E premte, shtator 19, 2014 Kosova 21:51

Bota

Clinton: SHBA – më e fuqishme brenda, më e respektuar në botë

Clinton: Lidershipi ka çmimin e veti
X
01.02.2013
Në fjalimin e fundit si sekretare amerikane e shtetit, Hillary Clinton ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë “më të fuqishme brenda dhe më të respektuara në botë” sesa në kohën kur ka marrë postin e kryediplomates, katër vjet më parë.

Clinton: Lidershipi ka çmimin e vet

RFE /RL
Në fjalimin e fundit si sekretare amerikane e shtetit, Hillary Clinton ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë “më të fuqishme brenda dhe më të respektuara në botë” sesa në kohën kur ka marrë postin e kryediplomates, katër vjet më parë.

Clinton ka folur para një audience në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington.

Shumëçka ka ndryshuar në katër vjetët e fundit. Nën udhëheqjen e presidentit Obama, ne kemi përfunduar luftën në Irak, kemi nisur tranzicionin në Afganistan dhe kemi sjellë Osama bin Ladenin para drejtësisë. Po ashtu kemi rigjallëruar diplomacinë amerikane dhe kemi forcuar aleancat".

"Rimëkëmbja ekonomike nuk është ende e plotë, por jemi në drejtim të duhur. Me pak fjalë, Amerika sot është më e fuqishme brenda dhe më e respektuar në botë. Dhe, udhëheqja jonë globale është në pozitë më të fortë seç është parashikuar”, ka deklaruar Clinton.

Ajo ka thënë se Amerika do të mbetet “fuqia e nevojshme” e botës, por duhet të vazhdojë të përdorë “mjetet e shekullit 21” të diplomacisë, përfshirë fokusin në teknologjitë e reja.

Clinton ka thënë se synimet e politikës së jashtme në vitet e ardhshme përfshijnë konsolidimin e pozicionit të SHBA-së në Azi, përfundimin e luftës në Afganistan, drejtimin e ndryshimeve në Lindjen e Mesme dhe vazhdimin e angazhimit të gjerë ekonomik.

Sekretarja po ashtu i ka bërë thirrje Uashingtonit të ndihmojë respektimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën.

Në shekullin e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr botën duke pranuar se të drejtat universale ekzistojnë dhe se qeveritë janë të obliguara që t’i respektojnë ato. Tani, ne kemi vendosur veten në vijat e para të betejave të reja, siç është lufta për mbrojten e të drejtave të komunitetit LGBT dhe të pakicave fetare, kudo dhe kushdo që ato janë”, ka thënë Clinton.

Ajo ka përshkruar arritjen e barazisë për gratë në mbarë botën si “biznes të papërfunduar të shekullit 21”.

Clinton ka shpjeguar se si Uashingtoni, i përballur me njërën nga sfidat më të mëdha politike të shekullit 21 – Luftën e Ftohtë – mund të ofrojë mësime edhe për të ardhmen.

Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar “ata që kanë qenë në anën e demokracisë dhe të lirisë, që të mbijetojnë pas Perdes së Hekurt dhe të lulëzojnë pas rënies së saj”.

Në kohën se ka qenë sekretare e shtetit, Clinton ka udhëtuar në 112 vende të botës. Nga mediat botërore është vlerësuar si gruaja më e famshme në botë. Nuk kanë munguar edhe zërat se ajo do të garojë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, më 2016.

Senatori John Kerry, që është pasues i Clintonit në Departamentin e Shtetit, do të marrë detyrën më 4 shkurt.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum