E mërkurë, tetor 01, 2014 Kosova 18:16

Shtypi botëror

New York Times: Ikonat e futbollit kurdisin ndeshjet!

Derisa po i afrohemi Kampionatit Botëror të Futbollit, i cili do të mbahet në vitin 2014 në Brazil, policia evropiane ka zbuluar një kurdisje të gjerë të ndeshjeve, të bërë gjatë viteve të fundit.

Kurdisja ishte tronditëse, shkruan në numrin e sotëm gazeta “New York Times”. Sipas saj, bëhet fjalë për rreth 150 ndeshje ndërkombëtare, shumica në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine; pastaj për 380 të tjera në Evropë, të cilat kanë qenë pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian, si dhe për lojëra të rangut më të ulët që kanë konkurruar në ligat e tyre të brendshme.

Zyrtarët, megjithatë, kanë anashkaluar pyetjet e gazetarëve në Hagë se sa nga 680 ndeshjet e cituara janë raportuar më herët dhe janë ndjekur penalisht dhe sa prej tyre paraqesin informacion të ri.

Ata po ashtu nuk kanë identifikuar asnjë prej ekipeve apo individëve të lidhur me kurdisjen e lojërave, duke cituar nevojën për të mbrojtur konfidencialitetin e procedurave policore, shkruan NYT.

Por, një detaj i ri, megjithatë, është shfaqur: është zbuluar se njëra prej ndeshjeve të dyshuara, pjesë e turneut më prestigjioz vjetor – Ligës së Kampionëve – është zhvilluar në Angli, në tre ose katër vjetët e fundit.

Nëpër mediat sociale, tifozët kanë nisur menjëherë spekulimet se për cilën ndeshje bëhet fjalë dhe cili ekip i Anglisë mund të jetë përfshirë. Manchester United, Manchester City, Arsneal, Chelsea, Liverpool dhe Tottenham janë ekipet e vetme angleze që kanë marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, gjatë kohës së cituar nga zyrtarët, shkruan gazeta.

Po sipas saj, të gjashtat janë ekipe ikonë të Premier-Ligës së Anglisë, e cila aktualisht është liga më e njohur në botë e futbollit.

Mungesa e detajeve lë paqartësi nëse njëri nga to është përfshirë në kurdisje apo ekipi kundërshtar, nga një vend tjetër, që ka ardhur në Angli për të luajtur në atë lojë. Sido që të jetë, fakti se kurdisja lidhet me një shtet që përfaqëson skenën më të madhe ndërkombëtare të futbollit, ka shkaktuar shqetësim të madh.

“Do të ishte naive dhe vetëkënaqësi e atyre në Britani të mendojnë se një konspiracion i tillë kriminal nuk përfshin lojërat angleze dhe gjithë futbollin në Evropë”, citon gazeta Rob Wainwright, drejtor i agjencisë së inteligjencës, të njohur si Europol.  

Sipas tij, hetimet kanë zbuluar rreth 11 milionë dollarë në fitime dhe afro 3 milionë dollarë në ryshfete. “Kjo është ditë e trishtuar për futbollin evropian”, ka thënë Wainwright.

Kurdisësit, vijon artikulli, zakonisht diktojnë rezultatin e lojës, duke korruptuar lojtarët ose përfaqësuesit tjerë të ekipit. Europol ka bërë të ditur të hënën për rreth 425 njerëz të dyshuar, 50 nga të cilët janë arrestuar. Hetimet po ashtu thuhet se kanë mbuluar lojërat në periudhën 2008-2011.

Një sindikatë e krimit të organizuar, me seli në Azi, besohet të jetë forca lëvizëse e aktivitetit të kurdisjes së lojërave, i cili shtrihet në të paktën 15 vende. Europol-i nuk e ka identifikuar publikisht sindikatën aziatike, por disa zyrtarë për zbatimin e ligjit, nën kushte anonimiteti, kanë thënë se bëhet fjalë për një person në Singapor, të njohur si Dan Tan. Ata kanë thënë se Tan ka qenë i implikuar në raste të kurdisjes së ndeshjeve, të cilat datojnë qysh nga viti 1999.

NYT thotë se Interpol-i ka lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për Tanin, por ai nuk është arrestuar ende.

Konkluzioni i hetimeve të Europol-it ndodh pas një vargu të kurdisjeve të ndeshjeve të profilit të lartë. Muajin e kaluar, kujton NYT, Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka përjashtuar 41 lojtarë për shkak të kurdisjes së ndeshjeve në Korenë e Jugut.

Në dhjetor të vitit 2012, presidenti i Federatës së Futbollit të Afrikës së Jugut është suspenduar, pasi FIFA ka zbuluar se katër ndeshje që i kanë paraprirë Kupës së Botës më 2010, janë kurdisur.

Po ashtu në Itali, verën e kaluar, është zbuluar një rrjet kompleks i kurdisjes së lojërave, duke tronditur ligat profesionale të vendit për herë të dytë në gjashtë vjet. Italia është përballur me një skandal të madh të kurdisjes së ndeshjeve edhe në vitin 2006, kujton NYT.

Sidoqoftë, vendi me shumicën e rasteve të identifikuara nga Europol-i, ka qenë Turqia, me 79 sosh. Pas saj është radhitur Gjermania me 70 dhe Zvicra me 41. Raste të kurdisjes së ndeshjeve janë përmendur edhe në Belgjikë, Kroaci, Austri, Hungari, Bosnjë dhe Hercegovinë, Slloveni dhe Kanada, shkruan “New York Times”.

Përgatiti: Valona Tela


*Titulli është përshtatur nga redaksia