E martë, tetor 21, 2014 Kosova 09:05

Aktuale

Nuk arrijnë marrëveshje

Takimi i Gruevskit dhe Cërvenkovskit
Takimi i Gruevskit dhe Cërvenkovskit
Takimi mes kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski dhe liderit që përfaqëson frontin e partive maqedonase në opozitë Branko Cërvenkovski ka përfunduar pa asnjë marrëveshje që do të çonte në kapërcimin e krizës politike në vend.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski pasi braktisi takimin pas një ore ka deklaruar se “nuk ka marrëveshje me liderin e LSDM-së opozitare, Branko Cërvenkovski” ngase ky i fundit, sipas tij, nuk është treguar i gatshëm për kompromis, por me këmbëngule ka kërkuar realizimin e të gjitha kërkesave të parashtruara nga opozita.

Nuk ka marrëveshje pasi që LSDM ka vendosur ultimatum për të arritur marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të bisedohet për ngjarjet e 24dhjetorit në Parlament”, ka theksuar Nikolla Gruevski pas takimit.

Gruevski ka nënvizuar se partia e tij VMRO-DPMNE kërkon që të bisedohet për rekomandimet e OSBE/ODIHR për përfshirjen e tyre në Kodin zgjedhor si dhe për pastrimin e listës zgjedhore.

Gjithashtu, partia e kryeministrit Gruevski ka kërkuar që opozita të marrë pjesë në zgjedhjet e shpallura lokale të 24 marsit , ndërkohë që vet Gruevski ka theksuar se zgjedhjet do të mbahen në mars edhe nëse LSDM i bojkoton ngase, sipas tij, kjo parti nuk është opozita e vetme në vend.

Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së tha se qasja e Gruevskit në takim ishte sikur nuk ka ndodhur asgjë më 24 dhjetor, duke theksuar se në atë ditë është shkelur në mënyrë flagrante demokracia në vend.

Pas këtij takimi jemi në të njëjtën pozitë sikur para tij. Dalja e vetme nga kriza parlamentare është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Institucionet tani më nuk kanë legjitimitet për të organizuar zgjedhje lokale dhe prandaj ne nuk do të marrim pjesë në të njëjtat. Do të vazhdojmë me protestat në rrugë”, është shprehur lideri i opozitës maqedonase, Cërvenkovski.

Në takimin e së martës nuk kanë qenë të përfshirë përfaqësuesit e partive politike shqiptare.

Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ermira Mehmeti - Devaja, përmes profilit të saj në Facebook ka theksuar se ky takim dëshmon qartë se shqiptarët nuk janë pjesë e krizës politike në Maqedoni.

“Liderët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së takohen për të gjetur zgjidhje për konfliktin mes tyre që shpërtheu në Parlament më 24 dhjetor. Partitë shqiptare nuk ishin pjesë e këtij konflikti dhe prandaj nuk janë pjesë e takimit të sotëm. Vazhdoj të besoj shumë fuqishëm se të mos jesh pjesë e rrahjeve nuk është handikap, por avantazh për partitë shqiptare”, ka shkruar në statusin e saj deputetja e BDI-së.

Nga ana tjetër, analistët politikë duke komentuar takimin e sotëm i cili përfundoi pa kompromis mes partive politike maqedonase në pushet dhe opozitë, konsiderojnë se tashmë në Maqedoni është bërë praktikë për ndërtimin e qëndrimeve të paluhatshme sepse çdo lëshim pe do të thotë humbje votash tek elektorati.

Taktika të cilën e shfrytëzojnë politikëbërësist në Maqedoni është ajo e ashtuquajtura ‘mikado’ nuk ka lëvizje nga pozicionet e caktuara , ngase çfardo lëshimi do të thotë humbje e hapave dhe simpatisë tek elektorati për atë që vendos të zmbrapset nga qëndrimet”, thekson Sonja Stojadinoviq, politikologe.

Sipas saj, partitë politike në Maqedoni nuk kanë kapacitet që vet të gjejnë një zgjidhje për të dalë nga kriza, si pasojë e egos dhe ambicieve të mëdha të tyre.

“Pa një ndikim më të fuqishëm nga jashtë, pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së dhe BE-së, është dëshmuar disa herë se ne nuk jemi të gatshëm për të zgjidhur një problem të caktuar”, thekson Stojadinoviq.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum