homazhe te varri i tij, si dhe kanë vizituar familjen presidentit të ndjerë.

Ndërkaq, Forumi i Rinisë së LDK-së ka organizuar, siç e kanë quajtur, marshin për presidentin historik të Kosovës.
XS
SM
MD
LG