Ndërlidhjet

Kerry premton avancim të politikës së jashtme


John Kerry
John Kerry
Senatori John Kerry, i nominuari i presidentit Barack Obama, për sekretar të ardhshëm të shtetit, ka premtuar se nëse konfirmohet në këtë post, do të ketë avancim të politikës së jashtme amerikane, “që nuk definohet vetëm nga aeroplanët pa ekuipazh dhe vendosjet”.

Në dëshminë e tij para Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, senatori demokrat, John Kerry, 69 vjeçar, tha se “ne nuk mund të lejojmë të mirën e jashtëzakonshme, që ne e bëmë për t’i shpëtuar dhe ndryshuar jetët, që të eklipsohemi tërësisht nga roli që ne është dashur ta luajmë prej 11 Shtatorit, rol që na është hedhur neve”.

Por, Kerry ka tërhequr vërejtjen se problemet fiskale amerikane e kërcënojnë si aftësinë për të udhëhequr ashtu edhe kredibilitetin e tij si diplomat që angazhohet për rregull jashtë vendit.

Derisa shpesh është thënë se ne nuk mund të jemi të fuqishëm në shtëpi nëse ne nuk jemi të fortë në botë, në këto ditë të krizës fiskale, ne nuk mund të jemi të fortë në botë, nëse ne nuk jemi të fuqishëm në shtëpi, prandaj prioriteti i parë i punës, që do të ketë ndikim në kredibilitetin tim si diplomat dhe kredibilitetin tonë si vend, për t’i ndihmuar vendet e tjera, që të krijojnë rregull, është që Amerika së paku ta ketë çështjen fiskale në rregull”, tha John Kerry.

Dëgjimi në Komitetin për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit është parë si formal për zotin Kerry, pasi ai në këtë komitet ka punuar për afro 30 vjet, ndërsa katër vitet e fundit ishte kryesues i tij.

Ai gëzon respekt të gjerë dypartiak dhe nominimi i tij pritet të miratohet lehtë në përbërjen e plotë të Senatit.

Por, Kerry është ballafaquar edhe me disa pyetje për sfidat e politikës së jashtme, për pothuajse në të gjitha pjesët e botës, me të cilat ai do të ballafaqohet, nëse konfirmohet për postin e sekretarit amerikan të shtetit.

Kerry e ka vlerësuar programin atomik iranian si ndër “sfidat e menjëhershme dhe të rrezikshme”, me të cilën tash ballafaqohet Uashingtoni.

Ai theksoi se shpreson se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, do të bëjnë progres në frontin diplomatik, por tha se Uashingtoni “do të bëjë çdo gjë të mundur”, për parandalimin e Iranit nga zhvillimi i armatimit atomik.

Duke pasur parasysh interesin e jashtëzakonshëm në moszgjerim, ne duhet t’i zgjidhim pyetjet që e rrethojnë programin bërthamor të Iranit. Presidenti Obama e ka bërë të qartë se ne do të bëjmë atë që duhet ta bëjmë për ta parandaluar Iranin nga prodhimi i armatimit atomik. E përsëris: politika jonë nuk është kufizim. Ajo është parandalim. Ora po troket që përpjekjet tona të sigurojnë bashkëpunim përgjegjës”, tha John Kerry.

Gjatë dëgjimit në këtë komitet, disa senatorë republikanë e kanë akuzuar administratën Obama për pasivitet gjatë trazirave në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore.

Kerry e ka mbrojtur qasjen e “të zhyturit në mendime” por tha se beson se “mund të punojmë më mirë, sinqerisht, duke e afruar popullin rreth vlerave dhe ideve që ne i kemi organizuar për vete”.

Duke folur për raportet me Rusinë ai theksoi se ato “kanë rrëshqitur prapa gjatë viteve të fundit”, por ka shfaqur shpresën se tensionet mund të kapërcehen.

John Kerry, i cili praktikisht kishte shërbyer si i dërguar në Afganistan dhe Pakistan, në administratën Obama, tha se mbajtja e zgjedhjeve presidenciale vitin e ardhshëm në Afganistan, do të jenë “kritike” për suksesin e tranzicionit në këtë vend.

Sipas tij, Uashingtoni duhet të arrijë bashkëpunim më të mirë me Pakistanin.

Zoti Kery ka premtuar përmirësimin e pozitës së femrave në mbarë botën dhe shqyrtimin e sfidave për shkak të ndryshimeve klimatike. (f. b.)
XS
SM
MD
LG