E mërkurë, tetor 22, 2014 Kosova 11:36

Bota

Dënimi i tifozëve shkakton dhunë të re në Egjipt

Port Said, 26 janar 2013.
Port Said, 26 janar 2013.
RFE /RL
Drejtësia në Egjipt ka dënuar me vdekje 21 të pandehur, për shkak të trazirave të një viti më parë, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e disa personave.

Vendimi i gjykatës ka shkaktuar dhunë në qytetin Port Said, ku kanë humbur jetën të paktën 22 persona.

Kjo ndodh një ditë pas shënimit të dhunshëm të përvjetorit të revolucionit popullor, i cili, në vitin 2011, ka çuar në rrëzimin e sunduesit veteran të Egjiptit, Hosni Mubarak.

Shtatëdhjetekatër njerëz kanë humbur jetën më 1 shkurt të vitit 2012 në trazirat që kanë pasuar ndeshjen midis klubit futbollistik të Kajros, Al-Ahly, dhe atij të qytetit Port Said, Al-Masry. Dhuna në Port Said kishte shkaktuar trazira edhe në Kajro, gjatë të cilave kishin humbur jetën të paktën 16 njerëz.

Të 21 të pandehurit të dënuar me vdekje të shtunën, kanë qenë tifozë të Al-Masryt.

Pas leximit të vendimit nga një gjykatës në Kajro, turma njerëzish janë mbledhur për të festuar dënimet jashtë selisë së klubit Al-Ahly në kryeqytet.

Megjithatë, vendimi ka shkaktuar zemërim në Port Siad, ku mbështetësit dhe të afërmit e të dënuarve kanë bërë përpjekje të sulmojnë burgun, ku ndodhen të pandehurit, dhe kanë sulmuar stacionet e policisë.

KajroKajro
x
Kajro
Kajro
Zyrtarët thonë se 22 njerëzit që kanë humbur jetën në dhunën e sotme, përfshijnë dy policë.

Njësitet e ushtrisë janë vendosur në rrugët e qytetit për të ndaluar përleshjet e reja.

Vendimet për 52 të pandehur të tjerë në rastin, përfshirë zyrtarë policorë, do të bëhen publike më 9 mars.

Të premten, dhuna ndërmjet policisë dhe protestuesve ka lënë të paktën shtatë njerëz të vrarë dhe mbi 450 të plagosur.

Të paktën gjashtë nga vdekjet kanë ndodhur në qytetin Suez, ku autoritetet kanë vendosur trupat ushtarake dhe automjetet e blinduara për të mbrojtur institucionet qeveritare.

Protestuesit akuzojnë presidentin Muhammad Morsi se ka dështuar të përmbushë synimet demokratike të revolucionit.

Në një mesazh në Twitter, Morsi ka bërë thirrje për qetësi, duke thënë se qytetarët duhet të respektojnë idealet e revolucionit dhe të shprehin pikëpamjet e tyre në mënyrë paqësore.

Fajin për dhunën, ai ua ka hedhur “kriminelëve” dhe është zotuar se të gjithë keqbërësit do të sillen para drejtësisë. (v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum