E mërkurë, korrik 30, 2014 Kosova 15:07

Shëndetësi

Në luftë me kancerin e qafës së mitrës

Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje vdekjeprurëse, sëmundje kjo që prek rreth  400 mijë gra në vit, dhe 200 mijë të tjera vdesin brenda vitit në botë.

Por profesionistët shëndetësorë thonë se nëse zbulohet me kohë, është 100 për qind e shërueshme.

Në një tryezë të organizuar nga shoqata e gjinekologëve dhe obstetërve të Kosovës, është folur për vetëdijesimin e grave për diagnostikim të hershëm të kësaj sëmundjeje.

Shefqet Lulaj, udhëheqës i kësaj shoqate, jep më shumë hollësi.

"Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje vdekjeprurëse Më të rrezikuara janë gratë e vendeve në zhvillim,  ku shkalla e vdekjes është 72 në 100 mijë, derisa ato të vendeve më të zhvilluara janë më pak të rrezikuara ku shkalla e vdekjes është rreth  10 në 100 mijë".
Papa testi ofrohet falas, gjithashtu edhe biopsia, që ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

"Vendet e zhvilluara përmes programeve të tyre nacionale  për skanim të qafës së mitrës,  kanë arritur ta zvogëlojnë numrin e vdekjeve te gratë e moshës 25 deri 60 vjeçare. Detektimi i hershëm dhe trajtimi Iityre me kohë do të thotë fitore", thotë Lulaj.

Ndërkaq drejtoresha e klinikës gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Myrvete Paçarada,  ka bërë të ditur se brenda kësaj klinike çdo ditë zbulohen raste të reja të femrave të prekura me kancer të qafës së mitrës.

"Sëmundja e kancerit të qafës së mitrës,  mbetet njëra nga sëmundjet më shqetësuese për femrat tona, edhe përkundër asaj se po punohet për ta zbuluar herët këtë sëmundje.. Klinika gjinekologjike dhe obstetrike me ambulancat e saj specialistike çdo ditë zbulon raste të reja dhe trajton raste me kancer në qafën e mitrës", tregon Paçarada.

Por, sipas saj, për shkak të mosinformimit të duhur të femrave lidhur me sëmundjen në fjalë, shumica e rasteve paraqiten me vonesë.

"Por femrat kryesisht paraqiten me vonesë, dhe nuk janë të informuara sa duhet për rrezikshmërinë e kësaj sëmundjeje. Klinika posedon stafin e specializuar dhe aparaturën e nevojshme për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës. Papa testi ofrohet falas, gjithashtu edhe biopsia, që ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje. Dua të potencoj që sëmundja e kancerit të qafës së mitrës është 100 për qind e shërueshme nëse zbulohet me kohë", shprehet ajo.

Dua të potencoj që sëmundja e kancerit të qafës së mitrës është 100 për qind e shërueshme nëse zbulohet me kohë.
Derisa doktoresha Syheda Latifi Hoxha, shefe e sallës së lindjes në klinikën gjinekologjike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në Kosovë nuk dihet numri i saktë i grave që janë prekur me kancerin e qafës së mitrës, për shkak se, siç thotë ajo, mungon kancer regjistri, që do të mund të identifikonte çdo rast.

"Në Kosovë nuk ekzistojnë statistika se sa është zbuluar karcinoma e qafës së mitrës. Besoj në të ardhmen duhet të kemi një sistem shëndetësor elektronik ku çdo femër ta ketë kartelën e vet shëndetësore. Gjithashtu duhet të përpilohet një strategji që të vaksinohen të gjitha vajzat e reja kundër kancerit të qafës së mitrës. Te ne nuk aplikohet ende vaksinimi i vajzave, derisa  kjo sëmundje mund të parandalohet edhe me papa test, nëse nuk janë vaksinuar".

Sidoqoftë, ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ka thënë se ministria që ai udhëheq vetëm vitin e kaluar ka ndarë 6.5 milionë euro për blerje të citostatikëve, pra barnave me të cilat trajtohen të prekurit me kancer.

"Ministria e Shëndetësisë  është e përkushtuar që të jep një kontribut maksimal në përpjekjet e gjithëmbarshme profesionale që ta adresojmë këtë problem. MSH ndan një shumë tejet të madhe të mjeteve për blerjen e barnave anti-kanceroze  dhe kjo shumë ka arritur një shumë prej 6.5 milionë vetëm vitin e kaluar dhe krahasuar me buxhetin që kemi është shpenzim enorm. Andaj duhet të bëhet një program për parandalimin e kësaj sëmundjeje".

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum