E hënë, shtator 01, 2014 Kosova 15:40

Rajoni

Orav: Kriza të zgjidhet me dialog

Aivo  Orav
Aivo Orav
Kriza politike në Maqedoni mund të zgjidhet vetëm me dialog, andaj partitë duhet sa më parë të ulen dhe të gjejnë zgjidhje për situatën, në të cilën ndodhet vendi.

Kështu ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Aivo Orav, duke komentuar përplasjet ndërmjet pozitës dhe opozitës lidhur me bojkotin e Kuvendit nga ana e opozitës dhe kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ambasadori Orav ka thënë se mënyra më e mirë për nisjen e dialogut është komisioni anketues i propozuar nga presidenti Gjorgje Ivanov, që të zbardhet gjithçka që ka ndodhur në Kuvend.

“Kemi parë incizimet e 24 dhjetorit dhe ato nuk ishin shumë inkurajuese. Nëse ekziston ndonjë problem, është shumë me rëndësi që të verifikohen faktet dhe të sqarohet gjithçka që ka ndodhur, se cilat rregulla dhe procedura janë shkelur. Liderët politikë duhet të ulen dhe të bisedojnë. Presidenti doli me një propozim për një komision anketues, që mendoj se është i mirë".

"Për çështje të vështira politike duhet energji, andaj duhet të bisedohet pasi vendi ndodhet para një momenti historik. Ne, çdo ditë të jetës shkruajmë historinë. Disa kapituj janë shumë më të dukshëm, e disa më pak, por kapitulli, të cilin tani po e shkruajnë politikanët dhe qytetarët e këtij vendi, është shumë i rëndësishëm”, ka deklaruar Orav.

Ai është përqendruar edhe në çështjen e mediave dhe të gazetarëve, të cilët gjithashtu kishin qenë objekt i dhunës në Kuvend.

Përveç deputetëve të opozitës, pjesëtarët e sigurimit edhe gazetarët i kishin larguar me forcë nga Kuvendi dhe kjo ka sjellë deri te ndërprerja e dialogut ndërmjet Qeverisë dhe Shoqatës së Gazetarëve, të cilët bisedonin për çështjet që kanë të bëjnë me sferën e mediave.

Ambasadori Aivo OravAmbasadori Aivo Orav
x
Ambasadori Aivo Orav
Ambasadori Aivo Orav
“Mendoj se kjo është shumë shqetësuese dhe mendoj se këtu me rëndësi është dialogu. Qeveria duhet të gjejë mënyra për vazhdimin e dialogut me gazetarët. Jam i sigurt se ka mundësi të tilla dhe se kjo mund të arrihet nëse ekziston vullneti, ashtu siç kishte edhe për dekriminalizimin e shpifjes dhe të ofendimit".

"Ne po e përcjellim edhe raportin e fundi mbi rënien e lirisë së mediave në Maqedoni që është një ndër shtyllat kryesore të demokracisë. Ne dëshirojmë të shohim se liria e mediave po ec në drejtimin e duhur”
, është shprehur Orav.

Ndërkohë, sa i përket çështjes së emrit, ai ka thënë se ky kontest duhet të zgjidhet apo të tregohet gatishmëri se lidershipi i vendit është i përkushtuar për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar.

"Konsideroj se zgjidhja e kontestit me emrin në masë të madhe do të ndihmojë fillimin e bisedimeve në qershor. Megjithatë, me rëndësi është që raporti i ardhshëm të jetë pozitiv. Komisioni do të përgatisë raportin, por përmbajtja e tij varet nga vendi juaj, atë do ta shkruajnë politikanët dhe banorët e këtij vendi".

"Është e qartë se në raportin e pranverës duhet të përfshihen edhe hapat që ndërmerren në drejtim të zgjidhjes së çështjes së emrit. Nëse ekzistojnë hapa pozitivë, ata do të reflektohen në raport dhe kjo do të ndihmonte shumë procesin”, ka thënë Orav, duke theksuar edhe çështje tjera që duhet të përmbushë Maqedonia në rrugën e integrimit euroatlantik, ndërsa ka veçuar përgatitjen e një raporti për punën që është bërë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum