E martë, shtator 02, 2014 Kosova 03:53

Intervista

Viezzoli: BERZH do ta ndihmojë Kosovën

Claudio Viezzoli, drejtor i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor.
Claudio Viezzoli, drejtor i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor.
Laura Konda

"Zëri i Amerikës"

Kosova u bë anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim më 17 dhjetor të vitit të kaluar. Kjo organizatë e ka mbështetur vendin që nga viti 1999 me projekte në sektorin privat dhe do të vazhdojë edhe më tej, tani që Kosova është anëtare e këtij institucioni, thotë drejtori i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, Claudio Viezzoli. Në një intervistë nga Londra, zoti Viezzoli thotë se Banka është e gatshme të investojë për disa projekte të rëndësishme në Kosovë, me kusht që procesi i privatizimit të zhvillohet me drejtësi dhe transparencë, sipas standardeve ndërkombëtare.

ZËRI I AMERIKËS
Zoti Viezzoli, Kosova u bë anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në dhjetor të vitit të kaluar. Përse me kaq vonesë, nëse kemi parasysh që organizata të tjera, si FMN-ja dhe Banka Botërore e pranuan Kosovën anëtare që në vitin 2009, një vit pas shpalljes së pavarësisë?

CLAUDIO VIEZZOLI
Do ta vendos pyetjen tuaj në kontekstin e duhur, BERZH e ka kryer vizitën e saj të parë në Kosovë, rreth 10 ditë pas përfundimit të luftës, që në vitin 1999. Ne e nënshkruam projektin tonë të parë në nëntor të vitit 1999 dhe që atëherë ne kemi pasur atje zyrën tonë, me stafin e përhershëm që filloi menjëherë nga puna.

Deri tani kemi krijuar në Kosovë një portofol me vlerë 70 milionë euro, kemi nënshkruar 30 transaksione në sektorin privat dhe kemi mobilizuar transaksione  me vlerë rreth 200 milionë euro nga sektori privat në Kosovë. Për shumë vite BERZH ka qenë banka e vetme me aftësinë për të investuar në Kosovë.

Kjo që thoni ju është e vërtetë,  se u desh kohë nga pavarësia e deri në dhjetor të vitit 2012, që Kosova të anëtarësohej në BERZH, por kjo nuk ishte vetëm në dorën tonë. Siç e dini, BERZH është një institucion i sektorit publik, dhe ishte në dorë të të gjithë anëtarëve, që janë 66 qeveri  të ndryshme dhe entitete shumëpalëshe, pra duhej arritur në konsensusin e duhur, që Kosova të bëhej vend anëtar.

Kur kjo u arrit në nëntor të vitit 2012, në fakt u desh më pak se një muaj - një kohë rekord këtu në bankë - që Kosova të anëtarësohej në Bankën Evropiane. Një pjesë të kësaj arritjeje duhet t’ia atribuojmë autoriteteve të Kosovës, sepse  ata, në fakt, përfunduan një proces të komplikuar, por të nevojshëm anëtarësimi, në më pak se një muaj, që është gjithashtu një kohë rekord. Dhe, kjo për ne ishte një shenjë se ky vend anëtar do të tregojë kapacitetet e duhura, ishte gjithashtu një shenjë për transaksionet që ata do të kenë me ne në të ardhmen.   

ZËRI I AMERIKËS
Cilat janë disa nga sfidat ekonomike afatshkurtër dhe afatgjatë me të cilat ndeshet vendi dhe si po e ndihmon BERZH-i Kosovën që t’i kapërcejë ato?

CLAUDIO VIEZZOLI
Dua të sqaroj fillimisht domethënien e të qenët vend anëtar. Anëtarësia për një vend  do të thotë se BERZH-i mund të fillojë operacionet e veta. Pra, mund të angazhohemi me projekte të gjera në sektorin privat, përfshirë mbështetjen pas privatizimeve. Ne mund, gjithashtu, të angazhohemi në transaksione në sektorin publik, siç janë projektet për transportin, për ndërtimin e rrugëve, urave, hekurudhat, transaksionet për energjinë; projekte bashkiake, që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së njerëzve, si uji, kanalizimet, mbeturinat, pra me të gjitha këto ne mund  të merremi  në të ardhmen.

Anëtarësimi ka shumë rëndësi për ne dhe ne shpresojmë se nga kjo do të përfitojë edhe vendi. Kosova do të ketë shumë sfida, edhe BERZH do të ketë të tilla. Unë do të përqendrohesha te sfidat në fushën makroekonomike,  për Kosovën si dhe ato mikroekonomike për BERZH-in. 

Për Kosovën do të jetë shumë i rëndësishëm integrimi rajonal, rrugët, hekurudhat, linjat e transmisionit. Të gjitha këto kanë bëjnë me integrimin rajonal, me një rol më të mirë të Kosovës në rajon dhe ky është edhe parakusht për të ardhmen e vendit drejt rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian në periudhë afatgjatë.

Për BERZH-in do të jetë një sfidë fillimi i punës me partnerët tanë në Kosovë në mënyrë konstante, që do të thotë se ne do të duhet të fillojmë të punojmë me autoritetet publike dhe në nivel bashkish. Ne e dimë se do të kemi sfida të rëndësishme kur është fjala tek aftësitë e administratës lokale dhe pikërisht në këtë fushë ne duhet të ndihmojmë, që kjo administratë ta ngushtojë dallimin që ekziston në mes të këtyre aftësive gjatë muajve dhe viteve të ardhshme.

ZËRI I AMERIKËS
Papunësia është një nga problemet më madhore  me të cilat ndeshet vendi, me një shkallë prej 45 për qind, një shifër kjo nga më të lartat në rajon. Si do ta ndihmojë BERZH Kosovën ta përmirësojë këtë situatë?

CLAUDIO VIEZZOLI
Fillimisht, ne do të angazhoheni sa më shumë që të jetë e mundur, në financimin e ekonomisë dhe bizneseve lokale. Bazuar në përmasat e ekonomisë së Kosovës, te pozita e saj në rajon dhe tek gjendja e ekonomisë botërore sot, bizneset lokale janë si palca kurrizore për zhvillimin ekonomik të vendit. Ka një arsye, përse ne kemi investuar kaq shumë kohë, burime dhe para në ndihmë të disa prej bizneseve vendase në Kosovë. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim bizneset e vogla dhe ato të mesme, sepse besojmë se ato janë baza për krijimin e vendeve të punës.

ZËRI I AMERIKËS
Një nga pasuritë më të mëdha që ka vendi është linjiti. Qeveria e Kosovës është në procesin e ofrimit të një koncesioni për sektorin privat, për të investuar në një kapacitet të ri gjenerimi për vendin. Nëse do të jetë e nevojshme, a do ta ndihmonte BERZH-i sektorin privat të financonte një projekt të tillë, që njihet si Kosova e Re?
 
CLAUDIO VIEZZOLI
Përgjigja e kësaj pyetjeje, është PO,  në kuptimin që ne jemi dakord me vlerësimin, se në Kosovë, energjia është një sektor strategjik dhe në veçanti, Kosova C, apo Kosova e Re.  Çështja kryesore është përcaktimi i teknikaliteteve financiare dhe i modaliteteve të  këtij projekti. Pra, përgjigja është PO, ne do të angazhohemi dhe jemi angazhuar tashmë në diskutimin  dhe përgatitjen e këtij projekti me autoritetet Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare  që tashmë i kanë filluar diskutimet për këtë çështje prej disa kohësh.

Ne kemi disa parakushte për ta vazhduar këtë projekt, për financimin e tij. Një prej tyre është që tenderët për këtë projekt të zhvillohen me drejtësi dhe ndershmëri, sipas procedurave transparente në shkallë botërore. 

Parakushti i dytë është ekzistenca e një operatori të sektorit privat, që të jetë i gatshëm të rrezikojë paratë në këtë investim, që ai të jetë i sigurt. Dhe, së treti, janë parakushtet e tjera teknike. Ne duam që ky termocentral të ndërtohet sipas standardeve teknologjike dhe atyre më të mira mjedisore; që ai të mbështetet edhe nga shoqëria civile në Kosovë, duke pasur parasysh që ky projekt do të ekzistojë në afat të gjatë.

ZËRI I AMERIKËS
Zoti Viezzoli, kohët e fundit në Kosovë u privatizua  kompania e shpërndarjes së energjisë. A ka BERZH plane të ofrojë financime për kompaninë që fitoi tenderin?

CLAUDIO VIEZZOLI
Po. Ne kemi filluar bisedime me kompanitë që morën pjesë në procesin e privatizimit, ne do të marrin pjesë; por do të marrim pjesë nëse do të kemi garanci që ky proces do të zhvillohet me transparencë dhe sipas standardeve ndërkombëtare; që  fituesi do të ketë burime financiare të besueshme dhe të sigurta, dëshirën dhe aftësinë për të investuar. Atëherë ne do të biem dakord ta financojmë projektin.

ZËRI I AMERIKËS
Si do t’u vijë në ndihmë BERZH bizneseve të vogla dhe të mesme, përfshirë sektorin e agrobiznesit, që është i rëndësishëm për vendin?

CLAUDIO VIEZZOLI
Ne kemi një numër objektesh dhe mekanizmash që përdorim në rajon dhe në Ballkanin Perëndimor, për të financuar ndërmarrje të suksesshme të vogla dhe mesatare, fillimisht përmes bankave tregtare, që ato të financojnë ato biznese që janë të përkushtuara. Por, ne investojmë edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë te këto biznese, përmes letrave me vlerë dhe tashmë kemi zhvilluar një sërë investimesh të kësaj natyre në Kosovë.

ZËRI I AMERIKËS
A do ta shqyrtojë BERZH mundësinë e ndihmës për fituesin e tenderit për privatizimin e postës dhe telekomunikacioneve në Kosovë?

CLAUDIO VIEZZOLI
Po, ne po e shqyrtojmë këtë, madje kemi filluar të angazhohemi me kompanitë që marrin pjesë në procesin e privatizimit. Përsëri, theksoj se duam të sigurohemi që procesi të jetë  i drejtë dhe transparent. Në varësi të këtij kushti dhe të një plani të mirë biznesi, ne do ta financojmë edhe këtë projekt.

Ky material fillimisht është publikuar në VOA.


Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum