E premte, korrik 25, 2014 Kosova 22:34

Intervista

Jahjaga: Takim për normalizimin e plotë të marrëdhënieve

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
“Është takim simbolik dhe është i rëndësishëm, sepse për të parën herë takohen presidenti i Republikës së Kosovës dhe presidenti i Republikës së Serbisë”, ka thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë. Zonja Jahjaga gjendet në Bruksel për të zhvilluar takim me homologun e saj serb, Tomisllav Nikolliq, të mërkurën, më 6 shkurt.




RADIO EVROPA E LIRË
Zonja presidente, takimi me homologun tuaj serb, Tomisllav Nikolliq, është më shumë simbolik apo mund të sjellë përfundime konkrete?

ATIFETE JAHJAGA
Është simbolik dhe është i rëndësishëm, sepse për të parën herë takohen presidenti i Republikës së Kosovës dhe presidenti i Republikës së Serbisë, gjë që konsiderohet sukses për normalizimin dhe avancimin e marrëdhënieve, si dy shtete sovrane dhe të pavarura.

Ne do t’i japim mbështetje procesit të deritashëm të dialogut, që po udhëhiqet nga kryeministrat e të dyja vendeve tona, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe po përkrahet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë temash do të diskutoni në këtë takim, cilat janë çështjet që do të ngriten?

ATIFETE JAHJAGA
Do të bisedohet parimisht, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Për nevojën e vazhdimit të dialogut, për arritjen e marrëveshjes për të gjitha çështjet dhe për zbatimin e përpiktë të këtyre marrëveshjeve, të cilat edhe janë në dobi të të gjithë qytetarëve të të dyja shteteve dhe që janë në funksion të fqinjësisë së mirë, të paqes dhe stabilitetit në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Dialogu deri tani ka sjellë disa marrëveshje. Cila është rëndësia e një takimi në nivel presidentësh, nëse jo një përmbyllje e gjithë procesit?

ATIFETE JAHJAGA
Takimi ka për synim, që në pajtim të plotë dhe duke respektuar normat dhe standardet evropiane, e gjithashtu edhe konventat ndërkombëtare, të gjejë zgjidhje për të gjitha çështjet.

Duke marrë parasysh të kaluarën tonë dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është e pritshme që marrëdhëniet të normalizohen plotësisht. Takimi i presidentëve është në funksion të këtij qëllimi, ndërsa nga parlamenti, qeveria është e autorizuar të udhëheqë procesin e dialogut.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka ndikuar ngritja e nivelit të dialogut, prej bisedimeve nga fusha teknike në bisedimet ndërmjet kryeministrave e deri tek ju Presidentët, në zgjidhjen e problemeve dhe në uljen e tensioneve?

ATIFETE JAHJAGA
Është një proces i pandashëm dhe i pashkëputshëm, sepse secili kryen rolin e vet kushtetues.

Ne po sillemi si subjekt i barabartë ndërkombëtar dhe me Serbinë do t’i ndërtojmë marrëdhëniet dhe do të nënshkruajmë marrëveshje bilaterale, ashtu siç kemi bërë dhe siç po bëjmë me të gjitha shtetet tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Një marrëveshje përfundimtare mes palëve, sa mund t’i japë fund problemeve mes dy vendeve dhe a jeni ju – dy presidentët -  nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje?

ATIFETE JAHJAGA
Marrëveshja gjithëpërfshirëse mund t’i hap rrugë nënshkrimit marrëveshjeve tjera bilaterale. Kjo është një normë e rregullt sjelljeje ndërshtetërore, për të gjitha shtetet që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike. Çështja e nënshkrimit dhe e ratifikimit është e rregulluar me Kushtetutë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja presidente, ky dialog që ju do ta zhvilloni me presidentin Nikolliq kujt i jep më shumë shanse: Serbisë për kandidaturën në BE apo Kosovës për diçka tjetër?

ATIFETE JAHJAGA
Shikoni, ky nuk është dialog, por është takim zyrtar i presidentëve të të dyja vendeve, të dy shteteve që janë të pavarura dhe fqinje. Të dyja këto shtete mund t’i ndihmojnë shumë njëra-tjetrës, në rrugën e integrimit në Bashkimit të Bashkimit Evropian.

Të dyja vendet përfitojnë nga takimet e tilla, përfshirë këtu edhe gjithë rajonin, sepse përfundimisht me respektimin e realitetit dhe pranimin e pavarësisë së Kosovës, do të ketë stabilitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju i jepni mbështetje dialogut, sa do t’i jepni mbështetje dhe zgjidhjeve që vijnë nga ai, posaçërisht zgjidhjes së mundshme të kompromisit që thuhet se mund të ndodh me pjesën veriore të Kosovës?

ATIFETE JAHJAGA
Si presidente e vendit, i jap mbështetje gjithë procesit të dialogut dhe marrëveshjeve të arritura. Qëndrimi është unik dhe ne, institucionet e Republikës së Kosovës, për këtë çështje nuk e kemi as dallimin më të vogël.

E keni parë se deri më tash nuk është bërë asnjë kompromis që dëmton interesat e vendit dhe qytetarëve tanë. Të gjitha zgjidhjet janë brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

Arbana Vidishiqi

Arbana Vidishiqi është shefe e programit për Kosovën në Radion Evropa e Lirë. Me gazetari merret që prej vitit 1997, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 1999. Është e martuar dhe ka një fëmijë.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Ismet Morina Prej : Mynih
07.02.2013 15:30
Znj. Jahjaga, ju keni harruar edhe disa gjera te cilat mund te ju rikujtoj edhe ti merrni per baze ne bisedimet e ardhsheme!!! Znj. Jahjaga, ju keni harruar ti kerkoni falje Shtetit Serb, i cili nje shekull te tere, na dhunoi fizikisht, na masakroi dhe na vrau kur pati deshire. Ju keni harruar ti kerkoni falje edhe per Kohen e Millosheviqit e deri me tani. Keni harruarr ti kerkoni falje per nje Objekt te vjeter ne 100 km-shin e fundit afer Merdares, ne teritorin Serb, i cili ishte i mbushur me Dhembe te Bashk-atdhetareve tane nga Diaspora, te thyer nga Forcat e Policise Serbe, si dhe per Gjakun e derdhur ne ate Ruine, qe i ngjante nje Thertores, keni harruar ti kerkoni falje sepse ishte nje shiqim trishtues, dhe se Policia Serbe kan mundur te pesojne Trauma nga keto skena. Keni harruar ti kerkoni falje edhe per vite te tera te cilet Forcat Policore Serbe ishin shum te rraskapitura nga goditjet mbi Popullaten Kosovare, duhet ti kerkoni falje per mundimin qe kishin. Duhet ti kerkoni falje edhe per te gjitha gjerat qe duhej ti hanim me urdher te Forcave Policore Serbe, si p.sh. Kaseta, Kreher, Triko te ndryshme ku kishin diku ngjyrat kuq e zi, si dhe shum gjera tjera, Skena keto te tmerruese per Policine Serbe. Duhet kerkuar falje edhe per Kohen e Luftes, Per dhunimin e Femrave Kosovare, per shkatrrimet, per maltretimet fizike mbi Popullaten Kosovare, per asgjesimin e Kafsheve shtepiake, per masakrimin e Popullates, per Vrasjet e mbi 16.000 Personave, per te zhdukurit, dhe ne fund per te gjitha Familjet e ketyre Tragjedieve. Znj. Jahjaga, ka edhe shum Gjera per te cilat duhet ti kerkoni falje Shtetit Serb mirpo duhet jave te tera per ti cekur te gjitha. Znj. Jahjaga, Ju dhe z. Thaqi nuk mund ti permisoni Mendjet tuaja e lere te permisoni marrdhenjet me nje Agresor siq eshte Pushteti Serb.

Nga : Baca Prej : Dardanë
06.02.2013 12:36
Kjo është "ujë në mulli të armikut". Jahjaga dihet se aty ka mbrri si aktore dhe ska qare pa realizuar skenarin! Ja një koment origjinal sllav:"Dhe, merreni me mend, për gjashtë orë batalioni ynë nga Republika Srpska shkonte në drejtim të Kosovës, kurse NATO-ja nuk dinte asgjë për këtë, sepse ne akoma kemi shkathtësinë sllave dhe gjithmonë mund t’i mashtrojmë”, ka thënë gjenerali rus." Që okupoi aeroportin e Sllatines para Natos.

Nga : ximi Prej : zürich
06.02.2013 12:20
E nderuara shum Z.Presidente kurrrrrrrrrrrr ska normalizim mardhenjesh me serbet,kta demon po pregatiten per luft e masakrim e jo paqe,vetem olluja i normalizon mardhenjet me ta

Nga : Liraku
05.02.2013 22:50
Znj.Presidente, a do t'i normalizoni marredhnjet me ata qe e masakruan popullin shqiptare te Kosoves? A do t'ja permendni Presidentit Nikoliq vellezerit dhe motrat tona te zhdukur? Nuk e di a e dini, znj, Presidente se ata te zhdukur jane ne te varrosur ne Serbi dhe kamionet qe i kane transportuar jane shkaterruar. Gjaku i tyre po te therret si gjaku i te drejtit Abel. Ata me te cilet po mundoheni t'i normalizoni marredhenjet jane ata qe akoma kryejne krime ne Kosove. O harrova se njerezit besnik te Qeverise se Kosoves po shkojne si "qeni ne rrush" siq shkoi i ndjeri Dino Asanaj.