E mërkurë, tetor 22, 2014 Kosova 06:48

Bota

Tensione në Egjipt, autoritetet pozicionojnë ushtrinë

Aleksandri
Aleksandri
RFE /RL
Autoritetet e Egjiptit kanë vendosur trupa dhe automjete të blinduara në qytetin Suez - çfarë pason dhunën ndërmjet forcave të sigurisë dhe protestuesve, e cila ka lënë të paktën shtatë njerëz të vrarë dhe qindra të plagosur.

Gjashtë persona raportohet se janë vrarë në Suez, ndërsa një tjetër në Ismailia.

Përleshjet kanë shpërthyer të premten, në përvjetorin e dytë të revoltës popullore, e cila ka çuar në rrëzimin e sunduesit veteran të Egjiptit, Hosni Mubarak.

Autoritetet thonë se ushtria është vendosur në Suez për të mbrojtur institucionet qeveritare.

Në një mesazh në Twitter, presidenti Muhammad Morsi ka bërë thirrje për qetësi, duke thënë se qytetarët duhet të respektojnë idealet e revolucionit dhe të shprehin pikëpamjet e tyre në mënyrë paqësore.

Fajin për dhunën, ai ua ka hedhur “kriminelëve” dhe është zotuar se të gjithë keqbërësit do të sillen para drejtësisë.

Protestuesit akuzojnë Morsin se ka dështuar të përmbushë qëllimet demokratike të revolucionit dhe se i ka dorëzuar zhvillimin e vendit Vëllazërisë Myslimane, parti së cilës i përket edhe vetë presidenti.

Trazira janë raportuar në 12 nga 27 provincat e Egjiptit. Ato kanë ndodhur edhe jashtë pallatit presidencial në Kajro, në qytetin e Aleksandrisë dhe të tjera.

Raportet thonë se protestuesit në disa zona kanë sulmuar zyrat e Vëllazërisë Myslimane dhe ndërtesat qeveritare.

Në Suez është shtënë me municion të vërtetë dhe policia ka përdorur gazin lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit.

KajroKajro
x
Kajro
Kajro
“Ky është reagim i natyrshëm për vendin, i cili ndodhet në një gjendje më të keqe sesa në kohën e Mubarakut. Ky është reagim i natyrshëm i njerëzve që nuk kanë ndjerë efektet e revolucionit. Ata kanë vjedhur revolucionin nga revolucionarët”, është shprehur njëri nga protestuesit.

Trazirat shënojnë konfrontimin e fundit ndërmjet protestuesve dhe qeverisë së Morsit, i cili është zgjedhur në zgjedhje demokratike në fund të qershorit të vitit të kaluar, për t’u bërë presidenti i parë me mbështetje islamike.

Protestuesit kërkojnë anulimin ose ndryshimin e kushtetutës së re, e cila është miratuar në një referendum kontrovers, muajin e kaluar.

Kushtetuta, e hartuar nga një këshill me shumicë myslimane, kritikohet se nuk garanton të drejta dhe liri themelore për gratë dhe minoritetet.

Përleshjet po ashtu ndodhin si pasojë e zemërimit të shumë egjiptianëve me rënien ekonomike.

Trazirat e dy vjetëve të fundit kanë dëmtuar në masë të madhe ekonominë e vendit të 15-në botë për nga numri i popullsisë, duke shkaktuar rënie të investimeve të huaja direkte, përkeqësim të turizmit dhe të rezervave valutore. (v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum