E enjte, prill 17, 2014 Kosova 23:29

Shëndetësi

Institucionet publike shëndetësore, pa transparencë dhe llogaridhënie

QKUK
QKUK
Madhësia e shkronjave - +
Transparenca dhe llogaridhënia ne institucionet  publike shëndetësore mungon.

Këtë e thotë vetë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, duke deklaruar se që është tentuar që dy vitet e fundit të ngritët kjo përgjegjësi, por që sipas tij, sistemi i vjetër shëndetësor nuk e ka lejuar një gjë të tillë.

"Transparenca dhe llogaridhënia në institucionet publike shëndetësore, por edhe në institucionet qeveritare që janë në raport me to mungon, edhe pse është tentuar dy vitet e fundit të ngrihet në maksimum, aq sa ka lejuar sistemi i vjetër shëndetësor".

"Me vetë faktin që institucioni qeveritar, Ministrisë së Shëndetësisë ia ka dhënë të drejtën që të jetë edhe menaxher i institucioneve shëndetësore edhe monitorues dhe kontrollues i tyre, qysh në fillim është pamundësuar të jetë llogaridhënës dhe i përgjegjshëm", thotë Agani për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, edhe udhëheqësi i federatës së shëndetësisë, Blerim Syla, thotë se në institucionet publike shëndetësore nuk ka fare transparencë, e as llogaridhënie.

"Totalisht mungon transparenca dhe llogaridhënia, sidomos në listën esenciale të barnave që është një segment i dhimbshëm. Ne si federatë kemi tentuar që ta monitorojmë por statistikat janë tmerruese, ngase menaxhmenti nuk do të jetë transparent. Fjala është për një menaxhment të vjetër dhe që definitivisht shëndetësinë nuk e ka prioritet", thekson Syla.

Ndërkaq, Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se mungesa e llogaridhënies dhe transparencës ka bërë që qytetarët të jenë viktimat .

Sipas tij, edhe politika është ajo që ka ndikuar në mos përgjegjësinë dhe mos llogaridhënien.

"Qytetarët nuk janë të kënaqur as me transparencë dhe as me llogaridhënie dhe mendoj që nuk ka transparencë , dhe mendoj se politika është ajo që ndikon shumë .  Dihet shumë mirë që shëndetësia kosovare ka qenë e përfshirë në shumë afera, dhe pikërisht për shkak të mos transparencës  ka pasur arrestime , hetime  brenda ministrisë", thotë ai.

Zoti Shala gjithashtu pohon se edhe vetë ministri i Shëndetësisë, zoti Agani, është person politik, andaj politika ndikon drejtpërdrejt në vetë institucionin që ai udhëheq.

"Politika sigurisht që ka ndikuar. Vetë ministri Agani është person politik, kryetar i një partie, dhe politika ndikon drejtpërdrejt, jo vetëm në Ministrinë e Shëndetësisë, por në të gjitha sferat e jetës", shprehet Shala.

Në anën tjetër, Blerim Syla, jep një shembull që e dëshmon se transparenca në institucione publike shëndetësore mungon.

"Për shembull, në QKUK, në 230 tendere që janë dhënë, sindikata nuk është ftuar në cilësinë e monitoruesit, sepse ne atë rol e kemi që t'i bëjmë publike karshi opinionit".

Sidoqoftë, zoti Agani ka deklaruar se Ligji i ri i shëndetësisë, që pritet të hyj në fuqi , do të krijojë kushte të reja ku transparenca do të jetë në nivel më të lartë, dhe në funksion të drejtpërdrejt të cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : avdiu
31.01.2013 19:21
tkish pase llogaridhenie dhe transprence , i kishim pase punt ma mire! kurfar risie...