E enjte, dhjetor 18, 2014 Kosova 18:19

Rajoni

Ide të reja për emrin

Dy qeveritë, ajo e Greqisë dhe Maqedonisë nuk kanë shpalosur asnjë detaj në lidhje me bisedimet që janë zhvilluar në Nju Jork.

Mediat maqedonase kanë njoftuar se zgjidhja e kontestit të emrit ka hyrë në fazë përfundimtare dhe në këtë takim pritet të bisedohet vetëm për detajet teknike rreth marrëveshjes Maqedoni- Greqi.

Mediat në gjuhën maqedonase madje kanë njoftuar se emri i ri do të jetë: Republika e Maqedonisë së Vardarit ose Republika Veriore e Maqedonisë.

Por, sipas këtyre burimeve, në maj pritet që qytetarët e Maqedonisë të prononcohen në referendum për zgjidhjen e mundshme që do të arrihet mes dy palëve.

Por mungesa e prononcimeve zyrtare rreth detajeve të takimit ka nxitur reagimin e opozitës maqedonase, LSDM-së.

Në muajt e fundit, dëgjojmë informacione se bisedimet janë në siç thonë një fazë më të avancuar; se të dyja palët janë të gatshme të pranojnë ndonjë zgjidhje që e propozon Nimic, por gjithçka që marrim nga Qeveria jonë maqedonase është heshtja. Nuk kemi informata se cilat janë propozimet, dhe nga vijnë ato, nuk kemi informacione as rreth qëndrimit të qeverisë maqedonase për këto propozime të reja".

"Është jo serioze që askush në opinionin maqedonas, përveç kreut të VMRO-së, të mos informohet për këtë çështje të ndjeshme dhe të rëndësishme për Maqedoninë”, është shprehur Radmilla Shekerinska ish zëvendëskryeministrja për çështje të integrimeve nga radhët e LSDM.

Por partia e kryeministrit Nikolla Gruevski VMRO-DPMNE i është kundërpërgjigjur këtij reagimi se nuk ka asgjë të fshehtë në bisedimet, dhe se çdo zgjidhje e mundshme paraprakisht do të marrë pëlqimin e qytetarëve duke u prononcuar në referendum.

Nga ana tjetër, Nikolla Dujovski, ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare vlerëson se çështja e emrit paraqet vendim serioz dhe për atë arsye është i domosdoshëm një konsensus më i gjerë i forcave politike të vendit

Pushteti fare nuk ka mandat që vetë ta zgjidh këtë çështje. Në zgjidhjen e kontestit të gjitha duhet të jenë të përfshira, dhe besoj se edhe kështu duhet të ndodh".

"Mendoj se qytetarët duhet të jenë mirë të informuar dhe se opozita duhet të përfshihet në zgjedhje sepse aspak nuk guxon që për një çështje kaq serioze të ndërtohen qëndrime të ndara”, thekson Dujovski.

Por, ish diplomati Arsim Zekolli, thotë se zhvillimet intensive rreth zgjidhjes së kontestit nuk lënë dhe aq shumë për të shpresuar nëse nuk zgjidhet paraprakisht kriza e brendshme politike në vend.

Bazuar nga informatat e mediave, në mungesë të informatave të sakta nga përfaqësuesit e përfshirë në zgjidhjen e kontestit në fjalë, krijohet se ka ndonjë zhvillim në kuadër të bisedimeve që do të çonin kah zgjidhja e kontestit, por nuk jam plotësisht i bindur nëse kjo do të mund të implementohet në realitet aq shpejtë ashtu siç ne dëshirojmë".

"Veçanërisht nëse kihen parasysh zhvillimet e fundit politike në Maqedoni. Të cilat komplikohen c`do ditë e më shumë. Madje dhe agjencia për hulumtime Strastfor çështjen e emrit e rangon në plan të dytë tregon qartë se situata në Maqedoni sa vjen e më shumë komplikohet dhe në këtë moment nuk jam plotësisht i bindur se dhe aq e shpejtë siç dëshirojmë”, thekson Zekolli.

Megjithë atë, të dy ekspertët, Dujovski dhe Zekolli janë të mendimit se çdo rezultat që do të çonte kah zgjidhja përfundimtare krijon mundësi që Maqedonia në qershor t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum