Ndërlidhjet

Fajësia e Ojdaniqit, dëshmi për krimet e shtetit serb në Kosovë


Dragoljub Ojdaniq
Dragoljub Ojdaniq
Pranimi i fajësisë për krimet e kryera ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë nga ana e ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë jugosllave, gjeneralit Dragolub Ojdaniq, nga aktivistët për të drejtat e njeriut interpretohet se mund të shihet nga dy prizma.

E para, Ojdaniq me pranimin e fajësisë, besohet se ka dashur që të zbusë dënimin e tij të shqiptuar nga ana e Tribunalit të Hagës. Kurse, efekti i dytë dhe më i rëndësishmi, është ai i pranimit të fajësisë për krimet e kryera mbi civilët shqiptarë në Kosovë nga aparatura shtetërore ushtarake serbe gjatë konfliktit të vitit 1999.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, Behxhet Shala, thotë se Ojdaniq, në kohën kur është arrestuar, nuk kishte pranuar asnjë fajësi. Kurse, tani kur kishte kaluar dy të tretat e dënimit, ai ka vlerësuar se ka gjasa që të zbusë dënimin e tij, andaj edhe ka pranuar fajësinë.

Por, sidoqoftë, Shala mendon se pranimi i fajësisë ka dëshmuar se krimet e kryera mbi popullatën civile, përndjekjet dhe shkatërrimet, ishin të dirigjuara dhe udhëhequra nga aparatura shtetërore dhe ushtria serbe.
Ky është një hap i madh drejt pranimit të fajësisë nga vetë ata, të cilët kanë kryer krimet, kanë dëbuar shqiptarët dhe të gjithë kanë përfaqësuar interesin e shtetit serb.

“Ndonëse unë e them që nuk është i sinqertë, është më shumë një hap për përfitimin apo blerjen e lirisë, megjithatë, për herë të parë nga goja e një ushtaraku shumë të lartë serb, po pranohet që shqiptarët janë vrarë nga ushtria, janë dëbuar nga ushtria e mbrapa ushtrisë serbe ka qëndruar shteti serb. Do të thotë, ky është një argument, i cili mund të përdoret vazhdimisht në të ardhmen dhe kjo është ajo pozitivja që ka ndodhur”.

“Ky është një hap i madh drejt pranimit të fajësisë nga vetë ata, të cilët kanë kryer krimet, kanë dëbuar shqiptarët dhe të gjithë kanë përfaqësuar interesin e shtetit serb”
, vlerëson Shala.

Ish-drejtoresha e Fondit për të drejtën humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se pranimi i fajit është shumë me rëndësi, pa marrë parasysh se kjo mund të lidhet me të drejtën e Ojdaniqit që pas dy të tretave të kohës së vuajtjes së dënimit, të kërkojë lirimin me kusht.

Sidoqoftë, edhe Kandiq beson se pranimi i fajësisë nga ana e gjeneralit Ojdaniq, i cili së shpejti mbush 72 vjet, dëshmon se në Kosovë janë kryer krime të tmerrshme.

Natasha Kandiq
Natasha Kandiq

“Ky pranim nga ana e një gjenerali, se ai pajtohet që është fajtor, është shumë me rëndësi”.

“Megjithatë, vështirë mund të pritet që qeveria aktuale në Serbi ta shfrytëzojë pranimin e fajësisë nga gjenerali Ojdaniq që të tregojë se në Kosovë kanë ndodhur krime, se atje kanë ndodhur vrasje të tmerrshme, vuajtje, djegie dhe plaçkitje”,
thekson Kandiq, duke shtuar se:

“Krimet masive kundër shqiptarëve kanë filluar para konfliktit, kurse gjatë bombardimeve të NATO-s, ato ishin intensifikuar. Fondi për të Drejtën Humanitare ka evidentuar mbi 13 mijë viktima dhe të zhdukur gjatë periudhës 1 janar 1998 deri në fund të vitit 2000, përderisa në Serbi në shumë lokacione janë zbuluar varreza masive ku ishin varrosur mbetjet e të vrarëve”, thotë Natasha Kandiq.

Për krimet e kryera ndaj popullatës civile në Kosovë, Tribunali i Hagës ka dënuar me 27 vjet burg gjeneralin e policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, pastaj ish-nënkryetarin e qeverisë jugosllave Nikolla Shainoviqin dhe gjeneralët Nebojsha Pavkoviq e Sreten Llukiq me nga 22 vjet burgim.

Së fundit, pas një procesi të gjatë gjyqësor, Gjykata e Hagës kishte njoftuar se gjenerali serb Dragolub Ojdaniq ka pranuar fajësinë për dënimin e shqiptuar ndaj tij prej 15 vjetësh burg për shkak të krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës të kryera gjatë vitit 1999.
XS
SM
MD
LG