Ndërlidhjet

Pa marrëveshje për “koalicionin e natyrshëm”


Takimi ndërmjet liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka rezultuar me ndonjë marrëveshje për një bashkëqeverisje të këtyre dy partive.

Përfaqësuesit e të dy partive thonë se ky koalicion ka qenë i dëshirueshëm për të dyja partitë, por se ato nuk kanë arritur marrëveshje për shkak të modaliteteve.

Behar Selimi, deputet në Kuvendin e Kosovës nga partia Demokratike e Kosovës, thotë se oferta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që, bashkëqeverisja me PDK-të të jetë nën drejtimin e Ramush Haradinajt si kryeministër, nuk është pranuar nga partia Demokratike e Kosovës.

“Koalicioni, qysh moti, është paralajmëruar mbi bazën e një kërkese shumë specifike që e ka pasur Aleanca, për ‘qeveri Haradinaj’, ndërkohë që PDK mendonte dhe vazhdon të mendojë se koalicioni mund të ndodhë dhe ka parakushte të mira që të ndodhë, nëse do të ishte fjala për ‘qeveri Thaçi’, të cilës i bashkëngjitet Aleanca".

"Ndërkohë, nga takimi që kanë pasur liderët, përfundimisht del se koalicioni formal nuk mund të realizohet tash dhe mbi bazën e këtyre rrethanave politike dhe këtyre kërkesave që e përjashtojnë njëra tjetrën”, thotë Selimi për Radion Evropa e Lirë.

Burim Ramadani, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka theksuar se në takimin ndërmjet Thaçit dhe Haradinajt, në mënyrë definitive është qartësuar situata dhe se nuk do të ketë koalicion qeverisës ndërmjet PDK-së dhe AAK-së.

Sipas tij, Ramush Haradinaj ka ofruar mundësinë për ndryshimin e kursit të qeverisë, por kjo mundësi nuk u shfrytëzua nga partia në pushtet.

Ramadani thekson se ofertat e PDK-së për bashkëqeverisje në krye me Hashim Thaçin, kanë qenë të papranueshme për AAK-në, e cila tashmë pret zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në fakt, ne nuk kemi pasur as në plan që të dëgjojmë oferta të tjera, për shkak se oferta jonë është një zgjidhje politike për situatën në të cilën jemi. Pra, nuk ka qenë vetëm një çështje e momentit".

"Kemi besuar dhe besojmë se gjendja në Kosovë është e keqe dhe kemi tentuar që këtë gjendje të keqe ta përmirësojmë përmes ndërrimit të qeverisë dhe udhëheqjes së qeverisë nga zoti Haradinaj. Sidoqoftë, Aleanca, si parti opozitare do të shfrytëzoj të gjitha mekanizmat demokratik për të ngritur besimin e qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme”, thotë Ramadani.

Por, deputeti i PDK-së, Selimi beson se në të ardhmen, por jo të afërt, PDK dhe AAK do ta arrijnë një koalicion, i cili sipas tij është i natyrshëm.

“Unë personalisht mendoj që është shumë e natyrshme që herë do kurë, në mos tash, në të ardhmen e afërt, që i bie në vitet në vazhdim, do të kishte kuptim një lloj koalicioni ndërmjet këtyre dy subjekteve, duke qenë se që të dyja ‘qojnë goxha rëndë’, do të thotë, në kuptimin e vendim-marrjes shtetërore dhe kombëtare”, thekson Selimi për Radion Evropa e Lirë.

Por, pavarësisht mosarritjes së pajtimit për një bashkëqeverisje me PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas deputetit të saj Ramadani, do të vazhdojë ta japë kontributin e saj në proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Janë tri procese, në të cilat Aleanca, si parti opozitare, po e jep kontributin e vet. Këto janë; reforma zgjedhore, integrimet evropiane dhe bisedimet me Republikën e Serbisë. Në të tri këto procese ne do t’i ruajmë angazhimet dhe kontributin tonë, ndërsa në pjesët tjera do ta vazhdojmë jetën tonë partiake si parti opozitare”, bën të ditur Ramadani.

Ndryshe, mundësia e arritjes së një koalicioni qeverisës ndërmjet PDK-së dhe AAK-së ka qenë paralajmëruar nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, që nga lirimi dhe kthimi i tij nga Tribunali i Hagës, ku ai u shpall i pafajshëm përballë akuzave ndaj tij.

Haradinaj pati proklamuar mundësinë që të merrte nën drejtim qeverinë në bazë të një marrëveshjeje me PDK-në e kryeministrit Thaçi, marrëveshje e cila sot përfundimisht nuk u arrit.
XS
SM
MD
LG