Ndërlidhjet

Serbia në BE - as për dhjetë vjetët e ardhshëm


Eksperti amerikan për Ballkanin, Danier Serwer.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Danier Serwer.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Danier Serwer, ka thënë se Serbia nuk do të marrë “biletën” për në Bashkimin Evropian as për dhjetë vjetët e ardhshëm.

“Me normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën aktualisht nënkuptohet marrëveshja rreth veriut të Kosovës. Ajo do të jetë e mjaftueshme për marrjen e datës, por Serbisë i duhet të shkojë më tutje – të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën dhe të shkëmbejë ambasadorët”, ka thënë ai për gazetën serbe “Veçernje Novosti”.

Serwer, i cili është profesor i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, ka thënë se anëtaret e Bashkimit Evropian që e kanë njohur Kosovën, do të këmbëngulin në marrëdhënie diplomatike midis Prishtinës dhe Beogradit, edhe nëse një gjë të tillë nuk e bën BE-ja si tërësi.

“Do të ketë shumë kushte në muajt dhe vitet e ardhshme. Kosova do të jetë problem në shumicën e 35 kapitujve të bisedimeve. Do të duhet të plotësoni shumë kritere të tjera për anëtarësim, në përputhje me standardet evropiane. Nuk ekziston një, por shumë ‘bileta’ për BE. Për to do t’ju duhet më së paku një dekadë”, ka deklaruar Serwer.

Sipas tij, për Serbinë paraqet problem edhe fakti se është e dhënë ndaj lidhjeve me Rusinë dhe Lëvizjes së të Painkuadruarve dhe se nuk heq dorë nga së kërkuari sovranitet mbi Kosovën – gjë që “nuk ka asnjë lidhje me të ardhmen në BE”.

“Nëse keni përshtypjen se ky proces ju sjell vetëm dhimbje, atëherë ndoshta jeni në rrugë të gabuar”, është shprehur Serwer.

Idetë e disa autoriteteve serbe për ndarje të Kosovës, ai i ka konsideruar si përpjekje joreale, sepse “nuk ka mundësi të ndryshimeve të reja të kufijve në Ballkan”. “Kjo nuk do të jetë e pranueshme as për Evropën, as për Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Serwer, i cili edhe dokumentet për Kosovën, të miratuara nga Qeveria dhe Kuvendi i Serbisë, i ka cilësuar si të papranueshme për botën.

“Nuk mendoj se platforma është hap përpara. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë në bisedimet midis Daçiqit dhe Thaçit. Kjo është më e rëndësishme se ajo që thuhet në platformë”, ka thënë Serwer.

Analisti amerikan ka shfaqur bindjen se Plani i Ahtisaarit është zgjidhja më e mirë.

“Ai tashmë është pranuar në Prishtinë, Uashington dhe Bruksel. Në këto qendra priten marrëveshje të mëtejshme, të cilat do të çojnë në zbatimin e Planit të Ahtisaarit”, ka thënë Daniel Serwer, nga Universitetit Johns Hopkins. (v.t.)
XS
SM
MD
LG