E enjte, tetor 30, 2014 Kosova 15:28

Ekonomi

Transparenca në investimet kapitale

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Artikujt e ndërlidhur

Rënia e investimeve të huaja nga droja e korrupsionit

Ekspertë të ekonomisë thonë se investitorët po hezitojnë të investojnë për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit dhe mosluftimit të kësaj dukurie nga autoritetet kompetente.
Investimet kapitale nuk po reflektojnë rritje ekonomike, thonë ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve këto investime vazhdimisht po dedikohen në infrastrukturë rrugore.

Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë thonë se mjetet e parashikuara për projekte kapitale, sipas Ligjit për buxhet, tashmë u janë shpërndarë të gjitha organizatave buxhetore.

Menderes Ibra, nga Ministria e Financave, tregon se shuma më e madhe e mjeteve për investimet kapitale janë të fokusuara për investime në infrastrukturë rrugore.

Do të thotë vazhdimi i investimeve në autostradën Morinë - Merdarë. Pastaj në rrugën Prishtinë - Mitrovicë dhe Prishtinë - Pejë. Pastaj, për herë të parë janë ndarë mjetet edhe për fillimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, në rrugë të tjera rajonale, gjithashtu në infrastrukturën arsimore, në objekte të ndryshme sportive dhe në përkrahje të sektorit të bujqësisë”, shprehet Ibra.

Ndryshe, nga 1 miliard e 586 milionë euro, nga buxheti i këtij viti, 621 milionë euro janë planifikuar për investime kapitale, 40 për qind e të cilave do të dedikohen për projektin e autostradës Morinë - Merdarë, apo 217 milionë euro.

Ndërsa, 30 milionë euro të tjera janë ndarë për fillimin e autostradës se re Prishtinë- Hani i Elezit.

Por, udhëheqësi i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, konsideron se struktura e investimeve është e ngurtë, çka sipas tij, nuk po siguron përmirësim të mirëqenies sociale të qytetarëve. 

Kur shohim strukturën e investimeve kapitale, shumë qartë vërehet se 86 për qind të këtyre mjeteve janë të dedikuara për projekte në vazhdim, e këtu me 50 për qind merr pjesë infrastruktura".

"Kjo do të thotë se çështjet tjera, siç janë uji, investimet në arsim, teknologji informative apo sektorë të tjerë janë minimale në krahasim më investimet e infrastrukturës. Dhe kjo nuk reflekton aq shumë në ngritjen ekonomike dhe ngritjen sociale", thekson Rexhepi.  

Njohësi tjetër i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, vlerëson se efektet e investimeve kapitale do të vërehen në vitet e ardhshme, pasi sipas tij, paraqiten si mundësi për inkurajimin e investitorëve të jashtëm.

Megjithatë, Gashi shpreh nevojën e një transparence më të madhe gjatë shpenzimit të këtij fondi.

“Këto janë mjete të taksapaguesve kosovarë, dhe ata kanë të drejtë që në çdo kohë dhe çdo moment të marrin informata se ku shpenzohen paratë e tyre. Unë nuk mund të them se nuk ka pasur transparencë në shpenzimin e këtyre mjeteve, por në plotë kuptimin e fjalës, mund të them se duhet të ketë një transparencë edhe  më të madhe në vitet në vijim për projektet aktuale dhe projektet që pritet të realizohen në  të ardhmen”, shprehet Gashi.

Por, Mendes Ibra, nga Ministria e Financave, thekson se transparenca për shpenzimin e këtyre fondeve është e paraparë dhe garantohet nga ligjet në fuqi.

Të gjitha organizatat buxhetore që kanë këtë pozicion, në kuadër të buxhetit të tyre, pra për investime kapitale, janë të obliguara që shpenzimin të realizojnë sipas procedurave ligjore dhe në këtë drejtim janë të gjithë mekanizmat tjerë, në sferën e menaxhimit të financave publike”, thotë Ibra.

Sidoqoftë, në krahasim më vitin e kaluar, sivjet pesë milionë euro janë ndarë më tepër nga buxheti i Kosovës, për projektet kapitale.

Nadie Ahmeti

nadie.ahmeti+gmail.com

Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum