E premte, prill 18, 2014 Kosova 20:13

Shtypi botëror

National Interest: Çështjet kurde të Erdoganit

Tayip Erdogan
Tayip Erdogan
Madhësia e shkronjave - +
Diskutimi politik në Turqi ndryshon shpejtë. Dje, në të shumtën e rasteve, ishte Siria. Sot është ajo e arritjes së paqes me kurdët. Kjo ishte gjë e mirë për qëndrimin politik të kryeministrit Recep Tayyip Erdogan, së paku për momentin, shkruan në fillim të artikullit revista National Interest.

Në vitin 2012 u shënua 10 vjetori i qeverisjes së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), që është një e arritur e rrallë në politikën turke. Partia ishte njëra nga pak gjërat konstante në Turqinë e re dhe më vitale. Por, ishte vit i vështirë për Erdoganin, për shkak të luftës civile të pafund në Siri. Pas një viti të kritikës intensive lidhur me trajtimin e tij të Sirisë, përfshirë kritikat edhe nga anëtarët e partisë së tij, fati politik i Erdoganit duket se është dëmtuar.

Për të parën herë kryeministri e ka humbur mbështetjen publike dhe përpjekjet e tij për ndryshimin kushtetues të sistemit politik në Turqi, në një sistem të fuqishëm presidencial, kanë hasur në probleme.

Për të qenë më specifik, Erdogan ka pak për të treguar për përpjekjet e tij për largimin e Assadit nga posti: më se 150 mijë refugjatë sirianë në kampe, 80 mijë të tjerë në qytetet turke, dhe nuk ka shenjë se ish shoku i tij Bashar al-Assad, do të shkoj, shkruan National Interest.

Për më keq, largimi i forcave të Assadit nga hapësirat e banuara me popullatë shumicë kurde, i ka lejuar Partisë Popullore Kurde (PPK) siriane të përfitoj dhe, me gjasë, të krijojë një zonë tjetër autonome në Sirinë e re.

Asgjë nga kjo nuk ka ndryshuar, bile mund të thuhet se në Siri është edhe më keq, por disponimi në Turqi ka ndryshuar. Pozicioni politik i Erdoganit ka lëvizur në një terren të paqartë, kur ai shpalli se qeveria i ka vazhduar diskutimet me liderin e vetëm të PPK-së, Abdullah Ocalan. Mëtutje, ai u ka lejuar parlamentarëve kurdë të takohen me Ocalanin për të parën herë, pas 14 viteve në burg të Ocalanit.

Revista National Interest me seli në Uashington, vlerëson se përpjekjet e tij morën mbështetje nga mbarë spektri politik, me përjashtim të nacionalistëve, dhe shërbyen për mënjanimin e kritikave lidhur me katastrofën e vazhdueshme në Siri.

Turqia shpreson, megjithë paqartësitë e mëdha, se bisedimet me Ocalanin mund të nënkuptohen si negociata gjithëpërfshirëse për t’i përfunduar luftimet dhe për t’i shqyrtuar kërkesat e popullatës së madhe kurde të Turqisë.

Në hulumtimet e opinionit shkalla e miratimit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit mbetet mbi 50%.

Procesi i paqes është thellësisht i vështirë. Përfitimet e të dy palëve mbeten të dëshmohen, emocionet janë të thella, kohezioni i Partisë Popullore Kurde është i paqartë.

Por, zhvillimet rajonale mund të ndërhyjnë ashpër në këtë proces dhe në përpjekjet e Erdoganit për ta ndryshuar sistemin politik. Këto zhvillime janë: kriza në Siri mund të përkeqësohet edhe nëse Asadi largohet, me gjakderdhje më të mëdha sektare; ekziston perspektiva për më tepër refugjatë, dhe një e ardhshme e paqartë për kurdët në Sirinë e shkatërruar; dhe me gjasë ajo që mund të ndodhë menjëherë, thellimi i krizës lidhur me unitetin e Irakut dhe e ardhmja e hapësirave të tij kuazi-të pavarura kurde.

Pra, viti 2013, për Erdoganin dhe Turqinë, është i një rëndësie madhore. E ardhmja e kurdëve të Turqisë dhe e gjithë rajonit, tash është në lëvizje aktive. Rrjedhimisht, edhe e ardhmja e Erdoganit.

Çështja kurde në Turqi, tash është shndërruar në problem amerikan, poashtu. Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar gjithnjë larg nga kjo çështje, me përjashtim të dhënies së mbështetjes së konsiderueshme për përpjekjet turke për shkatërrimin e PKK-së në pjesën veriore të Irakut.

Por, ajo që Shtetet e Bashkuara bëjnë në Siri dhe Irak, tash mund të ndikojë direkt në situatën e brendshme në Turqi.

Sot, Uashingtoni nuk është në faqen e njejtë me Turqinë lidhur me Irakun dhe me gjasë, po ashtu, lidhur me Sirinë - edhe nëse Assadi largohget. Për të parën herë, Shteteteve të Bashkuara u duhet një politikë e gjërë rajonale kurde. Raportet Shtetet e Bashkuara – Turqi mund të bëhen pak më të tensionuara, shkruan në fund të një artikulli të gjatë revista National Interest.

Përgatiti: Fatmir Bujupi