Ndërlidhjet

Kundërshtitë e serbëve të veriut ndaj Beogradit - farsë


Protesta të serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës - foto arkivi
Protesta të serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës - foto arkivi
Takimi i fundit në Bruksel ngjall dilemën nëse kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, kanë vendosur ndonjë kornizë, mbi të cilën do të shpërbëheshin strukturat paralele serbe, që, sipas shumë vëzhguesve, mbajnë peng veriun e Kosovës dhe krijojnë paqëndrueshmëri jo vetëm në këtë pjesë, por edhe më gjerë.

Publicistë e analistë nga Prishtina e Beogradi shohin përtej deklaratave publike, siç ishte ajo e Thaçit se “Qeveria e Serbisë merr obligime dhe përgjegjësi për shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë dhe largimin e tyre nga Kosova”, apo deklarata e Daçiqit, se “zgjidhja në këtë drejtim qëndron te krijimi i institucioneve të pranueshme si për Prishtinën, ashtu edhe për serbët e Kosovës”.

Agron Bajrami, analist kosovar, thotë se Prishtina ka bërë gabim në hapa, sepse për strukturat e tilla, sipas tij, as që është dashur të flitet, pasi ato bien ndesh jo vetëm me Kushtetutën e ligjet e Kosovës, por edhe me vetë Rezolutën 1244.

Përmendja e tyre në bisedime, sipas Bajramit, hap terren për koncesione nga ana e kosovarëve.

“Kjo lë të kuptohet se zhbërja e tyre po negociohet pjesërisht. Pra, mund të vijmë në një situatë ku një pjesë e strukturave të zhbëhet, por një pjesë të legalizohet. Dhe, kjo do të ishte në dëm të Kosovës, për shkak të lojalitetit që këto struktura kanë ndaj Qeverisë së Serbisë dhe ai lojalitet do jetë në dëm të Kosovës, sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur”, thotë Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, analisti nga Serbia, Marko Matiq, beson se tjetër gjë është folur në Bruksel, e tjetër i është paraqitur publikut.

“Pyetja thelbësore është nëse negociatat rezultojnë me një marrëveshje në formatin aktual të dialogut. Nuk jam optimist dhe besoj se forma aktuale e negociatave hap pas hapi, është e dalë mode dhe ka nevojë që të arrihet marrëveshje gjithëpërfshirëse. Por, me këtë nuk nënkuptoj se duhet të përfshihet ndarja, apo shkëmbimi i territoreve”, shprehet Matiq për Radion Evropa e Lirë.

Pas marrëveshjes së arritur në Bruksel në lidhje me doganat, por edhe marrëveshjet tjera që prekin veriun, politikanët serbë të kësaj pjese të Kosovës kanë nisur sërish bllokimin e rrugëve, duke pamundësuar zbatimin e marrëveshjeve.

Kjo lë përshtypjen se serbët e veriut po i kundërvihen Beogradit zyrtar. Por, Marko Matiq nuk mendon kështu.

“Serbët varen nga asistenca e Beogradit dhe është vështirë të imagjinohet se ata kundërshtojnë marrëveshjet në Beograd pa mbështetjen e Qeverisë së Serbisë”, thotë ai.

Ngjashëm, edhe Bajrami shprehet se Beogradi vazhdon t’i kontrollojë serbët e veriut dhe, në të njëjtën kohë, për publikun e jashtëm bën sikur është i gatshëm të shpërbëjë strukturat paralele.

“Beogradi natyrisht se i kontrollon serbët e veriut për arsyen e thjeshtë - ai i financon ata. Dhe, të gjitha ato struktura, qoftë ato paralele, qoftë grupet kriminale, veprojnë me përkrahje financiare dhe logjistike nga Serbia”.

“Po të ishte Beogradi për zgjidhje të çështjes së veriut në kuptimin e sigurisë, për krijimin e një ambienti më të mirë edhe për vetë serbët në atë pjesë të Kosovës, ai nuk do t’i financonte këto struktura që ngrenë barrikada dhe krijojnë pasiguri te popullata që është shumicë serbe atje”,
shprehet Bajrami.

Në platformën e Serbisë, së cilës duhet t’i bindet negociatori me Kosovën, kryeministri Daçiq, propozohet dhënie e një autonomie për pjesën veriore të Kosovës. Autoritetet e Kosovës kanë hedhur poshtë dhënien e një autonomie të tillë. Shumë e shohin zgjidhjen te Plani Ahtisaari.


Rreziku nga "bosnjëzimi" i Kosovës

Bajrami thotë se Serbia, edhe në negociata në Bruksel, përpiqet të imponojë një zgjidhje që do të ishte si një ‘bosnjëzim’ i Kosovës.

“Serbia përpiqet të krijojë një situatë të ngjashme me atë në Bosnjë. Pra, të krijojë një pjesë të territorit, që e kontrollojnë serbët pa ndërhyrjen e qeverisë qendrore në Prishtinë, dhe të mos e njohë pjesën tjetër të Kosovës si shtet. Kjo është një ndarje nga e cila Serbia përfiton, ndërsa Kosova asgjë. Ky është rreziku”, thotë Bajrami, duke porositur negociatorët kosovarë që të mos dalin me kundërpërgjigje ndaj planeve të Serbisë, sepse kështu detyrohen të bëjnë koncesione.

Në anën tjetër, Marko Matiq e sheh si çështje urgjente mbajtjen sa më të shpejtë te zgjedhjeve lokale në komunat veriore të Kosovës.

“Është e rëndësishme që të arrihet marrëveshje për planifikimin e zgjedhjeve lokale në komunat veriore të Kosovës, që ato të mbahen sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Por, para tyre, Serbia duhet që t’i tërheqë strukturat e sigurisë nga ajo zonë”, thotë Matiq.

Serbisë i është kërkuar heqja e strukturave paralele nga autoritetet e BE-së, të SHBA-së dhe shtetet e mëdha perëndimore, ku ndër më të zëshmet mbesin Gjermania e Britania.

Komisioni Evropian ia ka kushtëzuar Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim me normalizimin e raporteve me Kosovën, si dhe me zhbërjen e këtyre strukturave.

Kosova dhe Serbia aktualisht po zhvillojnë një proces dialogu, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që si qëllim ka normalizimin e raporteve.

Megjithatë, mungesa e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ka bërë që shumë skeptikë të hedhin dyshime nëse bisedimet do të sjellin rezultat.
XS
SM
MD
LG