E enjte, prill 17, 2014 Kosova 23:29

Aktuale

Takimi i presidentëve

Madhësia e shkronjave - +
Kosova dhe Serbia sot e ngrisin dialogun në nivelin më të lartë, atë presidencial.

Respektivisht, pas dialogut teknik i cili nisi tash e dy vjet, pasuan takimet e kryeministrave të të dyja shteteve, për të sjellur të mërkurën pasdite në Bruksel, në një tavolinë presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikolliq.

Në Bruksel ka paralajmërime se takimi i parë, mes dy presidentëve, i cili do të zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk do të ketë protokoll të zakonshëm, kur është në pyetje një takim i nivelit të tillë presidencial.

Merret vesh se mediat nuk do të kenë mundësinë ta përcjellin këtë takim të parë, përfshirë këtu mbase as ceremoninë shtrëngimit të duarve midis dy liderëve.

Madje, Jahjaga dhe Nikolliq, thuhet se do të hyjnë nga dy hyrje të ndryshme në kabinetin e Baroneshës Catherine Ashton, dhe është më se e sigurt se nuk do t’ju drejtohen medieve bashkërisht. Kurse, paraqitja individuale, do të varet nga ata dy.

Ndryshe, presidentja e Kosovës është takuar sot në Bruksel me kryetarin e Këshillit të Evropës, Herman von Rompuy. 

Në një komunikatë për media të lëshuar nga kabineti i presidentes, Rompuy citohet të ketë thënë se “dialogu është në funksion të frymës evropiane për të tejkaluar problemet e të kaluarës dhe për t’iu ofruar perspektivë të gjithë qytetarëve”.

Presidentja gjatë ditës është takuar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së Anders Fogh Rassmusen dhe zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Philip Reeker dhe ambasadorin amerikan në Bruksel, William Kennard. 

Atifete Jahjaga takohet me Philip Reeker dhe William Kennardi
|| 0:00:00
...
 
🔇
X
06.02.2013
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar sot në Bruksel, në hapësirat e ambasadës amerikane në këtë qytet, me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Philip Reeker dhe ambasadorin amerikan, William Kennard. Takimi me zyrtarët e lartë amerikanë i paraprin atij që presidentja e Kosovës do të zhvillojë me homologun e saj serb, Tomisllav Nikolliq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përkartësisht përfaqësueses së lartë Catherine Ashton.

Ambasadori Kennard dhe ambasadori Reeker theksuan se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon ajo, thuhet në një komunikatë të presidencës.

Ajo do të takohet edhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Catherine Ashton, pas të cilit takim do të pasojë dialogu me presidentin serb Tomisllav Nikolliq.

Përderisa presidentja Jahjaga ka paralajmëruar se qëllimi i këtij takimi është normalizimi i raporteve dhe mbështetje për dialogun mes dy kryeministrave, kabineti i presidentit serb porosit se bisedimet do të zhvillohen në kuadër të platformës dhe rezolutës serbe për Kosovën. Të dyja këto dokumente, janë kundërshtuar nga Prishtina e cila i konsideron si të paligjshme.

Opozita në Kosovë, ndërkaq, është e ndarë lidhur me takimin e sotëm – përderisa disa vlerësojnë se ky dialog mund të kontribuojë në normalizimin e raporteve, të tjerët shprehen të bindur se ky takim është në interes vetëm të Serbisë. Edhe në Beograd është shfaqur pakënaqësi për takimin e dy presidentëve, të cilin radikalët e quajnë anti-kushtetues. (f.aliu).
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum