Ndërlidhjet

Si mund ta ndikojë politikën e BE-së largimi eventual i Britanisë?


Kryeministri i Britanisë, David Cameron, në fjalimin e shumëpritur për Bashkimin Evropian, u ka premtuar votuesve britanikë zgjedhjen për të qëndruar ose jo në BE, nëse partia e tij fiton zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Cameron ka thënë se referendumi do të mbahej para fundit të vitit 2017. Por, sa do të ndikohen politikat e jashtme të BE-së me largimin eventual të Britanisë?

Ajo është shpenzuesi më i madh ushtarak në Bashkimin Evropian dhe ka trupën më të madhe diplomatike në mesin e vendeve anëtare. Stefan Lehne, nga Instituti Carnegie, thotë se me largimin e saj, BE-ja do të humbiste në të gjitha aspektet.

Largimi do të ishte një humbje e madhe për Bashkimin Evropian. Do të ishim më të dobët në çdo kuptim – ushtarak, diplomatik dhe ekonomik. Pra, do të ishte një humbje tragjike për Bashkimin Evropian”, thotë Lehne.

Britania sheh zgjerimin e BE-së si mënyrë për të stabilizuar fqinjët. Jana Kobzova, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se Britania nuk ka qenë gjithmonë një forcë shtytëse në Ballkanin Perëndimor, por, megjithatë, ka qenë një aleat i rëndësishëm.

Është ndryshe kur Sllovakia argumenton për Ballkanin Perëndimor, për një vend të veçantë që të jetë pjesë e BE-së, dhe krejt ndryshe kur një gjë të tillë e bën Britania”, thotë Kobzova.

Prandaj, ekziston rreziku që pas hyrjes së Kroacisë në Bashkimin Evropian, në muajin korrik, dera e zgjerimit të BE-së të mbyllet për disa vite. Është e vërtetë që Gjermania mbështet idenë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen klubit. Por, ajo ka qenë tejet e preokupuar me menaxhimin e krizës ekonomike për të bërë presion mbi Greqinë që të zgjidhë kontestin bllokues të emrit me Maqedoninë ose të miklojë pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Nëse Bashkimi Evropian i përmbahet angazhimit zyrtar për të sjellë brenda ish-republikat jugosllave, dera do të jetë e hapur edhe për fqinjët në lindje. Rosa Balfour, nga Qendra për Politika Evropiane, thotë se vendet si: Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina, do të humbasin një zë të rëndësishëm në Bruksel, nëse Britania largohet.

Këto vende duan një perspektivë për pranim në BE dhe Parisi e Berlini nuk janë të gatshëm t’iu ofrojnë atë perspektivë të pranimit. Pa Britaninë, humbet një peshë e rëndë... Do të thosha se perspektivat janë goxha të zymta”, thotë Balfour.

Franca dhe Gjermania, por edhe vendet e tjera të mëdha të Bashkimit Evropian, të tilla si Spanja dhe Italia, do të ishin të lumtura nëse do të arrinin marrëveshje me Rusinë në çështjet energjetike, pa bërë pyetje të mëdha. Pa Britaninë, kampi tjetër i vendeve që zakonisht stimulon Moskën në këto çështje me gjemba, do të humbiste një kampion, thotë Kobzova.

Britania ka qenë në mesin e vendeve, të cilat janë përqendruar jo vetëm në përfitimet materiale nga bashkëpunimi me Rusinë, por edhe në anën e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, duke argumentuar se problemet që ka Rusia kur bëhet fjalë për korrupsionin, mungesën e qeverisjes e të tjera, duhet të jenë shqetësuese për Bashkimin Evropian – gjë të cilën disa vende të tjera nuk e kanë bërë”, thotë Kobzova.

Po, a mund të ketë largimi eventual i Britanisë ndonjë efekt pozitiv në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian?

Ekziston një shans i largët që BE-ja të bëhet aktor më koherent i politikës së jashtme dhe të arrijë atë që kanë ëndërruar shumë euro-federalë: një përfaqësim i vetëm i Bashkimit Evropian në organet ndërkombëtare, të tilla si Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Balfour thotë se është një dispozitë në kuadrin ligjor të BE-së, që ka hyrë në fuqi në fund të vitit 2009.

Traktati i Lisbonës parasheh që Bashkimi Evropian të kërkojë përfaqësim të vetëm në organizatat ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndodhur për shkak të obstruksionizmit të pozicionit britanik që prej hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Kjo mund të ndryshojë nëse Britania largohet”, thotë Balfour. (v.t.)
XS
SM
MD
LG