E shtunë, nëntor 01, 2014 Kosova 08:30

Shtypi botëror

WP: Zemërimi i Hillary Clintonit për Bengazin

Hillary Clinton
Hillary Clinton
Ata e fajësuan keqmenaxhimin e saj për shkak të vrasjes së amerikanëve në Bengazi të Libisë. Ata e akuzuan atë për fshehje. Disa bile sugjeruan se ajo e falsifikoi një sëmundje për t’iu shmangur dëshmisë për sulmin në Bengazi, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja Washington Post.

Të mërkurën Hillary Rodham Clinton, përfundimisht e kishte rastin t'u përgjigjet kritikëve dhe sekretarja e shtetit në largim, e paraqiti tmerrin e saj të fuqishëm e të drejtë.

Ajo e filloi paraqitjen e saj para Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit me përmbajtje, e bile edhe me keqardhje.

Ajo ishte e emocionuar derisa e përshkruante ardhjen e arkivoleve të mbuluar me flamur në Bazën e Forcave Ajrore Andrews dhe derisa e përqafonte farefisin e të vrarëve në Bengazi.

Por zemërimi i saj kulmoi kur senatori i ri Ron Johnson, republikan në Viskonsini, kërkoi ta dijë përse ajo dhe ndihmësit e saj nuk i thirrën menjëherë ata që ishin evakuuar nga Bengazi, për të gjetur nëse protesta ishte shndërruar në sulm.

Clinton u përgjigj se ajo nuk kishte dashur të përzihet në hetimet e agjencisë FBI. Kjo ishte pothuajse me siguri ajo që republikanët e kishin akuzuar se ajo e kishte bërë, shkruan Washington Post.

“Ky është arsyetim i mirë”, tha Johnson me përbuzje.

“Jo, ky është fakt”, u përgjigj Clinton, e irrituar. Duke e tundur gishtin e saj tregues, ajo u shpreh se pjesa më e madhe e asaj që ka ndodhur në Bengazi të Libisë, më 11 shtator 2012, mbetet e panjohur.

“Jo, jo” tha senatori Johnson, dhe shtoi se “ne ishim mashtruar se atje ka pasur protesta të supozuara dhe pastaj diçka doli jashtë saj, një sulm, dhe se populli amerikan është dashur ta dijë këtë brenda disa ditësh”.

Clinton e ngriti zërin e saj. “Me gjithë respektin, fakt është se ne kishim katër amerikanë të vrarë”, i bërtiti ajo senatorit. Duke lëvizur me duart e saj dhe duke e goditur tavolinën me grushtin e saj ajo vazhdoi: “A ishte kjo për shkak të protestës apo ishte kjo për shkak se disa persona kishin dalë të ecnin dhe vendosën se ata do t’i vrasin disa amerikanë? Çfarë dallimi, në këtë pikë, është ky”?

E përditshmja Washington Post shkruan se Johnson e ndali ndërhyrjen derisa Clinton fliste. “Nga perspektiva ime, është më pak e rëndësishme sot të shikojmë prapa se sa të analizojmë përse këta militantë vendosën ta bëjnë atë që e bënë, dhe pastaj t’i gjejmë ata dhe t’i sjellim para drejtësisë”, tha ajo.

Johnson u nuk u përpoq të kundërshtoj dhe vetëm tha “Në rregull, ju falënderohem zonja Sekretare”, shkruan Washington Post.

Kurrë nuk ka pasur kuptim që republikanët më pak u fokusuan në gabimet e sigurisë, që lejuan debaklin në Libi, se sa në sekretin e supozuar rreth pretendimit të ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, që është mohuar, se sulmi kishte dalur nga protesta.

Por dëshmia e zonjës Clinton në Capitol Hill, e pritur si e fundit para se ajo të zëvendësohet nga John Kerry, ka paraqitur një shfajësim të gjërë të personit, që një kohë ishte kandidat presidencial dhe ndoshta do të jetë kandidat i ardhshëm.

Ka pasur shqetësim në mesin e demokratëve se episodi Bengazi do ta dëmtoj atë, që nga ana tjetër, ka pasur shërbim të suksesshëm në Departamentin e Shtetit, por në fakt ajo largohet nga posti i saj me popullaritet më të lartë se kurrë më parë, shkruan Washington Post. 

Një hulumtim i ri i opinionit i Washington Postit dhe ABC News, tregon se 67% të amerikanëve janë në favor të saj, dhe karrierës së saj të lartë, që është afërsisht dy herë më e lartë se sa popullariteti që e kanë kongresistët republikanë.

Prandaj, kur zonja Clinton u përplas me ligjvënësit republikanë ditën e mërkurë, e kishte ndjenjën e ndeshjes së xhipit Hummer me automobilin e mençur.

Senatorët, bile edhe republikanët, në fillim të komenteve të tyre i uronin fat zonjës Clinton.

“Ju me gjasë keni udhëtuar më shumë se çdo sekretar tjetër i shtetit në histori dhe keni ardhur në punën tuaj në mënyrën që ne të gjithë mendonim se do të arrini, me punë të vështirë dhe zell”, tha senatori republikan nga Tenesi, Bob Corker.

Hillary Clinton, e veshur me xhaketë jeshile, pantallona të zezë dhe syze të trasha, i çarmatosi kritikët e saj, me momentin me lot në hapje të dëshmisë. Ajo i parandaloi kritikat e mëtejshme duke e pranuar përgjegjësinë për gabim, i cili ka ndodhur në nivelet e ulëta, shkruan pos tjerash, e përditshmja Washington Post, në një artikull më të gjatë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi