E enjte, prill 24, 2014 Kosova 06:54

Bota

Si do të jetë sekretari i ardhshëm, John Kerry?

John Kerry
John Kerry
Madhësia e shkronjave - +
Heather Maher
Sekretari i ri amerikan i Shtetit, John Kerry ka kaluar të paktën një pjesë të fundjavës duke kontaktuar liderët e huaj, përfshirë, kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas. Ekspedita e hershme në politikën e Lindjes së Mesme shënon një ndryshim nga paraardhësja e tij.        

Hillary Clinton rregullisht ka udhëhequr në sondazhet për popullaritet ndërkombëtar dhe ka qenë e njohur si “rock star diplomatja”, ndërsa, John Kerry – që përshëndet personelin e tij në Departamentin e Shtetit, për herë të parë mëngjesin e së hënës, është një personifikim i një burrshtetasi të urtë.

Është e qartë, se kur bëhet fjalë për tonin, imazhin dhe rrugën e karrierës, sekretari i ri i Shtetti, Kerry paraqet një largim nga parardhësja e tij.

Kerry, 69 vjeçari i gjatë, me një fytyrë të errët duket se “doli nga një nga portretet historike”, që gjenden në muret e departamentit, që ai e drejton.

Klinton kaloi tetë vjet të të ngarkuara politikisht, si zonja e parë e vendit dhe tetë të tjera si senatore amerikane, para shkuarjes në Departamentin e Shtetit.

Në Uashington ekziston një konsensus se Kerry ka punuar në karrierën e tij 30 vjeçare publike për t’u bërë sekretar i shtetit.

Madje edhe presidenti Barack Obama tha se atij “nuk do t’i duhet shumë kohë në trajnim”.

Ish-ambasadori amerikan në NATO dhe një kohë të gjatë zyrtar i Departamentit të Shtetit, Nicholas Burns e quan Kerry-n, si dikë që ka “besim të madh” në fuqinë e angazhimit diplomatik:

Ai ka qenë kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie të Jashtme, ai i njeh liderët në tërë botën, ai ka udhëtuar gjithandej, ai ka qenë i përfshirë për 30 vjet në politikën ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë me fat që do të kenë sekretarin e ardhshëm, një individ me përvojë tepër të madhe”, u shpreh Burns.

Si do të sillet Kerry si diplomat më i lartë i ri i vendit?

Ai është i njohur se i shijon negociatat e gjata dhe është një orator mbresëlënës. Ai nuk merr vendime të ngutshme. Ai ka një lehtësi të natyrshme në raportet me udhëheqësit e huaj dhe është i kujdesshëm në lidhje me përdorimin e forcës – diçka që theksoi gjatë seancës së konfirmimit, kur tha se “nuk mund të përballojmë një diplomaci, që përcaktohet nga trupat ose avionët pa pilotë ose nga konfrontimi”.

Edhe Kerry edhe Klinton, që është shquar për punë të palodhshme, janë pragmatistë të politikës, janë të fokusuar në zgjidhjen e problemeve, thotë Thomas Carothers, drejtor i programit për demokraci dhe sundim të ligjit në Institutin Amerikan të Paqes.

Por Kerry - i cili njëherë ka shtyrë një votim të Senatit për të biseduar me presidentin afgan Hamid Karzain, ka një durim të pazakontë për lojë të gjatë, thotë ai.

Unë mendoj se ai është nga ata persona që më shumë i kënaqet negociatave të zgjatura, ose përpjekjeve për të bërë së bashku palët që mezi bëhen bashkë. Deri në njëfarë mase, Hillary Clinton ka qenë e ashpër".

"Ajo është shumë efikase, dhe futet drejt në temë. Por, mendoj se në një kuptim, ajo nuk e ka pasur për qejf përfshirjen në negociatat e zgjatura mbi gjëra të caktuara. Ajo ka pasur disa nga zëvendësit e saj, që janë marrë me raste të caktuara, e në disa raste, ajo s’është marrë fare me ato”, u shpreh Carothers.

Disa analistë thonë se mungesa e dukshme e përfshirjes së Clintonit në çështjen izraelito-palestineze, është një kënetë, ku Kerry pritet të zhytet thellë e më thellë.

Clinton ka bërë vetëm një grusht udhëtimesh në Izrael, ndërsa zyrtarët izraelitë kanë thënë se shteti hebraik do të jetë ndër të parët që Kerry do t’i vizitojë në postin e ri.
Kerry beson në ecjen përpara të procesit të paqes dhe ka thirrur edhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, e edhe presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas qysh në ditën e tij të dytë të punës.

Sa i përket prioriteteve, ekziston një arsye pse Kerry është quajtur “ushtari i mirë i Obamës” në Senat.

Në seancën për konfirmimin e tij, ai tha se do të “bëjë gjithçka për të ndërtuar mbi të arriturat e Clintonit dhe vizionin e presidentit.”

Deklaratat e tij mbi çështjet e nxehta, nga Afganistani e deri te bota arabe, kanë bërë jehonë në Shtëpinë e Bardhë.

Carothers nga Instituti Amerikan i Paqes, thotë se Kerry “nuk është një njeri i kryqëzatave”.

Klinton në intervistat e saj të fundit, numëroi punët e pakryera që e presin Kerryn si sekretar Shteti: lufta civile e Sirisë; programi bërthamor i Iranit; provat kërcënuese bërthamore të Koresë së Veriut; tranzicioni amerikan në Afganistan, dhe kërcënimi në rritje nga islamistët në Afrikën e Veriut .

Por, sipas Carothers, kjo nuk është e gjitha.

I keni më pas çështjet tradicionale të politikës së jashtme: raportet me Kinën, ato me Rusinë, përpjekjet e gjata për të konsoliduar aleatët në Azi dhe Evropë. Kështu që ai e mori një pjatë të mbushur me probleme, që me të vërtetë nuk zgjidhen lehtë”, u shpreh Carothers.

Gjithë kësaj, i shtohet edhe ajo që Nicholas Burns e quan agjendë të frikshme të dominuar nga Lindja e Mesme e sidomos Irani, i cili të dielën tha se do të konsiderojë bisedimet e drejtpërdrejta me SHBA-të.

Ai do të përballet me një agjendë shumë të vështirë, komplekse, sepse, natyrisht, duke filluar me Lindjen e Mesme, ku ka kriza të duplifikuara atje, nga lufta civile në Siri dhe rreth asaj se çfarë duhet bërë në lidhje me të, nëse Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më aktive në përpjekjet për të ndihmuar opozitën siriane e deri te kriza e tashme politike në Egjipt, e cila e ka destabilizuar vendin, dhe natyrisht qeveria e re izraelite si dhe kriza bërthamore e Iranit".

"Dhe çështja me Iranin, mund të jetë edhe çështja më e rëndësishme e sigurisë kombëtare këtë vit. Pra, Lindja e Mesme është trazuar, nuk është e qëndrueshme dhe ajo do të jetë fokusi i hershëm i Sekretarit Kerry”, u shpreh Burns.

Kerry duket se e di se nuk ka kohë për të humbur. Të premten, menjëherë pasi që Clinton dorëzoi detyrën, iu tha gazetarëve: “Mezi s’po pres të nisi punën”.(a.i.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum