E hënë, tetor 20, 2014 Kosova 19:57

Kronika

Koha për marrëveshje bazë Prishtinë - Beograd

Ilustrim
Ilustrim

Artikujt e ndërlidhur

Kuvendi kërkon qartësi në dialog me Serbinë

Gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës, ligjvënësit kosovarë kanë vënë në pah sërish domosdonë e një qartësie mbi marrëveshjet e arritura në bisedimet Kosovë - Serbi.
Takimi i nivelit presidencial ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, edhe pse simbolik, reflekton normalizimin e raporteve mes dy vendeve, e cila në të ardhmen duhet të kurorëzohet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, vlerësojnë opozitarët dhe analistët në Prishtinë e Beograd.

Presidentët Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikolliq, takohen në Bruksel, në saje të normalizimit të raporteve mes dy vendeve.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha për Radion Evropa e Lirë, se ky takim, është shumë-dimensional, dhe se tregon ndryshimin e realitetit të deritashëm mes Prishtinës dhe Beogradit.

Me rëndësi është se po ndodh takimi. Tani, shumë elemente tjera, ta zëmë, mund të jenë reflektim i vet ndjeshmërisë së marrëdhënieve, të mos ndodh asi takimi paraprak, deri tani i të këtij niveli. Por po ndodh takimi. Me rëndësi është që po ndodh takimi. Gjithçka tjetër është, si të them ashtu, reflektim i ndjeshmërisë”, tha Haradinaj.

Përveç se ngritja e nivelit të dialogut në atë presidencial, ka peshën e vet, sipas ish-kryeministrit Haradinaj, efekti i takimit do të jetë domethënës edhe tek opinioni publik, që është një ngjarje pozitive për të dyja vendet, meqë po dëshmohet në praktikë normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi.

Nën moderimin e Brukselit, Prishtina dhe Beogradi, kanë nis një dialog teknik dy vjet më parë, ndërsa palët deri më tani kanë arrit një varg marrëveshjesh në fushën e lëvizjes së lirë, tregtisë, nostrifikimit të diplomave universitare, librave kadastral dhe menaxhimit të integruar të kufirit.

Dushan Janjiq nga Qendra për Hulumtime Sociologjike në Beograd, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se takimi i dy presidentëve është i një rëndësie të madhe, dhe vlerëson do të jetë pjesë e një prej fusnotave në historinë e marrëdhënieve të ndërsjella mes Kosovës dhe Serbisë.

Por se kjo do të llogaritet edhe si hyrje në një etapë të re, të dialogut politik Prishtinë-Beograd.

Me përfshirjen e presidentëve, do të plotësohet qëllimi i vërtetë Bashkimit Evropian që dialogu të ngrihet në nivelin më të lartë politik. Pra, presidentët dhe kryeministrat, do të vazhdojnë sipas agjendës që bashkërendojnë me Catherine Ashton, që bashkërisht të marrin pjesë në dialog”, tha Janjiq.

Presidentja Jahjaga para takimit me homologun e saj Nikolliq, ka hedh idenë e nënshkrimit të një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, që do të shërbente si ombrellë për të gjitha çështjet që pajtohen palët gjatë dialogut teknik e politik.

Për Dushan Janjiq, kjo ide është shumë reale, sepse nënkupton qëllimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të cilin e sponsorojnë, Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje sipas tij, është arritur ajo faza e dëshiruar nga faktori ndërkombëtar, për të rrumbullakësuar këtë proces me një marrëveshje bazike.

Do të jam edhe më i qartë, kjo i bjen se nuk mund të bisedohet tërë jetën. Thjesht, agjenda e Bashkimit Evropian është që i gjithë ky tregim rreth takimit, të paktën rreth pajtueshmërisë se për çfarë do të bisedohet mes palëve, të mbaroj në muajin maj, më së voni. Pas kësaj, duhet të sigurohen obligimet e palëve që do të zbatojnë atë për të cilën janë pajtuar”, tha Janjiq.

Mirëpo analistët në Prishtinë, thonë se takimi Jahjaga-Nikolliq është veçse simbolik, dhe se nuk ka se si të interpretohet ndryshe.

Ilir Deda, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime Politike, sqaron se palës kosovare në dialogun me Serbinë i mungon platforma dhe definimi i vijave të kuqe, dhe se çfarëdo që prodhon takimi i dy prijësve të shtetit, nuk ka vend për gëzim.

Të tri palët po thonë se (takimi) ka vetëm rëndësi simbolike. Unë nuk kisha shkuar përtej kësaj, dhe prapë kisha theksuar se është më me rëndësi substanca sesa forma. Ne nuk jemi në pozitë që të gëzohemi për shkak të takimeve simbolike, por duhet që të ketë një përparim substancial në çfarëdo takimi mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Deda për programin tonë.

Sipas tij, arritja e një kornize të përgjithshme të raporteve Kosovë-Serbi, si marrëveshje gjithëpërfshirëse siç e ka përmendur presidentja Jahjaga, do të varet nga Brukseli dhe se si kryeqyteti evropian do ta formuloj këtë gjë, në saje të normalizimit të raporteve.

Pra, kjo sipas drejtuesit të institutit, ka të bëjë me substancën e jo me formë, kurse thirr që në këtë drejtim edhe duhet të shikohet procesi përpara, se cila është substanca e marrëveshjeve të ardhshme dhe të kësaj kornize gjithëpërfshirëse.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum